E Diel, 1 Nëntor 2026

Aventurë në trenin e Kurum për të rrëmbyer hekurishtet



DURRES/ OERD ULQINI

Nga ciganët quhet "treni i fatit". Një turmë prej të paktën 50-60 romësh mësyn çdo ditë trenin e "Kurum"-it, duke hedhur prej vagonëve të tij në ecje e sipër dhjetëra kuintalë skrap. Me të kaluar rrethimin e Portit të Durrësit, trenit i ngrihet gracka tek "Ura e Dajlanit". Më kot vrapojnë rojet e policisë hekurudhore dhe asaj të shtetit në mbrojtje të pronës private, pasi këmbët e ciganëve janë shumë më të shpejta. Mbi të gjitha ata shpërfillin rrezikun që u kanoset nga treni në ecje. Si kaçakë të kohëve moderne ata hipin mbi tren dhe fillojnë të hedhin prej lartësisë së vagonëve skrapin (preferojnë më shumë bakrin, bronzin apo aluminin pasi metalet me ngjyra kushtojnë 200-400 lekë kilogrami). Por kur nuk gjejnë metale të kësaj natyre nuk dalin duarbosh, pasi gjithnjë nëpër vagonë ka skrap (hekur ose çelik) të cilësisë së lartë. Teksa guximtarët nga lart hedhin skrapin në tokë, të tjerë i mbledhin dhe zhduken pa lënë gjurmë me ngarkesën. Sulmi ndaj trenit zgjat prej të paktën 10 kilometrash. Ai përfundon në Golem, kur treni i mallrave me destinacion Metalurgjikun merr shpejtësi, duke u bërë i papushtueshëm. Sigurisht që ngarkesa e nisjes nga Durrësi, nuk është asnjëherë e barabartë me atë të mbërritjes në Elbasan, pasi në çdo udhëtim 3-6 ton skrap vidhet. Mbledhja e skrapit është bërë një burim jetese për komunitetet e varfra, por ky lloj biznesi po kalon çdo kufi duke u shndërruar në një akt ilegal. Pamjet që ofrojnë këto foto janë fiksuar rastësisht dhe dëshmojnë jo vetëm për imazhin e shëmtuar që ofron vendi, por edhe për varfërinë e tejskajshme të këtyre njerëzve, të cilët duke hipur mbi trenin në lëvizje rrezikojnë së pari jetët e tyre. Pak ditë më parë një i ri humbi jetën, pasi gjatë kohës që po rrëmbente skrap mbi vagon, preku në një linjë të tensionit të lartë. Ngarkesa e trenit të vjedhur i përket shoqërisë "Kurum". Kjo e fundit kërkon nga Drejtoria e hekurudhave dhe policia e shtetit garantimin e ngarkesës, në të kundërt do të përdorë një tren privat. Sipas burimeve fenomeni i vjedhjes së skrapit me qëllim shitjen në tregun e zi, zgjat prej të paktën pesë vjetësh, ndaj "Kurum" kërkon që të vendosë në qarkullim një tren enkas, të porositur nga shoqëria turke, i cili veçse të jetë më i shpejtë, të jetë edhe i mbuluar në mënyrë që askush të mos guxojë të vjedhë pronën private. Për këtë shoqëria turke kërkon që të "marrë me qira" për 60-70 minuta në ditë linjën hekurudhore Durrës-Elbasan, në një orar kur nuk ka trafik trenash, në mënyrë që pamje të tilla kaq të shëmtuara për imazhin e vendit dhe kaq negative për investitorët strategjikë të mos përsëriten më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›