E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkitektura,damka e shëmtuar shqiptare e 20 viteve



Fatmir Musaj*

Arkitektura dhe ndërtimet kanë treguar gjithmonë zhvillimin e një vendi dhe kanë qenë tregues të qartë, politikë të një sistemi. Shpenzimet në ndërtim janë pjesë e një ringjalljeje të cikleve ekonomike të një shteti. Një nga detyrat më elementare të politikave të arkitekturës është: qëllimi, jo vetëm të mbrojë kundër fatkeqësive të natyrës, por të siguroje për njerëzit, që institucionet dhe banesat, të kenë luksin e normalitetin e jetës brenda dhe jashtë ndërtesës. Kjo është e një rëndësie sa profesionale e politike. Kthehemi me dhimbje dhe neveri, të zhulosur dhe me zgjyrë, me ulërimë dhe urtësi, me patetizëm e qetësi, për të analizuar artin dhe arkitekturën në Shqipëri; marrëdhëniet e shoqërisë, që janë pasqyruar nëpërmjet monumenteve dhe artit, i cili është krijuar nga marrëdhëniet e vetë artit në vetvete, shtetit, politikës, shoqërisë dhe artit. Të vonuar, mbas 500 vjet robëri, ku bota provonte shijen e të gjithë “izmave” të rrymave artistike, ku shëtiste me transoqeanik dhe Parisi ndërtonte kullën “Eifel”, ku Budapesti kishte metronë e parë në Evropë, ne ishim akoma te qerpiçi dhe me një infrastrukturë feudale. Ashtu siç është e vërteta shtëpitë qytetare që ishin ornamentalizëm, të ndërtuara plot estetikë, po ishin model i një kohe të perënduar. Trashëguam qytete dhe objekte kulti me karakteristika të veçanta, një kulturë, e cila pasqyrohet në zbulimet arkeologjike, si dhe ne mbetjet fizike të monumenteve, në amfiteatër, kështjella etj., të cilat kanë nevojë për restaurim. Por qëllimi i shkrimit tim është arti dhe arkitektura, si pjesë e jetës sonë, si tregues i qytetërimit, i shkallës së civilizimit dhe i politikave të shtetit të shek. XX e XXI. Tirana, kryeqyteti ynë, kartëvizita e arkitekturës së kryeqytetit tonë, është Ansambli Arkitektonik i Ministrive në Sheshin “Skënderbej”, pra bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri te Korpusi i universitetit. Ky është sot antikuari dhe relikja më me vlerë e kryeqytetit tonë. Në të gjithë Shqipërinë nuk gjen më gjurmë nga e kaluara, nga arkitektura qytetare, jo vetëm nga funksionaliteti, po kemi edhe një degradim dhe rrallim të objekteve muzeale me vlera kombëtare. Mirësevini në Shqipëri! Ju po vini në Perandorinë e Arkitekturës së Ferrit. Ju po vini në necropolis-in shqiptar, kjo është një britmë që më merr energjinë, ky është një patetizëm që duhet ta nxjerr, kjo është një shurdhëri që po më helmon, kjo është një grisje dhe shqyerje shpirtërore që nxirret me ulërimë dhe dua që ajo të dëgjohet nga veshët e mediokritetit se mjaft kam heshtur dhe ju ftoj të gjithëve të mbani qëndrim qytetar, dhe t’i bëheni barrikadë të keqes, necropolis-it, kësaj varreze ogurzeze, jo butaforike, po të gjallë e monumentale, që rrethon jetën tonë. T’i bëheni barrikadë dhe të trimëroheni për t’i thënë mjaft politikës së papërgjegjshme, për t’i thënë mjaft korrupsionit, për t’i thënë “ok” guximit qytetar, kurajës civile dhe interesave kombëtare. Shikojmë Shqipërinë nga ajri: Një horror e katrahurë arkitektonike, një thatësirë artistike, një mjegullnajë djallëzore, që mbulon qytetet tona. Një shqyerje biblike, përmbytje kilometrike nga ujërat, një krijesë arkitektonike e djallit, një përçudnim i parajsës gjeografike, që e ka bërë politika bashkë me arkitektët e ferrit. Mirësevini ne Aeroportin “Nënë Tereza” dhe sapo të dilni do të prezantoheni me monumentin “Nënë Tereza”, punë e skulptorit Luan Mulliqi. Ja çfarë thotë Luani: “Ndihem i kënaqur që fitova të drejtën e realizimit të kësaj shtatoreje për një personalitet si Nënë Tereza, pasi monumentet e heronjve kombëtarë deri tani janë realizuar nga artistë shqiptarë dhe kryesisht në bazë të modeleve socio-realiste. Shtatorja ngjan sikur humanistja shqiptare po bën një lutje universale. Dhe duart janë vendosur në mënyrë të atillë, sikur Nëna Tereza po kryen një lutje universale dhe gjithashtu sikur po u uron mirëseardhjen atyre që shkelin në aeroportin e Rinasit”. Dhe vazhdon: “Pjesën e poshtme të përmendores e kam modeluar në formën e një drapri të lehtë, për të vazhduar në lartësi përmes një forme elegante që e arrin monumentalitetin e saj përmes bashkimit të duarve. Ka një formë anti gravitacionale, që del nga toka, apo që mbin si një lule dhe që hapet për të paraqitur gjithë veprimtarinë e Nënë Terezës, dhe pastaj merr formën e një shigjete që priret nga qielli, nga përjetësia...”