Nga bunkeri në bunker
Me të njëjtin konspiracion vetëmashtrues e kemi sipërfaqësuar edhe sot eksperiencën tonë të përbashkët duke u fshehur pas abrakadabrave të fjalëve të huaja, qofshin këto fjalë emrat e pakuptueshëm të fëmijëve tanë apo ambasadorëve imperialë, qofshin perifrazimet italike të analistit në modë apo shkurtesa OJF-shë fiktive, që ngjajnë me formula kimike të alkimisë demokratike.
Kemi ëndërruar në bunker të jemi njerëz të lirë dhe kemi aty, gjithashtu, kemi marrë poza lirie, duke nxjerrë gjuhën si Mick Jagger apo duke nxjerrë gjunjët si miss para pasqyrës. Ama, kur na erdhi vërtet liria, iu trembëm kostove të mirëmbajtjes së saj dhe iu rikthyem gardërobës së bunkerit për të marrë pozat e lirisë e për t’i përdorur kësaj here publikisht.
Problemi më i madh është sesi ndonjë përrallë cinike, ëndrra e dikurshme kolektive rinore, më shumë bollivudiane se hollivudiane, u plotësua dhe u bë realiteti ku sot jetojmë. Kemi ditur shumë mirë në bunker ta përfytyrojmë veten në timonin e ndonjë makine luksoze, dhe kjo u bë sot realitet. Vetë dolëm, por tashmë do të mbyllim në bunkerin e Platonit makinën dhe le të shpresojmë se do të realizohet, për llogarinë tonë, ëndrra e saj.
Ervin HATIBI
Aty nga fundi i viteve tetëdhjetë, ka qenë e pamundur të mos dëgjoje ngado një parullë revolucionare, e cila thoshte: “Si është rinia sot, do të jetë atdheu nesër.” Megjithëse në dukje parulla rrezatonte partishmëri të lartë stilistikore, realisht mesazhi i saj ishte më shumë se subversiv.
Rinia urbane e fundviteve tetëdhjetë, e alienizuar nga privacionet e të jetuarit “si në rrethim” dhe nga propaganda demode e nacional-socializmit agrar, kishte dezertuar masivisht nga realiteti, duke u strehuar në iluzionet klandestine të popkulturës. Ideologjisë zyrtare të asketizmit materialist, rinia i përgjigjej duke idealizuar konsumerizmin dhe hedonizmin, krenarisë boshe dhe kapardisjes së regjimit rinia i kundërvuri një diskurs vetëdenoncues dhe ksenofil.
Parullën “Si është rinia sot, do të jetë atdheu nesër”, do ta kujtoj si klithmën e fundit kuptimplote të një regjimi, që po jepte shpirt. Parulla rezultoi profetike.
Shqipëria e sotme ngjan kaq shumë me përfytyrimet oniriko-onanike të rinisë së djeshme brenda bunkerit të socializmit. Muret e brendshme të këtij bunkeri ishin stolisur mjerueshëm me copëra të dëmtuara revistash të huaja dhe kjo është edhe tani teknika jonë e mirëqenies si fasadë apo integrimit si riciklim. Rrobaqepësit disidentë, që na vishnin sipas modës lokale atëherë, e mbajnë mend sesi s’dihet ku gjenin lloj-lloj stampash apo etiketash importi dhe na i qepnin mbi xhepat e pantallonave, që këto të dukeshin si firmato.
Me të njëjtin konspiracion vetëmashtrues e kemi sipërfaqësuar edhe sot eksperiencën tonë të përbashkët duke u fshehur pas abrakadabrave të fjalëve të huaja, qofshin këto fjalë emrat e pakuptueshëm të fëmijëve tanë apo ambasadorëve imperialë, qofshin perifrazimet italike të analistit në modë apo shkurtesa OJF-shë fiktive, që ngjajnë me formula kimike të alkimisë demokratike.
Kemi ëndërruar në bunker të jemi njerëz të lirë dhe kemi marrë poza lirie, duke nxjerrë gjuhën si Mick Jagger apo duke nxjerrë gjunjët si miss para pasqyrës. Ama, kur na erdhi vërtet liria, iu trembëm kostove të mirëmbajtjes së saj dhe iu rikthyem gardërobës së bunkerit për të marrë pozat e lirisë e për t’i përdorur kësaj here publikisht. Problemi më i madh është sesi ndonjë përrallë cinike, ëndrra e dikurshme kolektive rinore, më shumë bollivudiane se hollivudiane, u plotësua dhe u bë realiteti ku sot jetojmë. Kemi ditur shumë mirë në bunker ta përfytyrojmë veten në timonin e ndonjë makine luksoze, dhe kjo u bë sot realitet. Problemi është se kurrë nuk kemi qenë aq banalë, sa të ëndërrojmë të ndërtojmë ndonjë rrugë për këto makina, se tekefundit, kjo nuk është detyra e ëndërrimeve rinore.
Kështu që makinën e shumëpritur e burgosim në garazh. Vetë dolëm, por tashmë do të mbyllim në bunkerin e Platonit makinën dhe le të shpresojmë se do të realizohet, për llogarinë tonë, ëndrra e saj. (TAML)
28 Prill 2008