Arjan Madhi: Kur ishte deputet nuk ndërmori asnjë nismë ligjore, vullnetin e tij e tregoi me votën
Deklaratat e Bamir Topit për kthimin e pronave - reagojnë republikanët
Partia Republikane, e njohur si një nga forcat politike që e ka një nga shtyllat kryesore të programit të saj zgjidhjen e çështjes së pronave, i ka kërkuar Presidentit të Republikës të mos abuzojë me këtë çështje përmes deklaratash hipokrite. Në reagim të deklaratave të Presidentit të Republikës që akuzoi qeverinë se ka penguar procesin e kthimit të pronës tek pronarët e vërtetë, sekretari i përgjithshëm i Partisë Republikane, Arjan Madhi, thotë se këto deklarata bëhen për përfitime personale politike dhe jo në interes të pronarëve. Madhi sjell në vëmendje faktin se si deputet, Bamir Topi nuk ka treguar asnjëherë vullnet për të ndërmarrë nisma ligjore për zgjidhjen e kësaj çështje, e aq më pak nuk e ka treguar këtë vullnet me votën e tij kur ka patur projektligje në favor të ish-pronarëve. “Përtej të gjithë deklaratave dhe qëndrimeve për këtë çështje, duket hapur një sjellje politike hipokrite, për më tepër qëllime përfitimi nga individë apo parti politike që më së paku kanë heshtur për çështjen e pronave ose kanë votuar ose aprovuar të gjitha ligjet që kanë ardhur ndesh me të drejtën universale të pronës. Kam hasur qëndrime të ndryshme të zotit Topi, përsa i përket problemit të ligjeve që janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, për çështjen e pronave. Si president Topi mendoj se ka pasur një kornizë të detyrueshme, e cila e ka detyruar të ketë një përqasje në përputhje me detyrimet e tij kushtetuese lidhur me qëndrimin ndaj drafteve apo ligjeve të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë”- tha ai.
Në emër të republikanëve, Madhi ka kërkuar abrogimin e të gjitha ligjeve që bien ndesh me të drejtën e pronës. Republikanët besojnë se një nismë e tillë do të bëhet garanci për orientimin e zgjidhjes së drejtë të çështjes së pronës private.