Opozita, protestë në 20 prill në Tiranë
Aristir Lumezi
Opozita do të zhvillojë një protestë të madhe para Kryeministrisë në muajin prill. Vendimi është marrë nga tryeza e aleatëve të majtë dhe të djathtë të PS-së, të mbledhur dje pasdite nga kryetari socialist Rama. Ndërkaq grupi parlamentar socialist nuk arriti dje paradite të marrë një vendim për bojkotin e Parlamentit, pas dështimit sipas tyre të propozimeve për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Do të jetë Asambleja Kombëtare, që do të mblidhet të enjten,që do të vendosë për bojkotin dhe datën e protestës në Tiranë. Në mbledhje e djeshme të tryezës opozitare ishin të pranishëm kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi, ai i partisë “Ligj e Drejtësi” Spartak Ngjela, kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule, ai i G99 Erion Veliaj, kreu i PDK-së Nard Ndoka si dhe Ndre Legisi e Preç Zogaj. Ka munguar në këtë takim kreu i PDS-së Paskal Milo, i cili mësohet të jetë qenë jashtë shtetit me punë. Menjëherë pas përfundimit të takimit, kreu i “G99” bëri të ditur vendimin e opozitë për të vazhduar rrugën e protestave në pamundësi të gjetjes së një konsensusi me Qeverinë për transparencën e zgjedhjeve. “Ajo që ndodhi të premten nuk ishte zgjidhje. Në pamundësi të një zgjidhje tjetër do takohemi me Berishën, ditën e rrëzimit të tij”, theksoi Veliaj.
Grupi
Dje paradite Rama mblodhi deputetët socialistë në një përpjekje për të rivlerësuar atë që ndodhi në seancën parlamentare të ditës së premte. Mbledhja nuk mori asnjë vendim për qëndrimin ose jo në seancat e ardhshme parlamentare, vendim që pritet të merret në mbledhjen e ardhshme të grupit socialist. Vendimi për rinisjen e protestave pritet të ligjërohet nga Asambleja Kombëtare që do të mblidhet në muajin prill. Pas mbledhjes, deputetja Vasilika Hysi tha se maxhoranca nëpërmjet miratimit të komisionit hetimor në mënyrë të njëanshme hodhi në kosh shansin që i dha opozita për të zgjidhur krizën politike, bazuar në Kushtetutën e vendit po edhe në sugjerimet e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. “Grupi Parlamentar Socialist i bën apel pikërisht miqve e partnerëve ndërkombëtarë për të marrë në konsideratë faktin shumë shqetësues se zgjidhja që u dha prej pushtetit të premten në darkë, jo vetëm që s’e zgjidh, por e thellon krizën,si dhe bie ndesh me përpjekjen e tyre për një zgjidhje kompromisi, bazuar mbi Kushtetutën dhe transparencën”, tha Hysi. Deklarata e përbashkët e grupit parlamentar socialist mbyllet duke shprehur vendimin se opozita nuk do të bëjë asnjë hap prapa, por do “të mbrojë kauzën e popullit opozitar për transparencë, duke qenë bashkë me popullin në përpjekjen për lirinë e votës dhe të drejtën e transparencës.”
Spartak Ngjela
“Populli duhet të marrë situatën në dorë. Kjo Qeveri është një juntë në pushtet. Komisioni parlamentar hetimor ishte një turp. PS beri të gjitha përpjekjet e mundshme për arritjen e një kompromisi, tashmë fjala i kalon protestave. Brenda prillit kemi vendosur të caktohet një datë e përshtatshme, mundësisht gjatë javës së fundit të këtij muaji, ku t’i bëhet thirrje shqiptarëve të vijnë në Tiranë, për t’i dhënë fund qeverisjes së një Qeverie të paligjshme kundër frymës së popullit”, u shpreh Ngjela.
Skënder Gjinushi
“Opozita i konsumoi mjetet demokratike, pra debatin parlamentar dhe aty u treguar që ky Parlament është i uzurpuar dhe në shumicë nuk respekton Kushtetutën, as rregulloren e Kuvendit, por është momenti që pas kësaj seance të turpshme, antiligjore, edhe komuniteti ndërkombëtar të mbajë një pozicion të qartë për atë që po ndodh në Shqipëri, për të kuptuar se kriza është reale, që jemi në krizë politike, që ka të bëjë jo vetëm me manipulimin, por që në Shqipëri nuk mund të garantohen zgjedhje të lira”, tha Gjinushi.