E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riki Martin: Jam homoseksual



Pas zërave që kanë qarkulluar rreth tij, këngëtari portorikan, 38-vjeçari, Riki Martin, ka pranuar se është homoseksual. “Jam krenar që jam homoseksual”, ka thënë ai. Në mbyllje të një komunikate ku njofton se prej muajsh po punon mbi një libër kujtimesh, autori i “La vida loca”, thotë se ka ardhur momenti i “së vërtetës”. “Ka qenë një proces intensiv, plot ankth, i dhimbshëm, por edhe çlirues. Sot pranoj homoseksualitetin tim, si një dhuratë që më ka dhënë jeta. Ndihem i bekuar që jam ky që jam”, është shprehur ai, teksa shton se në të shkuarën e ka lënë veten që ta marrë rrjedha e frikës. Shumë njerëz të afërt e kishin këshilluar që të mos dilte hapur. “Më thoshin se do të ishin të shumtë të papërgatiturit për të pranuar natyrën time të vërtetë dhe karriera ime do të shkatërrohej”. Ai pohon se nuk e di se ç’do të ndodhë në të ardhmen. Për momentin po përqendrohet në atë çka po jeton sot. “Këto vite heshtjeje dhe refleksioni më kanë shtyrë të zbuloj dashurinë që jeton brenda meje. Vetëm e vërteta të sjell qetësi dhe paqe të brendshme”, shkruan kantautori në faqen e tij të internetit. Në gusht të 2008-ës Riki Martin u bë babi i dy binjakëve, Mateo e Valentino, ndërsa në të shkuarën është folur për shumë histori dashurie e tashmë shumë ish-të dashura të tij po deklarojnë lidhjet me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›