Dëmshpërblimet e përmbytjes, ankesat zgjidhje nga gjykata
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Banorët që kanë pretendime për dëmshpërblimet e përmbytjeve të janarit do të presin vendimin e gjykatës për një rivlerësim të dëmeve. Në Këshillin e Qarkut të Shkodrës janë regjistruar 50 ankesa zyrtare nga 4213 familje që pësuan dëme pas hapjes së portave të hidrocentraleve dy muaj më parë. Kreu i këtij institucioni, Gjovalin Kolombi deklaroi dje se, po shqyrtohen vetëm kërkesat e dorëzuara me shkrim dhe në formë zyrtare dhe jo pretendimet gojore apo në media të banorëve.
Sipas tij, verifikimi i tyre po kryhet nga sekretari i Këshillit, Besnik Kastrati, duke i krahasuar ankesat e banorëve me kopjet e formularëve, të hartuar nga grupet e ekspertëve. “Në rast se banorët do të kenë ankesa edhe pas këtij ballafaqimi, atëherë ata mund t’i drejtohen gjykatës. Vetëm një vendim i këtij organi mund të na detyrojë ne si Këshill Qarku që të bëjmë rivlerësim të dëmit”, u shpreh Kolombi. Këshilli, pasi ka përgatitur dosjet e dëmshpërblimeve, dokumentet origjinale i ka nisur drejt Tiranës, ndërkohë që nga një kopje të këtyre formularëve është mbajtur prej tij. Mbi bazën e tyre po bëhet dhe rishqyrtimi, pas ankesave të qytetarëve. Ndërkohë sekretari i këtij Këshilli, Kastrati, shprehet se ankesat e mbërritura janë kryesisht nga banorët e komunave Dajç dhe Ana e Malit. Pasi janë shqyrtuar rreth 25 prej tyre rezulton se ankesat kanë të bëjnë kryesisht me lënien pa shkruar të dëmeve në pajisje apo orendi të ndryshme si dhe në bagëti. “Por duhet të sqarojmë opinionin publik se në të gjitha rastet e verifikimit të grupeve në terren, të gjithë formularët janë plotësuar në prani të të gjithë kryefamiljarëve. Pra, në asnjë rast, vlerësimi nuk është bërë në distancë apo apriori dhe në asnjë rast nuk ka pasur ankesa në plotësimin e formularëve në vend”. Kastrati i ka quajtur ankimet të shtyra nga persona që po instrumentalizohen politikisht nga opozita, për të akuzuar qeverisjet lokale apo qendrore për mungesë serioziteti dhe abuziviteti. Ai ka shtuar se në këto ankesa janë shkruar për një lavatriçe, ndonjë frigorifer për familje apo kafshë të ngordhura si kuaj dhe lopë. Ndërsa shton se në të gjitha rastet formularët janë plotësuar në prani të çdo familjari.