Arkeologët: Një nga më të bukurat në Mesdhe
Ekspedita shqiptaro-amerikane e arkeologjisë nënujore ka filluar sezonin e ri të kërkimeve në ujërat shqiptare me një tjetër zbulim të rëndësishëm. Një anije, e cila mendohet se i përket shekullit III ose IV pas Krishtit, është gjetur nga ekipi i kësaj ekspedite në ujërat e Jonit në veri të qytetit të Sarandës. Reliti arkeologjik është i ruajtur mjaft mirë dhe është i përbërë nga amfora të mëdha. Mendohet se kjo anije vinte nga Afrika Veriore. Arkeologët janë të mendimit se reliti arkeologjik ka gjasa të jetë një nga relitet e ruajtura më mirë, si dhe një nga më të bukurit që është gjetur ndonjëherë në ujërat e Mesdheut. Mbas gërmimeve që do të realizohen në të ardhmen, pritet që të dhënat e përftuara do të sjellin të reja sa i përket kuptimit të kontakteve që banorët e Ilirisë së Jugut kanë pasur me kulturat e Mesdheut. Ky zbulim është i shtati në listën e kërkimeve të rëndësishme të kryera nga kjo ekspeditë e përbashkët, e cila ka filluar tri vite më parë, si bashkëpunim i fondacionit amerikan "RPM Nautical Foundation" dhe Degës së Arkeologjisë Navale të Institutit të Arkeologjisë Shqiptare me bashkëdrejtor dr.Jeff Royal nga pala amerikane dhe dr. Adrian Anastasi nga pala shqiptare. Ekspedita është duke kryer matje të hollësishme në fundin e detit, duke kryer për herë të parë hartat e pasurive nënujore të deteve shqiptare, duke dhënë mundësinë e identifikimit të kësaj pasurie arkeologjike. Sipas ekspertëve të huaj të arkeologjisë Navale, ekspedita e përbashkët shqiptaro- amerikane renditet si një prej tri ekspeditave më të rëndësishme që po zhvillohen në Mesdhe, falë teknologjisë së lartë që është duke përdorur. Ndërkaq, për herë të parë pritet që ekspedita të bashkëpunojë edhe me arkeologë malazezë duke kryer kërkime në ujërat e Malit të Zi. Në këtë mënyrë, për të parën herë, do të nisin kërkimet në thellësitë e bregdetit iliro-dalmat.