E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhët kilometrike, emigrantët 3 orë në kufi



GJIROKASTER-KORçE- Rikthehen radhët e emigrantëve në Kakavijë e Kapshticë. Mësohet se në doganën e Kakavijës emigrantët kanë pritur dje për të kryer procedurat nga pala greke deri në tre orë. Rreth orës 02:00 janë shënuar radhë kilometrike në territorin grek si pasojë e sporteleve të pakta në numër nga autoritetet policore të këtij shteti. Ndërsa kontrollorët shqiptarë ishin në pritje të ardhjes së emigrantëve, ndaj kishin vënë në dispozicion 12 sportele, që është edhe kapaciteti maksimal i përpunimit të dokumenteve. Sipas autoriteteve doganore, nëntë prej sporteleve ishin vënë në dispozicion të emigrantëve që vinin nga Greqia, ndërsa tre funksiononin për peronat që dilnin nga territori shqiptar. Sipas të dhënave zyrtare nga Kakavija, në 12 orët e para të së shtunës kanë kaluar drejt Shqipërisë mbi 7 mijë emigrantë shqiptare si dhe 2300 automjete. Të gjendur përballë një fluksi në rritje, autoritetet greke kanë shtuar numrin e sporteleve në të dalë të territorit të tyre nga tre që kishin në orët e para të mëngjesit, në pesë. Ardhja e emigrantëve për sezonin e verës ka shënuar fluksin më të madh këtë fundjave edhe në Kapshticë. Mbi 7500 emigrantë mbërritën mëngjesin e djeshëm në këtë doganë. Dyndja e menjëhershme e tyre ka krijuar radhë të gjata mjetesh sidomos në anën greke të këtij vendkalimi kufitar. Mësohet se deri në orët e mesditës, radha kishte arritur në rreth 3 km. Pala greke punoi vetëm me 4 sportele, gjë që shkaktoi radhë të gjata. Ndërsa nga ana e palës shqiptare është punuar me 8 sportele për të përballuar fluksin e emigrantëve. p.n/g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›