Zbulohen projektet e Tiranës së shekullit XXI
Juria e Konkursit ndërkombëtar për zgjatimin e Bulevardit dhe Lumit të Tiranës, ka vlerësuar me pikë të barabarta projektet e dy studiove, të cilat ofrojnë ndërtimin e një poli të ri ekonomik në veri të kryeqytetit, duke hapur mijëra vende pune, por edhe duke krijuar një hapësirë të re gjelbëruese për kryeqytetin
Lulzim Basha: Faza e dytë e konkursit, me përfshirjen e qytetarëve në konsultime
Nga 7 kompani në garë, dy do të synojnë të marrim miratimin e qytetarëve për projektin e zgjatimit të Bulevardit të Tiranës. Juria ndërkombëtare ka bërë zgjedhjen e saj, duke vlerësuar me pikë të barabarta dy kompani konkurrente, ndërsa tashmë u takon vetë banorëve të kryeqytetit që të japin vlerësimin final që, sipas kryebashkiakut Basha do i hapë rrugë zgjerimit të Tiranës europiane. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Basha theksoi se dy kompanitë që janë përzgjedhur janë studiot DAR Group Turkey & United Kingdom, dhe The Netherlands Grimshaw Architects midis të cilave do të shpallet zbatuesja finale e projektit të bulevardit, pasi të jetë dëgjuar edhe zëri i qytetarëve. Kryebashkiaku Basha lajmëroi kështu nisjen e konsultimeve me qytetarët e Tiranës, për të zgjedhur përfundimisht studion fituese, mes dy konkurrentëve DAR dhe Grimshaw. “Jemi 1 orë e 15 minuta jashtë afatit që njoftuam se juria do të shpallte rezultatin e vendimmarrjes së saj dhe kjo është prova më e mirë e dilemave dhe debatit që karakterizoi ditën e djeshme dhe ditën e sotme, debat që është rezultat i një dhe vetëm një faktori. Së pari dua të jap disa konsiderata të përgjithshme, të cilat nuk janë vetëm të miat si Kryetar i Jurisë por edhe i gjithë anëtarëve të jurisë, jam i bindur edhe shumë e shumë ekspertëve, profesionistëve, qytetarëve që ndoqën këtë konkurs të jashtëzakonshëm. Përgëzime për shtatë studio, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë! U nisëm me besim të plotë se partneriteti me ju do të na çonte drejt një konkursi të bukur, drejt një gare të fortë, por mund të them me siguri të plotë, se askush nga ne nuk priste të ballafaqohej me këtë shkallë përkushtimi, këtë shkallë profesionalizmi, me këtë përfaqësim kaq dinjitoz për çdo qytet të botës, që ju sollët këtu në Tiranë me punët tuaja. Pamë disa prej zgjidhjeve të ndryshme që ofruat për problematikën e paraqitur, bulevardin e ri, lumin e Tiranës, Parkun e Ri, për çështjen e punësimit, rritjes dhe zhvillimit ekonomik, turizmit. Pamë zgjidhje klasike, pamë zgjidhje innovative, trajtime të ndryshme të cilat ndryshonin në përmbajtje, në përqasje, në filozofi, në koncepte, por gjithsecila prej tyre ishte një “kampion” i vërtetë i mendimit më të përparuar intelektual, në fushën e arkitekturës urbane. Na frymëzuat, frymëzuat qytetarët e Tiranës, mua personalisht dhe jam i sigurt se ky ishte një 24-orësh i vlefshëm universitar për të gjithë studentët dhe studiuesit e arkitekturës në Tiranë dhe pse jo në rajon e në Europë”- u shpreh Basha. Për kryetarin e bashkisë, secili projekt mund të ishte fitues, ndërsa vlerësoi profesionalizimin e studiove ndërkombëtare që u bënë pjesë e konkursit për bulevardin e ri. “Secili prej projekteve, në ekzekutim do i bënte nder çdo qyteti dhe do të përballte