E Diel, 1 Nëntor 2026

SI: Bashkia e Tiranës, prioriteti ynë në zgjedhje

Rama: Sjellja armiqësore ndaj LSI e la PS në opozitë

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha dje se bashkia e Tiranës është një prioritet i kësaj partie në zgjedhjet lokale. "Bashkia e Tiranës mbetet prioriteti kryesor i sfidës sonë të ardhshme politike dhe elektorale, që nuk lidhet thjesht dhe vetëm me emrin që do të jetë në krye të saj, por lidhet me një skemë tërësore funksionale të mirëqeverisjes së Bashkisë së Tiranës, sepse prej shumë vitesh, pra që prej 2005 e këtej, Bashkia e Tiranës nuk qeveriset, por është zhvendosur në selinë e PS dhe ajo çka ka mbetur në këtë Bashki, është një enturazh që përdoret sa herë ka aksione politike me PS-në", - u shpreh Rama. Sipas tij LSI ka kandidatura konkurruese për këtë bashki. Ai akuzoi kreun socialist për një sjellje armiqësore ndaj LSI-së, gjë që e ka lënë PS në opozitë që prej zgjedhjeve të 2005. "Unë e kuptoj dhe e di që në bazën, në anëtarësinë e PS, dominon logjika realiste, por për fat të keq atë nuk e pyet njeri dhe lidershipi vazhdon të bëjë llogaritjet siç i ka bërë edhe vitin e kaluar, siç bëri edhe 5 vjet më parë në zgjedhjet e 2005 dhe vazhdon të mos e kuptojë se sjellja armiqësore ndaj LSI-së e ka lënë PS-në në opozitë, në dy zgjedhje të përgjithshme politike dhe do të vazhdojë të lërë në opozitë për sa kohë lidershipi socialist të vazhdojë të mos ofrojë alternativë, të mos sillet si opozitë europiane, por të reflektojë në mënyrën më paradoksale se është dëshmi apo thënë në mënyrë më metaforike, se është monument i politikës së vjetër", - u shpreh sekretari i LSI-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›