Arkeologët: Të devijohet rruga e Butrintit
SARANDë: Paraditen e së martës ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, inspektoi punimet për zgjerimin e rrugës Kanali i çukës-Butrint. “Pozitive në këtë rast është që firma ndërtuese nuk ka guxuar të hyjë dhe të kryejë punime në truallin ku ndodhet monumenti dhe të parët që u gjendën këtu janë arkeologët”, ka pohuar ministri Xhaferri. Ai kërkoi se, edhe në kushtet e vazhdimit të punimeve për ndërtimin e rrugës, të lehtësohet lëvizja e mjeteve, duke u drejtuar përmes sinjalistikës, madje disa segmente të kësaj rruge të bëhen funksionalë përpara nisjes së sezonit turistik. Ylli Cerova, drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, ka kërkuar që në fund të muajit prill të ndalen punimet në këtë rrugë. Kjo, për faktin se në këtë kohë rritet numri i turistëve që vizitojnë Butrintin. Arkeologët nga ana e tyre kanë kërkuar që investimi të devijojë poshtë rrugës ekzistuese, në vendin ku gjendet një tjetër monument kulture, si “Muri i Demës”, që nis në majën e kodrës së Shën Gjergjit dhe zbret deri poshtë në det. Projekti parashikon veshjen me gurë të mureve që shoqërojnë rrugën, sidomos në pjesën më të afërt me qytetin antik. sh.d.