Xhejms Belushi, imazhi i ri “Eagle Mobile”
Artisti i madh shqiptaro-amerikan, Xhejms Belushi do të jetë imazhi i kompanisë më të re të telefonisë celulare Eagle Mobile. Marrëveshja u bë publike në një konferencë për shtyp, të organizuar në mjediset e Hotel Sheraton Tirana ku morën pjesë, drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin, aktori dhe këngëtari Xhejms Belushi, Zonja e Parë, Teuta Topi, regjisori i njohur turk Mete Ozok, dhe përfaqësuesi i kompanisë Balkan Resources, Klod Shimper. Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile” tha se bashkëpunimi me Xhejms Belushin do të jetë, padyshim, mjaft i frytshëm, dhe e falënderoi atë për kontributin në promovimin e Eagle Mobile, kësaj marke shqiptare që mban dhe emrin e simbolit të Shqipërisë, shqiponjën. Ndërsa, aktori shqiptaro-amerikan Xhejms Belushi u shpreh mjaft i kënaqur për nisjen e një bashkëpunimi të tillë me kompaninë “Eagle Mobile”. “Jam shumë i lumtur që do të bëj xhirime në shumë vise të bukura të Shqipërisë së mrekullueshme. Gjithashtu, jam i lumtur që bashkëpunoj dhe mbështes këtë kompani të re dhe të fuqishme. Mendoj se Eagle po bën një punë të mirë edhe për përgjegjësinë sociale”, - tha Belushi. Artdashësit dhe të pasionuarit e muzikës do të kenë mundësi ta njohin ndryshe Xhejms Belushin. Ai do të zbresë në Sheshin “Nënë Tereza” sot në mbrëmje, në orën 20.00, për të kënduar së bashku me ta. Belushi do të jetë i shoqëruar nga banda e tij dhe do të qëndrojë në skenë për më se 90 minuta. Ky koncert mbështetet nga “Eagle Mobile”, si organizator dhe sponsor i përgjithshëm dhe do të jepet pa pagesë për të gjithë artdashësit shqiptarë.
12 Tetor 2009