E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultati i rajonaleve befason gjithë botën



Zgjedhjet rajonale shënuan një fitore për Kryeministrin italian Silvio Berkluskoni dhe aleatin e tij në koalicion, “Lega Nord” edhe pse komunat që votuan majtas ishin më të shumta. Rezultati i fundit i 13 rajoneve ku u votua ishte 7 komuna pro qendrës së majtë dhe gjashtë pro së djathtës. Megjithatë, në zgjedhjet e mëparshme rajonale të zhvilluara në vitin 2005, edhe pse pushteti qendror ishte i Berluskonit dhe qendrës së tij të djathtë, ishte e majta që zotëronte 11 komuna përkundër vetëm dy komunave që drejtonte e djathta. Analistët mendojnë se e gjitha kjo fitore e së djathtës në rajonalet e fundit në Itali i dedikohet abstenimit për të votuar nga qytetarët italianë, të cilët duket se kanë humbur besimin te politika, për shkak të rritjes së papunësisë dhe nivelit gjithnjë e më të ulët të jetesës. Berluskoni duket se ka çuditur shumë njerëz me këto zgjedhje, përfshirë edhe veten. Përpara numërimit të votave, shumë njerëz besonin se më së shumti qendra e djathtë do të fitonte një apo dy rajone. Por përkundër kësaj, të djathtët i morën katër rajone të sigurta qendrës së majtë duke e çuar në gjashtë numrin e guvernatorëve të tyre. Koalicioni konservator i djathtë ka fituar në dy rajonet më jugore, në Kalabri dhe Kampanja si dhe Piemonte dhe Lacio, të cilat më parë ishin në duart e të majtëve. Ndërkohë ka fituar sërish edhe në Lombardi dhe Venecia. Vetë Kryeministri i ka quajtur këto zgjedhje si një test të rëndësishëm para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›