. Pallavra, pallavra, pallavra. Kjo nuk është “Nënë Tereza”! Kjo është një kolonadë dy tonësh prej bronzi, 6 metra e lartë, si një kolonadë varreze që del nga toka dhe bën prezantimin e frikshëm të mirëseardhjes në atdheun e “ferrit” artistik e arkitekturor. Kjo është si një porosi për skenat e makabritetit të fantazisë së Stefan King. Kjo është një vepër 100% socio-realiste si të gjithë monumentet e diktaturës, ku sidomos femrat janë modeluar si “Herkule” me nofulla të hekurta e muskuloze. Të lutesh, do të thotë të kesh dhimbje, të lutesh do të thotë të bësh kompromis. Po a ka dhimbje në punën tuaj? Jo! Po a ka kompromis në punën tuaj? Jo! Po a është Nene Tereza kjo? Jo! Kjo “vepër” është një “Sui generis” në artin monumental shqiptar, për të mos thënë një plagjiaturë që të kujton Jezusin monumental mbi Corvovado në Rio de Janeiro, që është në Brazil vepër e projektuar nga inxhinieri Heitor da Silva Kosta dhe e punuar nga skulptori Francez Paul Landowski. Një herë thoni është si një lule, pastaj lulja kthehet në shigjetë që pritet nga qielli!!! Monumenti është një vepër artistike, një lloj krijimtarie, që duhet të paraqesë në mënyrë eksplicite për të përkujtuar një person, apo një ngjarje të rëndësishme, apo që është bërë e tillë nga shoqëria, si pjesë e përkujtimit të tyre dhe që ndihmojnë jo vetëm në kujtesën e shoqërisë, po dhe në administrimin e hapësirave publike të qytetit. Qëllimi i monumenteve dhe vetë fjala monument ka lidhje me një madhësi mbi natyrale për të bërë përshtypje nga gjetja artistike dhe përmasat e figurës. Rrjedh nga latinishtja “Monere” që do të thotë “të kujtojmë”. Po çfarë t’i kujtojmë kësaj figure emblematike shqiptare: sa shqiptare, aq dhe planetare, më shumë tokësore se qiellore, kësaj legjende të gjallë, këtij miti të pavdekshëm të humanizmit e mirësisë, qe ka fytyrën e Nënë Terezës. çfarë i mbetet shikuesit dhe mua si artist, për tu përgjigjur në perceptimet, reagimet e gjendjen e veçantë emocionale, që vijnë nga një skulpturë e tillë, nëpërmjet këtij monumenti. Në bazë të këtyre ndjesive mund t’ju them që keni krijuar nj “Zombie” Nënë Terezë! Unë i referohem, funksionit të skulpturës si një masë 2 tonëshe, prej bronzi që nuk ka të bëjë fare me shenjtoren dhe më duket si një riprodhim e interpretim imagjinar i një Motre/priftëreshe anonime, që ose nuk ka ekzistuar, ose ka ekzistuar në vitin x dhe jo virgjëreshës Gonxhe Bojaxhiu, kësaj shenjtoreje të mirësisë tokësore. Kjo materie e pa vdekshme e moralit njerëzor. Dimensialiteti i objektit nuk e bën objektin monumental. Monumental e bën gjetja, zgjidhja, kompozimi, epshi i pashuar artistik, që quhet muzë, dashuria dhe shpirti, që derdh autori në veprën e tij, identiteti e simbolika, rrezatimi dhe mesazhi artistik e estetik që përcjell te shikuesi. Vazhdojmë rrugëtimin e arkitekturës dhe artit në Shqipëri. Arkitektura ka pasur si funksion një normë mbizotëruese: “Forma ndjek funksionin”. Mjafton të shohim ndërtimet e kullave të Malësisë së Veriut, të bunkerizuara me frëngji dhe të varfra në ornamentalizëm dhe e kuptojmë se çfarë jete sociale është jetuar në to, si brenda dhe jashtë kullës. Mjafton të shohim shtëpinë qytetare shkodrane, tiranase, elbasanase e të qyteteve të Shqipërisë së Mesme, shtëpinë me çardak, hajat, kopshte e oborr të mbyllur, apo kompleksin unikal të ndërtimit të qyteteve të jugut si Berati, Gjirokastra, etj, të mbushur plot ornamente arkitektonike, që ka të bëjë dhe këtu me traditën dhe marrëdhëniet sociale të shoqërisë.
