E Diel, 1 Nëntor 2026

Sori: Adela ka vuajtur vërtet, herë për faj të saj dhe herë...

Pas spektaklit surprizë, ka nisur një ditë e re për katër finalistët e "Big Brother Albania". Asnjëri prej tyre nuk e kishte besuar se spektakli ishte i vërtetë. Maksimumi, mund të ishte një lidhje sa për të shoqëruar largimin e nënave nga shtëpia. Sori, Adi, Adela dhe Bjordi, të cilët kanë mbetur vetëm, diskutojnë për largimin e Arit dhe të nënave që ua mbushnin shtëpinë plot...

"Doja të përballesha me Sorin"

Pas spektaklit, finalistët kanë shijuar darkën, duke diskutuar mbi spektaklin surprizë dhe daljen e papritur të Arit. Adi i thotë Bjordit se i erdhi inat që në dyshe u përball me Arin, sepse dëshironte të ishte me Sorin. Bjordi mendon se asnjë nga ata të dy nuk do dilte, as ai e as Sori dhe normalisht që Ari mbetej të ishte në dyshe. Sipas tij, këto dyshe nuk zgjidhen rastësisht, sepse duke qenë miq ose kundërshtarë shumë të fortë me njëri-tjetrin, japin më shumë emocione për publikun. Adi mendon se dëshira e tij do ishte që të ndodhej me Sorin në dyshe, por, nga ana tjetër, iu duk më e drejtë që ishin ai dhe Ari, sepse Ari, po të ishte në dyshe me ndonjë banor tjetër si Sori apo Adela, do ta kishte përjetuar më keq. Ai shton se, sido që shkoi kjo mbrëmje, është i gëzuar që është në finale, edhe pse mund të duket pak i menduar, ndërsa Bjordi thotë për veten se ndjen ankth.

"I vunë në vështirësi mamatë"

Adi diskuton edhe me Sorin për këtë mbrëmje surprizë. Adi shprehet se duke mos ditur se çfarë e priste, në një moment mendoi të mos e vriste më mendjen dhe le të shkonte si të shkonte votimi i fundit. Për Sorin, nuk ka më asgjë për të vrarë mendjen tashmë, sepse ato që kishin për të ndodhur, ndodhën. Ai mendon se të paktën këtë radhë, e kishin më të thjeshtë sepse nuk patën stresin se cilin të nominonin, por ishin thuajse të gjithë të nominuar. Adi shprehet se do të preferonte që të ishin të gjithë në nominim, ose më mirë ata vetë të bënin një nominim të fundit sesa të vinin mamatë e tyre në vështirësi. Adi dhe Sori kujtojnë edhe Arin dhe imagjinojnë se ku mund të jetë ai në këto momente. Adi thotë me shaka se mund të jetë duke u marrë me Tonin. Sori tregon se Ari i pëlqente nëpër biseda, sepse i argumentonte mirë ato, por nuk të linte radhë të flisje. "Ishte personazh", thotë ai. Sori shprehet se arritën që t‘i eliminonin të gjithë banorët e rinj dhe në fund, të mbeteshin ata.

"E sulmonin, por nuk argumentonin"

Adi shprehet se i bëri përshtypje tek Adela se publiku i dhuroi edhe duartrokitje, edhe thirrje që nuk tregonin përkrahje. Edhe Sori shprehet se e vuri re këtë gjë, por shton se ajo ka vuajtur shumë. Ata vazhdojnë të flasin për Adelën dhe Adi thotë se i erdhi keq për të dhe nënën e saj, sidomos kur e shikonte që rrinte në dhomë dhe nuk dilte e fliste si nënat e tjera. Për Adelën, Sori mendon se ajo ka vuajtur vërtet: në disa raste, për faj të mendjes së vet e në disa të tjera, për faj të grupit. Ai kujton se Juna iu qep keq Adelës. Edhe Adi e mendon kështu dhe shprehet se nëse ajo kishte arsye, duhej t‘ia thoshte ato në sy. Ai thotë se asnjëherë nuk e pa Adelën në siklet prej vajzave që kërkonin të përballeshin realisht me të. Adi kujton edhe Aidën, e cila shprehej hapur se nuk e pëlqente, por gjithnjë kapej me të për gjëra të vogla, të parëndësishme. Ai i thotë Sorit se të dy e dinë se cili është defekti i Adelës, që të gjithë përpiqen të kapen. Sipas tij, të gjithë mendojnë se kjo është lojë, por asnjë nuk i ka sjellë argumente për këtë gjë asaj. Sori mendon se në çdo lidhje që ka pasur në shtëpi, nëse një banor tjetër nuk e vërteton dot se njëri nga ata po mashtron, atëherë eliminon veten, ashtu sikurse ndodhi me disa nga banorët. Për lidhjen e Anjezës me Arjonin, Adi mendon se vetëm Anjeza kishte ndjenja të vërteta, ndërsa Arjoni ishte djalë simpatik që kërkonte të "pushtonte". Ai thotë se e kupton mirë Arjonin, duke u nisur dhe nga vetja kur ka qenë në një moshë me të. "Nuk e di se si do t‘u kenë shkuar gjërat jashtë", thotë Sori për ta.