me sukses sfidat që parashtruam për zgjidhje para jush, për Tiranën modern europiane të shekullit të XXI”. Ndërkaq, secili prej këtyre shtatë projekteve të denja për implementim në Tiranë do të ekspozohet përpara organeve vendimmarrëse dhe qytetarëve të Tiranës. Për dy projektet e Grimshaw dhe DAR kjo juri, Bashkia e Tiranës, grupet e interesit dhe qytetarët do paraqesin një numër çështjesh e pyetjesh për detajim të mëtejshëm. Ndërsa brenda një afati të caktuar, Bashkia e Tiranës do zgjedhë mes dy projekteve, atë fitues, për të nisur implementimin e tij. “Ne duhet të përzgjedhim si juri, për t’i hapur rrugën më pas përzgjedhjes përfundimtare të projektit fitues, të studios fituese, përzgjedhje e cila natyrisht do të bëhet duke përfshirë në vendimmarrje, nëpërmjet konsultimit publik, nëpërmjet dëgjimit të zërit të qytetarëve të Tiranës, të gjithë qytetarët e Tiranës, grupet e interesuara, brenda Tiranës, në nivel kombëtar, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët kanë shprehur dhe janë të vendosur, për shkak të besimit që kanë tek ky qytet, për shkak të besimit që keni ngjallur me këto projekte, investime serioze në këtë aks të ri zhvillimi investimesh serioze në Tiranë. Kjo juri, Bashkia e Tiranës, grupet e interesit, qytetarët e Tiranës që vendosin të marrin pjesë në këtë konsultim publik do të paraqesin një numër çështjesh, pyetjesh për detajim të mëtejshëm dhe brenda një afati të përcaktuar, në varësi të përgjigjes do të zgjedhin mes këtyre dy projekteve, projektin fitues dhe të nisë menjëherë implementimin e tij. Ky nuk ka qenë një vendim i lehtë dhe pa dyshim që secila prej studiove duhet të marrë nga ky konkurs përgëzimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë për punën, përkushtimin dhe dashurinë me të cilët u përfshitë në këtë projekt. E dimë që ajo që Bashkia e Tiranës ju ofroi si “premio” për punën tuaj është vetëm një fraksion i kostos financiare, me të cilën ju iu përveshët punës, port ë jeni të sigurt se ashtu sikundër dashuria dhe përkushtimi me të cilën trajtuat këtë pjesë kaq të rëndësishme të qytetit tonë sot dhe të historisë sonë nesër, nuk mund të matet me para, edhe vlerësimi i qytetit të Tiranës, i Bashkisë së Tiranës, imi personal dhe i qytetarëve të Tiranës nuk mund të matet asnjëherë me para”- tha ai.
Kryetari i Bashkisë e cilësoi zbatimin e projektit si situatë emergjente, duke theksuar se detajimi i tij, por edhe i shumë projekteve të tjerë, do e shndërrojnë Tiranën në një qytet të denjë evropian. “Fillimi i tij tepër urgjent dhe interesat e prekshme të brezave të sotëm dhe të ardhshëm të qytetarëve të Tiranës, tepër të larta për t’u ekzekutuar vetëm nga një grup i ngushtë njerëzish, qofshin këta edhe më profesionistët dhe jam i bindur se rrugët tona do të kryqëzohen sërish së shpejti, në detajimin e këtij projekti dhe projekteve të tjera madhore, që do e shndërrojnë Tiranën tonë, në një qytet të denjë europian, për sfidat e shekullit të XXI”. Studiot pjesëmarrëse në këtë konkurs vinin nga Gjermania, Anglia, Italia, Holanda dhe janë themelueset e mjaft projekteve të njohura në mbarë botën. Bulevardi i ri përfshin një zgjatim drejt Paskuqanit 1.7 km, ndërsa rehabilitimi i lumit të Tiranës mendohet në një sipërfaqe prej 6.7 km.
