E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moskë, shpërthimet nxisin kritikat kundër liderëve



Rusia kaloi një ditë zie kombëtare për viktimat e dy sulmeve terroriste, të ndodhur në stacionet e metrove pranë qendrës së Moskës, të cilat morën jetën e 39 personave. Ngjarja ka nxitur mediat e pavarura të kritikojnë liderët e vendit, imazhi i të cilëve deri tani ka qenë pothuajse “i paprekshëm”. “Gjatë viteve të fundit, autoritetet dhe televizionet u kanë kënduar ninulla rusëve, duke i bërë të besojnë se terrorizmi është një çështje që i përket Kaukazit të veriut dhe nuk kërcënon pjesën tjetër të qytetarëve”, shkruhej në një artikull të së përditshmes “Vedomosti”. Një tapet i madh me lule ka mbuluar stacionet e metrosë në “Lubyanka” dhe “Park Kultury”, ku të hënën dy gra kamikaze janë shpërthyer, duke shkaktuar dhjetëra viktima. Gazetarët kanë paralajmëruar se ky veprim ishte simbolizim i rikthimit të terrorizmit. “Realiteti ka copëzuar iluzionin e sigurisë”; “Jeta e të gjithëve nuk do të jetë më e njëjta”, ka shkruar “Vedomosti”. Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev bëri thirrje për ligje të reja për të parandaluar terrorizmin. “Mendoj se duhet të fokusojmë vëmendjen në disa aspekte të përmirësimit të legjislacionit, me synim të parandalimit të akteve terroriste dhe përmirësimit të punës së agjencive të ndryshme”, tha Medvedev. Bilanci i të vdekurve nga sulmet e dyfishta shkoi në 39, pasi një grua ndërroi jetë dje në spital nga plagët e marra gjatë shpërthimit. Por edhe pesë persona të tjerë, nga 71 të shtruarit në spital pas shpërthimeve, janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin ka premtuar se organet e sigurisë do t’i gjejnë dhe likuidojnë organizatorët e sulmeve në metronë e Moskës, si dhe ndihmësit e tyre. Në verë të vitit 2009 Presidenti Medvedev njoftoi fitoren kundër militantëve çeçenë, duke e deklaruar të mbyllur fushatën ushtarake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›