E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkiva britanike, Balli akuzon britanikët për mbështetjen e Hoxhës



Vijon nga numri i kaluar

Kjo tragjedi e tmerrshme që sapo përshkruam, vazhdon prej nëntë muajsh në Shqipëri. Misioni Ushtarak i Aleatëve, jo vetëm që s'kishte bërë asgjë për të ndaluar këtë katastrofë kombëtare, por disa prej anëtarëve të Misionit mund të konsiderohen përgjegjës për këtë katastrofë për shkaqet e mëposhtme:

a) Oficerët e parë të Aleatëve mbërritën në Shqipëri në prag të pranverës vitin e kaluar. Ata iu rekomanduan grupeve komuniste shqiptare nga partizanët grekë dhe u mbajtën nën një mbikëqyrje të rreptë dhe për këtë arsye ata ndoshta nuk kanë mundur të hyjnë në kontakt me popullin e aq më shumë me grupet nacionaliste shqiptare që luftonin kundër fashizmit. Të gjitha kërkimet tona për ta ishin të kota, pasi nuk mund të gjendeshin. Duke parë se ata gjithmonë ishin të shoqëruar nga grupet komuniste, ne filluam të hedhim dyshime lidhur me kombësinë e tyre. Publiku shqiptar besonte se ata ishin agjentë të maskuar të Internacionales së Tretë. Ishte në interesin e partizanëve shqiptarë për t'i mbajtur këta oficerë të Aleatëve larg lëvizjes kombëtare në mënyrë që të bindnin opinionin publik, që në përgjithësi, nuk ishte dashamirës ndaj komunizmit, që lëvizja komuniste ishte e vetmja që gëzonte simpatinë dhe mbështetjen e fuqive të mëdha demokratike anglo-saksone. Mbërritja e Misionit të Aleatëve me qëndrimin e tyre të njëanshëm në favor të bolshevikëve ndikoi në shtrirjen e pushtetit të tyre në vend.

b) Madje, edhe kur, pas kërkimeve të gjata, grupet e nacionalistëve shqiptarë hynë në kontakt me përfaqësuesin e Misionit të Aleatëve, ky i fundit, i ndikuar edhe nga intrigat dhe propaganda degraduese që iu servir nga komunistët, shfaqi në përgjithësi një qëndrim shumë të rezervuar ndaj nacionalistëve. Një pjesë e këtyre oficerëve nuk hezituan që në mënyrë të hapur të shfaqnin qëndrimin e tyre ndaj nacionalizmit shqiptar. Ne nuk e dimë nëse këta oficerë vepruan në përputhje me urdhrat e eprorëve të tyre apo në përputhje me simpatitë personale ideologjike. Sidoqoftë, ne druhemi se këta oficerë këtë herë, për fatin tonë shumë të keq, nuk zotëronin mendjemprehtësinë e duhur për të vlerësuar pak a shumë drejtë situatën politiko-sociale të një populli pas një qëndrimi të shkurtër në një vend. Përndryshe, është e pamundur të shpjegohet se përse ata duhej që në fillim të armatosnin dhe pajisnin komunistët në një kohë kur forcat nacionaliste, edhe pse jo superiore, ishin të paktën të barabarta me forcat marksiste dhe në të njëjtën kohë të gatshme për të bashkëpunuar me Misionin e Aleatëve në luftën kundër sundimit fashist. Kjo mbështetje materiale dhe morale e Misionit Aleat për bolshevikët prishi ekuilibrin e forcave në dëm të nacionalistëve shqiptarë. Të inkurajuar nga këto favore, këta vartës të Internacionales së Tretë nuk hezituan të hidheshin me armatimin e Aleatëve kundër patriotëve shqiptarë me qëllim vendosjen e bolshevizmit në vendin tonë duke e mbytur në një luftë të përgjakshme.

c) Disa nga këta oficerë aleatë, jo vetëm furnizuan në mënyrë ekskluzive të kuqtë me armatimet e Aleatëve, por njëkohësisht bënë gjithçka ishte e mundur për të penguar çarmatimin e trupave italiane nga nacionalistët shqiptarë pas kapitullimit të Italisë duke bërë të mundur kështu që armatimet e italianëve të binin në duart e të kuqve. Kështu ndodhi në Këlcyrë kur një regjiment italian, i rrethuar nga nacionalistët, ishte në prag të dorëzimit dhe çarmatosjes, por ndërkohë një oficer i Misionit të Aleatëve mbërriti me një grup partizanësh dhe i kërkoi komandantit të trupave nacionaliste që pajisjet e italianëve t'u jepeshin komunistëve. Në Gjirokastër, gjenerali që komandonte divizionin italian, por një oficer i Aleatëve ndërhyri dhe e ndaloi një gjë të tillë. Gjatë betejës që pasoi këtë ngjarje, komandanti i trupave nacionaliste ra së bashku me disa anëtarë të tjerë të grupit.

Fundi

Duke qenë një nga viktimat e para të agresionit të imperializmit fashist, populli shqiptar është i gatshëm të bëjë sakrificën sublime për vendosjen e një rendi të ri të drejtësisë ndërkombëtare dhe mbrojtjen e kauzës së Aleatëve. Megjithatë, kjo sakrificë e kërkuar nga interesi i përgjithshëm duhet të jetë në përpjesëtim me forcën e këtij populli dhe dobinë që kjo sakrificë do të kishte. Është e padrejtë të pretendosh që kombi më i vogël i Europës, siç ka kërkuar deri tani Misioni i Aleatëve, të hapë dhe mbajë një front kundër ushtrisë gjermane kur madje edhe miliona bajoneta të anglo-saksonëve nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri tani.

Lufta kundër fashistëve dhe pushtuesve gjermanë dhe lufta civile i kanë kushtuar popullit shqiptar më shumë se 15 mijë të vrarë, pa numëruar të plagosurit apo viktimat e urisë dhe vuajtjeve, dhe gjysmën e vendit të rrënuar plotësisht. Humbjet e pësuara nga armiku kanë qenë të pallogaritshme në krahasim me sakrificat tona. Oficerët aleatë shpesh kanë këmbëngulur që rajone të tëra të ekspozohen ndaj rrezikut të djegies dhe shkretimit të plotë vetëm për të shtënë disa herë me armë kundër një autokolone gjermane.
Misioni Ushtarak i Aleatëve zotëron provat dhe faktet se si armët, me të cilat furnizuan komunistët, shkaktuan gjakderdhje të panevojshme mes shqiptarëve. Lufta Civile ka qenë në favor të pushtuesit. Këtë pushtuesi e di plotësisht dhe kjo është arsyeja përse ai nuk orvatet të shkatërrojë lëvizjen terroriste kur një gjë të tillë mund ta bëjë shumë lehtë.

Fund

Materiali është marrë nga Arkiva Britanike. Eksponentë të lartë të Ballit Kombëtar kanë paraqitur versionin e tyre për shkaqet e humbjes së nacionalistëve, ardhjes së komunistëve në pushtet dhe rolit të misioneve të huaja gjatë Luftës së Dytë Botërore.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›