E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk zbatohet sistemi i referimit. Fluks pacientësh në spital Dyndet Pediatria, prindërit harrojnë mjekët e familjes



Prindërit janë të prirur të mos zbatojnë rregulla kur bëhet fjalë për fëmijët e tyre. Javën e fundit fluksi i urgjencave në pediatri është rritur ndjeshëm. Rreth 100 të vegjël në ditë marrin trajtim në spitalin e Tiranës, një pjesë e tyre fare mirë mund të trajtohen edhe nga mjekët e familjes. Por sipas bluzave të bardha të QSU, prindërit i sjellin direkt në urgjencë. “Fëmijët nuk paraqiten fare te mjeku i familjes, pra, jo se mungon organizimi, por dëshira e prindërve për të shkuar te mjeku familjes. Ne si mjekë do të na shkurtonte shumë punë dhe do të merreshim më shumë me më pak fëmijë. Nga qindra raste që paraqiten, shumë prej tyre janë vizita rutinë që vijnë ikin dhe nuk marrin asnjë ndihmë këtu tek ne”, shprehen mjekët pediatër. Zbatimi i sistemit të referimit, megjithëse po bëhet viti që kur ka nisur të aplikohet, has ende vështirësi të mëdha. Edhe për problemin më të vogël pacientët sërish i drejtohen spitalit, duke neglizhuar rolin e mjekëve të familjes. Bluzat e bardha thonë se megjithëse fluksi është rritur, situata mbetet e përballueshme. “Aktualisht po qarkullojnë një sërë virozësh. Fëmijët nga 1-3 vjeç janë ata që preken më tepër. Në këtë periudhë vitet e shkuara na ka ndodhur që të presim më shumë pacientë, ndaj deri tani gjithçka është nën kontroll”, shprehen mjekët. Këshillat që ata u japin prindërve në këto ditë të nxehta janë të evitojnë ambientet në komunitet, fëmijët të përdorin sa më shumë lëngje, fruta dhe zarzavate, si dhe t’i drejtohen mjekut dhe jo farmacisë për të marr mjekimin e duhur dhe për të shmangur komplikacionet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›