E Diel, 1 Nëntor 2026

Fotoreporteri Koçi, rrëfim përmes portretesh të njohura

Me aparatin fotografik në dorë, për vite me radhë ai ka fiksuar çaste të mrekullueshme të personaliteteve të njohura në vend sa i përket fushës së artit e kulturës, por edhe jashtë tyre. Mjaft t‘i përmendësh një emër të njohur dhe ai të thotë se e ka fotografuar, madje kujton edhe episodin se kur e si e ka shkrepur atë foto. Me gjithë moshën e thyer, duket se kujtesa mbetet një pikë e fortë e tij. Fotografi Vasil Koçi njeh këdo. Ai kurrë nuk është ndarë prej aparatit të tij. Përherë me vete për të fotografuar jo vetëm ngjarje të rëndësishme, por edhe çaste nga e përditshmja e personazheve të njohur shqiptarë. Gjejmë aty Ndrek Lucën, aktorin e madh të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare në një moment krejtësisht të shpenguar. Rrugëve të Tiranës, larg skenës, duke ngarë biçikletën, mjetin të cilin nuk e ndau pothuajse gjatë gjithë jetës. Ai shfaqet teksa ka blerë një bukë gruri e treçerek bukë misri... Këtu, njeriu i madh i skenës, duket i zakonshëm mes të zakonshmëve.

Gjen pastaj një fotografi të këngëtares së madhe Vaçe Zela në shoqërinë e kompozitorit Feim Ibrahimi e Simon Gjonit duke diskutuar mes miqsh e kolegësh. Fotografia është shkrepur më 15 shkurt 1981. Rastësisht ka fotografuar shkrimtarin Nonda Bulka tri orë para se të ndërronte jetë, ashtu sikundër çastet e dhimbshme kur është ndarë nga jeta shkrimtari Sterio Spasse. Gjejmë edhe një fotografi të skulptorëve Abdurrahim Buza e Odhise Paskali që i takon vitit 1978, ashtu sikundër edhe një fotografi e të madhit Petro Marko në shtatorin e vitit 1971. Me cigare në buzë, gjeniu i letrave, kushedi çfarë është duke shkruar në makinën e shkrimit nga ku buronin gjetjet artistike të tij. Më pas, një imazh i vitit 1971, që përcjell dy shkrimtarët Dhimitër Xhuvani e Fatos Arapi. Por janë më shumë se kaq. Vasil Koçi tregon se në arkivin e tij personal ka shumë më shumë se kaq. Së shpejti përgatitet të dalë nga botimi një album fotografik ku do të përmbledhë fotografitë më të mira të këtyre personaliteteve. Pjesa më e madhe e tyre janë të panjohura. Thotë se për të, fotografia është jetë dhe ai asnjëherë nuk është ndarë vërtet prej saj. E mes mijëra fotosh që zënë vend e flenë në studion e tij, gjen sigurisht edhe peizazhe nga Shqipëria. Ka qenë edhe gazetar Vasil Koçi. Ka shëtitur anekënd Shqipërisë. Ka fotografuar mjaft edhe prej natyrës sonë. E nëse portretet njerëzore presin botimin, natyra shqiptare e ka parë dritën e botimit qysh në vitin 1978, në një album me ngjyra, të quajtur "Udhëtim nëpër Shqipëri". Autori përcjell një panoramë të mirëfilltë të kohës, fotografi artistike të cilat më së shumti janë shkrepur gjatë kohës kur ai vetë ka realizuar reportazhe. Vasil Koçi ka shkruar artikuj për shtypin e kohës, ka shkruar vëllime të tëra me poezi, ka përkthyer kryevepra të letërsisë botërore e sidomos të asaj greke, por edhe nga frëngjishtja e rusishtja. I është kushtuar poezisë, letërsisë për të rritur, por edhe asaj për fëmijë. Është një figurë komplekse Vasil Koçi. Një njeri të cilit jeta i ka falur mundësinë të njohë shumë. E ka gati nga një këshillë për të gjitha e të gjithë. Përkthimin e do shumë. Thotë se ato e kanë mbajtur gjallë letërsinë shqipe. Kërkon që të rinjtë të fokusohen tek emrat e mëdhenj të përkthyesve. Sepse të përkthesh, thotë ai, duhet së pari të kesh respekt për fjalën, të njohësh thellë nuancat e saj. Ashtu siç e ka një këshillë edhe për poezinë. "Poezia, vërtet është të folurit me figura letrare, por kjo nuk e bën atë më pak të kuptueshme. Por fotografia, ajo është arti i përjetësisë dhe ajo zë një vend të veçantë në jetën e tij. "Fotografia duhet të flasë me shpirt. Ajo që e bën të bukur fotografinë, mbetet befasia" komenton Vasil Koçi, energjitë e të cilit duket se nuk kanë shteruar. Ai ende shkruan, e ende përkthen. Teksa ndez cigaren, duart e holla përkthejnë fjalët në gjeste. Ka ende shumë histori për të rrëfyer, me qindra negativë për të zbardhur, vargje për të përkthyer, e mendime për të shkruar...


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›