Hidhet nga kati i 12, vdes 19-vjeçarja
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Qyteti i Elbasanit u trondit dje nga vetëvrasja e një 19-vjeçareje. Alma Karaj, banore e fshatit Bradashesh zgjodhi ndërtesën më të lartë e pikun e ditës për t'i dhënë fund jetës. Ajo po pinte një kafe me të fejuarin dhe një të njohurin e çiftit, në një prej lokaleve më të frekuentuar të qytetit. Në një moment pasi u ka falur një buzëqeshje të fundit, u ka thënë se po shkonte në tualet. Në të vërtetë, destinacioni i saj ishte parvazi i katit të 12-të të pallatit, prej të cilit u vetëhodh. Vdekja ishte e pashmangshme. Dëshmitarë të shumtë janë tronditur nga vetëvrasja në mes të ditës e vajzës së re. Ngjarja u shënua rreth orës 13:20, në afërsi të zonës së quajtur "Kinemaja 11 Nëntori". Bazuar dhe tek dëshmia e të fejuarit të vajzës, 24-vjeçarit Hekuran Hasa dhe të afërmit të tij, Alma ishte çuar pak minuta para vetëvrasjes nga tavolina, me pretekstin se do të shkonte në banjë. Hasa kujton se gruaja e tij, pasi ata kishin bërë dhe celebrimin, u ka buzëqeshur para se të largohej nga tavolina. Asnjë prej tyre nuk ka dyshuar për veprimin që do të kryhej vetëm pak sekonda më vonë. E reja ka zbritur shkallët e lokalit që ndodhej në tarracën e pallatit, për t'u ndalur në katin e 12-të. Por vajza nuk është kthyer më. Kanë qenë disa klientë që kanë ulëritur dhe që kanë qenë dëshmitarë të hedhjes së vajzës, të cilët të tmerruar kanë kërkuar ndihmën e personave të tjerë që ndodheshin aty pranë. I fejuari i saj e ka mësuar i fundit se çfarë kishte ngjarë. Ndërkohë brenda pak minutash në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar vendin ku ra viktima dhe menjëherë kanë nisur të kryejnë hetimet e para në lidhje me ngjarjen e rëndë. Në pyetje janë marrë kamerierët e lokalit si dhe dy klientë, të cilët kanë parë veprimin final të vajzës, pa mundur që ta ndalojnë atë. Ndërsa i fejuari i saj dhe kushëriri janë shoqëruar për në komisariat, me qëllim marrjen e dëshmisë nga ana e oficerëve. Siç mësohet nga burime të policisë, Hekurani, i cili banonte në fshatin Gracen, ka treguar se prej një viti ishte i fejuar me Alma Karajin. "Nuk kemi pasur asnjë mosmarrëveshje", mësohet të ketë thënë i fejuari i vajzës, me të cilën ishte celebruar zyrtarisht. "Ishim duke pirë kafe si zakonisht dhe nuk e prisja atë që ndodhi", ka pohuar 24-vjeçari për të fejuarën, e cila i dha fund jetës duke u hedhur nga një lartësi prej rreth 35 metrash. Hekuran Hasa kishte jetuar në Greqi për shumë kohë dhe prej 6 muajsh ishte rikthyer në fshatin e tij, duke u lidhur dhe në martesë me vajzën nga Bradasheshi. Policia bën të ditur se ende nuk ka ndonjë motiv se çfarë e shtyu vajzën të kryejë këtë veprim që i solli dhe vdekjen e menjëhershme.