E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kukullat Blu", spektakël në Tiranë

Stina e IX Ndërkombëtare e Muzikës Klasike vijon me koncertin e trios "Blue Dolls", që do të zhvillohet sot në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë. Trioja vokale "Blue Dolls" përbëhet nga sopranot Erika Celesti e Federica Pallante, si dhe nga Viviana Dragani. Në Tiranë ato vijnë me këngë italiane të muzikës së lehtë, duke filluar nga vitet ‘30 e deri në vitet ‘70. Spektakli fillon me repertorin e interpretuesve, kompozitoreve dhe arranxhuesve muzikorë më të famshëm italianë, siç janë Alberto Rabagliati, Pippo Barzizza, Gorni Kramer dhe Trio Lescano, ku nuk do të mungojnë këngët e viteve ‘50, ‘60, ‘70 të këngëtareve të famshme italiane si Mina dhe Rita Pavone. Trioja e këngëtareve do të shoqërohet nga Marco Parodi, në kitarë, Paolo Volante, në piano, Riçardo Vigoré në kontrabas dhe Luca Rigazio në bateri.

Grupi është krijuar në Teatrin Carignano të Torinos në mjuzikëllin "Njëmijë lira në muaj". Pas suksesit të disa koncerteve dhe me pjesëmarrjen në disa emisione televizive të njohura në Itali, "Blue Dolls" kanë nisur turneun e tyre në teatrot dhe sheshet jo vetëm italiane, por edhe të vendeve të huaja. Në janar të vitit 2008 grupi është nominuar në "Italian Jazz Asards 2008" në kategorinë "Best Singers" ("Këngëtarja më e mirë").



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›