E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan: Keqardhje që kriza s’është zgjidhur



Kreu i delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan shpreh keqardhjen që maxhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur ende konsensusin për daljen nga kriza politike. Në prag të përgatitjes së raportit për heqjen e vizave nga ekspertët e Komisionit Evropian, një përfaqësi e Parlamentit Evropian ka nisur dje një vizitë në Tiranë. Në përbërje të këtij delegacioni janë deputetët evropianë Jelko Kacin, Simon Busuttil nga Malta, deputetja Marije Cornalissen nga Hollanda, si dhe raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave Tanja Fajon. Në takimin me kreun e PS-së, Edi Rama, Kukan u shpreh se “pas hyrjes së opozitës në Parlament, shpresa për gjetjen e një zgjidhje u shtua, ndërkohë që sot me keqardhje vëmë re se zgjidhja e shumëpritur ende nuk është gjetur”. Nga ana e tij kryesocialisti shprehu keqardhjen për sjelljen e maxhorancës në seancës plenare të javës së fundit, ku sipas tij “kërkesës së opozitës për transparencë dhe hetim të plotë e të detajuar të zgjedhjeve, pushteti iu përgjigj me forcën e kartonëve, duke tjetërsuar dhe shndërruar nismën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, në një farsë që nuk mund të sigurojë as transparencë të zgjedhjeve të fundit dhe as garanci për standardet e zgjedhjeve të ardhshme”. Përfaqësuesit e PE-së u takuan dhe me drejtuesit e Policisë së Shtetit. Në takim u prezantua sistemi MEMEX, i cili shërben për përpunimin e informacionit kriminal. Gjithashtu Kukan dhe eurodeputetët u njohën me shifrat zyrtare të goditjes së kriminalitetit në vend. Gjatë ditës së sotme, ata do të kenë takime me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, zv. Kryeministrin Ilir Meta, kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli dhe ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›