Sori luftarak, Adi humanist

Me ta bashkohet edhe Bjordi dhe biseda vazhdon tek eliminimi i Arit dhe dyshja e fundit që mbeti. Adi e shpreh sërish se nuk donte të ishte me të në dyshe, por Bjordi thotë përsëri se as Adi dhe as Sori nuk mund të dilnin katër ditë para finales. Ai, duke u nisur nga një shaka që mamatë e tyre u kanë thënë, mendon se të premten mund të ketë një tjetër eliminim. Adi ia kthen se Arbana e tha me zë të lartë që ishin finalistë dhe ndaj nuk mund të ketë tjetër eliminim. Ai shprehet se për të, një dyzetvjeçar me shumë probleme në jetë, është arritje që është në finale. Adi mendon se edhe çmimi i duhet sepse ato para do t‘i bënin shumë punë, por e rëndësishme është që arriti deri aty dhe gjithçka tjetër do të ishte një plus për të. Sori citon fjalët e Arbanës, e cila tha se ata të katërt janë fitues. Edhe Bjordi mendon se finalistët, sidoqoftë gëzojnë më shumë famë se të tjerët, por për Adin dhe Sorin kjo gjë nuk ka shumë rëndësi. Bjordi thotë se ata kaq kishin në dorë, që të vinin deri në finale, sepse tani e ka publiku të drejtën e zgjedhjes. "Për katër ditë, të jemi realistë, nuk mund të japim ndonjë gjë më shumë nga sa kemi dhënë", shprehet ai. Edhe Adi thotë se nuk do lodhet më që t‘i mbushë mendjen publikut se brenda tij ka një tjetër njeri. Ai shprehet se ata janë përkufizuar si imazhe: Sori si luftarak, ai vetë si humanist.

Zgjimi i finalistëve

Zgjimi i banorëve finalistë këtë mëngjes nuk është ndryshe nga të tjerët. Muzika bën që Adi të zgjohet i pari. Ai nuk harron ritualin e zakonshëm që të zgjojë dhe banorët e tjerë, duke i gjuajtur me jastëkë, shënjestra e preferuar mbetet Adela. Sori ngrihet pas tij dhe del në kopsht për të pirë kafen. Edhe Bjordi ngrihet nga krevati dhe e vetmja që fle ende është Adela, e cila nuk ngrihet derisa Bjordi vjen dhe me puthje dhe përkëdhelje e zgjon nga gjumi. Adi del në kopsht dhe bën shëtitjen e mëngjesit.

"Mami as që e imagjinonte"

Adela kujton me mall mamatë e tyre që vetëm një ditë më parë ishin ulur me ta në kopsht. Ajo flet për të ëmën dhe thotë se ajo duhet të jetë kënaqur me qëndrimin e saj në shtëpinë e "Big Brother", edhe pse ndjehej pak në siklet. Adela shprehet se mamaja e saj nuk mund ta kishte imagjinuar kurrë që të ishte në një ambient të tillë, të dilte në televizor e të bëhej e njohur. Ajo thotë se edhe vetë ajo nuk e kishte menduar që do të bëhej pjesë e këtij spektakli.

"Mbrëmë ishte e shtunë"

Të katër banorët e mbetur diskutojnë për spektaklin e djeshëm. Bjordi qesh me Sorin, i cili i duket sikur qëndron gati, sepse i duket sikur nga momenti në moment do t‘i flasë Arbana. Sori ia kthen se asaj nuk i dihet, sepse edhe mbrëmë u ndodhi e papritur. Bjordi tregon se u tremb shumë nga zëri i Arbanës, ndërsa Sori thotë se e mendoi zërin të regjistruar dhe se ishte një shaka e "Vëllait të Madh". Adi tregon se mendoi se mund të ishte një lidhje vetëm dhjetë minuta, për të përcjellë nënat, por nuk i shkonte në mendje se mund të ishte spektakël i vërtetë. "Paska qenë e shtunë mbrëmë", - thotë me shaka Adi. Bjordi thotë se imagjinoi që Arbana mund të ishte në ndonjë tjetër spektakël dhe u lidh me ta në formën e një surprize, por jo që spektakli të ishte bërë enkas për ta.

Për zënkat

Adelajda, Bjordi dhe Adi qëndrojnë të heshtur në kopsht duke dëgjuar muzikën në sfond. Adelajda thyen qetësinë duke thënë që një natë më përpara ishin gjashtë persona më shumë. Bjordi krahason "Big Brother 2" me atë të një viti më parë, duke thënë se në këtë edicion nuk ka pasur zënka dhe penalizime si vjet. Bjordi tregon që një natë, kur ishin të pirë, kishte pasur një zënkë me Qetsorin, por nuk kishte shkuar më tej.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›