Edvini, tymnajë për sistemin e Shëndetësisë, e ngatërron me kleptokracinë që krijoi në Bashkinë e Tiranës
Pseudo-tryezat që organizon thuajse 3 herë në javë me gjoja specialistë të fushave jetike si drejtësia, arsimi, infrastruktura apo dhe shëndetësia, Edvini i kthen në shashka kundër qeverisë dhe mazhorancës, duke sharë, fyer dhe ndjellë urrejtje ndaj krerëve të institucioneve. Nga “kakarisja twitter” ku këndon si gjeli në majë të plehut, kryesocialisti është kthyer në një fantazmë të errësirës, ku si shihet fytyra, por i dëgjohet zëri për t’u plotësuar me tryezat të cilat ngjajnë si gjyqet popullore të Enverit
Pas akuzave të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në drejtim të sistemit të shëndetësisë në vend, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë duke i quajtur absurditete të radhës të pambështetura në realitet. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e këtij institucioni, Elisa Demollari është shprehur se propozimet e Ramës synojnë të kthejnë shëndetësinë në sistemin komunist, ndërsa ka shtuar se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë me reformat në shëndetësi. “Lajm që i shokoi të gjithë ishte që shqiptarët nuk do paguajnë shërbimet shëndetësorë si në kohën e komunizmit, reforma jonë është bazuar në asistencën e Bankës Botërore, OBSH etj. Ky kryetar që do rrokopujë nuk i do këto partnerë. Edhe kolegë të tij më parë kanë kontribuar në kohë. Shëndetësia shqiptare është përballur me probleme të shumta dhe kërkesën për shërbime dhe barna sa më të shumta. Zoti Rama lexoi budallallëkun e radhës, injorancën e radhës që askush se beson. Sipas tij, shqiptarët do të paguajnë pa asnjë dallim si në komunizëm. Ky kryetar që adhuron haxhiqamilizmin harron që edhe deputetët e PS kanë kontribuar dhe kanë vënë firmën në këtë reformë”- u shpreh ajo. Ministria e Shëndetësisë nënvizon se shëndetësia shqiptare nuk ka kredo politike, përveç atyre të reformave. ndërkohë që kujton se tashmë sistemi shëndetësor në vend përballet me çmime më të ulëta dhe paga më të mira për mjekët. “Edi Rama, kur flet për organizata në shëndetësi ka parasysh organizatat e stërmëdha që krijoi në bashkinë e Tiranës. Sot ilaçet janë më të lirat, cilësia më e mirë, pagat janë rritur çdo ditë, spitalet e reja dhe aparaturat moderne çdo ditë janë në përdorim nga qytetarët dhe mjekët. Spitalet e reja në Tiranë, Shkodër, Kavajë etj, përditë janë në përdorim të mjekëve dhe infermierëve. Shëndetësia shqiptare do të vazhdojë të jetë e hapur ndaj çdo sugjerimi dhe do të vazhdojë me reforma”- tha më tej ajo. Më herët, kreu i opozitës, në tryezën për shëndetësinë, deklaroi se sistemi shëndetësor shqiptar është kapur nga korrupsioni, për të kënaqur koalicionet partiake.