FMN zyrtarizon kërkesën: Jo rritje pagash e pensionesh
Fondi Monetar, ka zyrtarizuar kërkesën e tij për Qeverinë shqiptare, që pagat dhe pensionet të mos rriten sipas premtimeve. Në faqen zyrtare, (e cila shërben për të njoftuar të gjithë bankat ndërkombëtare, apo institucionet e tjera financiare të cilave Qeveria i është drejtuar për të financuar eurobondin 300 milionë euro), fondi ka publikuar 15 rekomandimet gjetjet në financat shqiptare dhe rekomandimet për futjen e ekonomisë në rrugën e “shpëtimit”. FMN kërkon nga Ministria e Financave shkurtimin e buxhetit të vitit 2010. Në fakt kërkesa e fondit është për uljen e deficitit buxhetor, por duke qenë se parashikimet e të ardhurave janë negative, atëherë fondi ka kërkuar uljen e shpenzimeve. Një ndër pikat më të forta të uljes së shpenzimeve është ulja e parave që do shkojnë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Qeveria ka premtuar disa herë, me anë të deklaratave të Kryeministrit, se rritja e pagave dhe pensioneve do të vazhdojë sipas ritmit të viteve të shkuara. Pra mesatarisht 10 për qind pensionet dhe diku te 7 për qind pagat. Por FMN mendon ndryshe. “E rëndësishme është që shpenzimet korente të rishikohen me synim për të optimizuar shërbimin civil dhe për të mbajtur pagat dhe pensionet nën kontroll. Këtë situatë mund ta ndihmonte indeksimi i këtyre të fundit vetëm me inflacionin.” Në fakt në rritjen e pensioneve dhe pagave që bën Qeveria në qershor, përfshihet edhe inflacioni. Sipas FMN, duhet hequr shtesa, pra pagat dhe pensionet të rriten sa inflacioni, që mendohet të jetë deri në qershor në nivelin 3.5 për qind. Sidoqoftë, kjo është pjesa “populiste” e deklaratës paraprake të FMN. Pjesa që prek direkt ekonominë është ulja e shpenzimeve. Qeveria ka parashikuar të shkurtojë me 300 milionë USD buxhetin e shtetit që do aplikohet gjatë këtij viti. Tenderët publikë që botohen nga agjencia e prokurimit, gjatë këtyre tre muajve të parë e kanë treguar një lloj kursimi. Ka më shumë se tre muaj që Qeveria nuk tenderon asnjë vepër të madhe publike, rrugë, ujësjellës, shkollë apo spital, por vetëm blerje karburanti, kontrata për roje private dhe letër apo toner printerësh për institucionet. Por sipas FMN edhe ky shkurtim nuk mjafton për ta ulur deficitin në 3 për qind të GDP. “Megjithë shkurtimet domethënëse në buxhetin e 2010 të propozuara në Kuadrin e Ri Makroekonomik Afatmesëm të Qeverisë (rreth 30 miliardë Lekë ose 2.5 për qind e GDP-së) prirjet aktuale të të ardhurave nënkuptojnë një deficit prej 5.6% të GDP-së. Rishikimi i buxhetit në muajt e ardhshëm duhet të synojë të ulë deficitin në rreth 3 për qind të GDP-së.” Pra, FMN kërkon një ulje tjetër prej më shumë se 600 milionë USD.