Debatet në këshill, dështon buxheti
BERAT – Debatet ndërmjet subjekteve politike në Këshillin Bashkiak të Beratit kanë lënë sërish pa miratuar buxhetin për vitin 2010. Kreu i këtij këshilli, Arenc Berati nuk pranoi dje të bëhej mbledhja, duke argumentuar se drejtuesit e bashkisë nuk kishin zbatuar ligjin në shpërndarjen e dokumentacionit përkatës të kësaj mbledhjeje tek anëtarët e këshillit. Bëhet fjalë për çështjet që do të trajtoheshin si rend dite, për të cilat këshilltarët nuk ishin informuar më parë. Pas shumë debateve për këtë çështje, ndërmjet Beratit dhe kryetarit të grupit të këshilltarëve socialist Krenar Suku, mbledhja nuk u zhvillua. Kreu i Bashkisë, Fadil Nasufi u shpreh se ishte gabim i sekretares, e cila nuk e kishte shpërndarë dokumentacionin ashtu sikurse e parashikon ligji. Këshilltarët duhet të njihen 5 ditë para me çështjet që do të trajtohen në mbledhjen e radhës. d.xh