Pra arti dhe arkitektura shërben si një libër i hapur për të përcjellë informacione social-politike të shoqërisë. I referohemi diktaturës: Uniformiteti pa shpirt i parafabrikateve, pallate të ndërtuar nga të burgosur dhe qindra, mijëra bunkerë që nga rëra, ku lag dallga e detit, e deri në majë të malit, sheshe të stërmëdha e jo funksionale të qendrave të qyteteve, fabrika e kombinate të ndërtuara në zemrën e qyteteve! Monumentet e klonuara të diktatorëve të diktaturës, infrastrukturë mizerabël, etj. Forma ndjek funksionin! Po cila formë dhe cili funksion? Anarki, kaos, katrahurë arkitektonike. Anarki si vetë jeta jonë, si vetë marrëdhëniet tona sociale. Infrastrukturë me funksionin më vdekjeprurës i superstradave. Fakt janë statistikat e vdekjeve. Arkitektura quhet procesi dhe produkti i planifikimit, projektimit dhe ndërtimit, që pasqyron hapësirë funksionale, sociale dhe konsideratat estetike. Qytetërimet historike janë identifikuar shpesh me arritjet e tyre arkitektonike. Në fund të shek. XX një koncept i ri i arkitekturës është qëndrueshmëria, dobishmëria/funksionaliteti dhe bukuria/forma/estetika. Me arkitekturën moderne, dimensioni estetik shkon përtej aspekteve funksionale dhe ka të përbashkët zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Identifikimi i shoqërisë shqiptare në arkitekturën që kemi “projektuar” dhe ekzekutuar. Njëzet vjet demokraci, 20 vjet lëvizje të pa kontrolluara demografike, ku shteti dështoi në bërjen e projekteve bashkëkohore dhe qytetërimi ka lënë gjurmë në arkitekturën tonë si: zona informale si Bathorja dhe periferitë urbane në të gjitha qytetet e Shqipërisë, e gjithë vija bregdetare, etj. Dyzet kilometra vijë bregdetare, që nga Durrësi deri në Spille. Dyzet km horror betoni, ku mbajmë përgjegjësi të gjithë, po sidomos shteti/politika dhe arkitektët/zyrat e projektimit. Rrugëton nga Rinasi në drejtim të Kavajës dhe do të shikosh peizazhe të përçudnuara, natyra të shkatërruara e të shqyera frikshëm, nga ndërtime të shëmtuara jo funksionale. Nuk janë ferma, nuk janë stalla, nuk janë pulari, po janë shtëpi pa infrastrukturë, pa planimetri, po të miratuara nga zyrat e projektimit dhe janë aty ku toka është më pjellore, në zemër të fushës dhe jo në kodra. Njëzet metra larg detit, detin nuk e shikon nga betonimet e pallateve, deri në 20 kate të ngritura në plazh. Kush i ka miratuar! Kush i ka projektuar! Ku janë funksionaliteti, forma estetika? Ku do të shkojnë mbetjet organike, ku do të shkojnë mbetjet fizike, ku janë sheshet e parkimit dhe ku janë sheshet e pushimit, dëfrimit?! Kush i ka projektuar? Kush i ka lejuar? A funksionon zyra e projektimit? A ka një plan urbanistik e arkitektonik? Në Kavajë, në qendër të pret Obelisku i Demokracisë, të cilin nuk e firmosa në vitin 1995, si anëtar komisionit të asaj kohe. Nuk e firmosa se ishte punë e dobët, se nuk u bë me konkurs, se nuk ishte pozicioni i gjetur. Isha i vetmi që nuk e firmosa. Dhe koha po e nxjerr jashtë funksionit si obelisk, ku më shume ka funksionin e mitingbërjes, ku mblidhen militantët. Kush është i kultivuar dhe qytetar nuk mund të pranojë më arkitekturë dhe statuja të tilla banale dhe konservative, apo plagjiatura të shpifura. Ne jetojmë në mijëvjeçarin e tretë dhe mos i gënjejë mendja mediokrit se artin e kuptojnë vetëm artistet! Në ditët e sotme arti mbahet, vlerësohet nga kritika, që për të keqen tonë, në Shqipëri është një fatalitet, ku ndjehet mungesa e mendimit profesional. Edhe pse i zhgënjyer e i neveritur nga gërryerja morale e gjithanshme, edhe pse kanë kaluar njëzet vjet, që u ndamë nga diktatura dhe pse simbolet e saj janë në mes tonë, në afro 80% të veprave që janë në Shqipëri, edhe pse arti është çliruar nga dara etatiste ideologjike, artistët dhe intelektualët, (kam parasysh dhe arkitektët), po dhe zyrat e projektimit të bashkive, kanë pjesën e tyre në këtë kompozim të rrapëllimës kaotike të hapësirave urbane dhe ç’është më e rëndësishmja: të realizimit të monumenteve dhe pozicionimit të tyre. Në të gjitha qytetet e Shqipërisë, zyrat e projektimit që ka çdo bashki, drejtohen jo nga artistë, jo nga mediokër, po nga njerëz të paaftë që vetëm intelektualë nuk mund te quhen, ose më saktë njerëz të pa përgjegjshëm, topografë bunkeresh të diktaturës. Arkitektura mund të stimulojë dhe në ndikimin e jetës sociale dhe mund të promovojë zhvillimin shoqëror, prandaj mos harroni kurrë o topografë bunkerësh dhe ju o arkitektë mediokër, peshën e përgjegjësisë para shoqërisë dhe historisë.
(*Piktor)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›