Dy studiot finaliste “DAR” dhe “Grimshaw” që do t’i nënshtrohen një konsultimi të gjerë me publikun
Çfarë ofron studioja e projektimit, “DAR”
Ajo që parashikohet është se në vitin 2020 Tirana mund të ketë rreth 1 milionë banorë. Pikërisht, mundësia e këtij projekti dhe prioritet kryesor është se si do të kontrollohet rritjen urbane. Me një dendësi prej rreth 500 banorë për kilometër katrorë është problem edhe për zonat në periferi të qytetit. Mundësia për Tiranën e veriut është që të zgjerohet qendra. Projekti, i punuar nga 25 ekspertë, sheh me kujdes çështjet demografike dhe ato ekonomike. Tirana përbëhet nga një moshë kryesore që varion nga 18-50 vjeç dhe sipas projektuesve të DAR, në të ardhmen do ketë më shumë të edukuar në universitete si dhe më shumë forcë punëtore. Kështu që Tirana duhet të futet në hartën e qyteteve me dije, në industrinë e dijes, siç ka shumë të tillë në botë siç është San Francisko, apo Kembrixh ku ka shumë shkolla dhe kjo orienton ekonominë e qytetit drejt industrisë së dijeve. Imazhet nga prezantimi i projektit të DAR tregojnë një mundësi për Tiranën që të jetë një Tiranën e gjelbër dhe mundësitë për këtë ekzistojnë vërtet ashtu siç mund të krijohet një bazë e re ekonomike për Tiranën. Mënyra e sjellë nga kjo studio është që hapësira e gjelbër t’i përgjigjet çdo kërkesë të qytetit madje të konceptit të zhvillimit të tij ekonomik. Bulevardi do të ketë dy parqe liqenorë. Përsa i përket lumit, DAR e sheh atë si një mundësi më shumë për biznesin që të shtrihet përreth tij duke i dhënë kësaj zone një dimension ekonomik. Projekti inkurajon një ekonomi të re për Tiranën dhe veriun e saj, pra e shikon në këtë koncept qytetin. Sfidë mbetet gjithashtu transporti publik në të gjithë Tiranën. Duke marrë të gjithë elementët e projektit, deri në vitin 2020, mendohet se do të ketë 200 mijë vende të reja pune. Në këtë zonë të re ekonomike që propozon DAR, të ngrihet në 50 për qind të kësaj dhe pretendojmë që me rritjen e popullsisë dhe duke pasur parasysh që Tirana e Veriut do të ketë 25 për qind të popullsisë të qytetit. Në lidhje me transportin dhe me infrastrukturën, do të jenë të gjitha mundësitë më të mira që qyteti do të ketë nesër, të cilat do të lidhen domosdoshmërish me Lumin e Tiranës. Natyrisht s’kishte si të mungonte kampusi Universitar. Në këtë zonë, DAR ka parashikuar kampus universitar, një galeri ekspozimi dhe në këtë pjesë të qytetit inkurajohet përdorimi i mjeteve alternative të transportit. Për DAR, bulevardi s’do jetë vetëm një zonë të gjelbër që lidhet me liqenet, por edhe si një zonë aktive jetese duke i pasur të gjitha shërbimet e një qyteti modern.
Çfarë ofron “Grimshaw”
Studioja e projektimit, Grimshaw, e sheh qytetin e Tiranës si gjithëpërfshirës në garantimin e niveleve të ndryshme jetese në shoqëri. Tirana shihet si një qytet me elementë kulturor, duke u fokusuar në cilësitë e bulevardit të Tiranës dhe në mënyrën e konceptimit të tij. Elementi kryesor është se, si është Tirana sot, duke synuar në rritjen e mirëqenies së rrugëve, duke e kthyer Tiranën në një qytet të ri, me më shumë gjelbërim. Elementi dytësor janë institucionet publike, ndërtesat kryesore që është edhe vendi ku fokusohen qytetarët. Tjetra është shtrirja deri në Paskuqan, një zonë bujqësore e kulturore, duke i dhënë asaj gjelbërim, ndërtesa të vogla dhe shndërrimin e saj në një qytet. Lumit të Tiranës do i kushtojmë rëndësi në çdo element, florës e faunës së tij, shndërrimin e tij në një lum më të ri e të pastër. Do krijojmë mundësitë që Tirana të jetë një vend tërheqës për turistët dhe banorët e saj. Do shikojmë sesi kjo do japë rezultatet e tij dhe sesi do ndikojë në krijimin e mundësive tregtare. Një pikë e rëndësishme është ajo që ne duhet të bëjmë një lidhje mes asaj që është e re dhe asaj që është e vjetër, duke u fokusuar fillimisht në problematikat e tyre. Elementi i dytë është pallati i drejtësisë, do fokusohemi te hapësirat që do zërë, si një pjesë e rëndësishme e projektit.