Minatorët protestë para kryeministrisë për uljen e moshës së pensionit
Emanuela Sako
Minatorët nga i gjithë vendi kanë protestuar para kryeministrisë për uljen e moshës së pensionit. Sipas paralajmërimeve të dy ditëve më parë, minatorët janë mbledhur para dyerve të selisë së kryeministrisë, ku kanë tentuar të hyjnë me forcë për t’u takuar me Kryeministrin Sali Berisha. Tentativa e tyre është ndaluar nga forcat e rendit të cilat u bënë gardh para dyerve te kryeministrisë. Në protestë kanë marrë pjesë rreth 150 minatorë, të ardhur nga të gjitha rrethet që protestuan për statusin, uljen moshës e së pensionit, përmirësimin e kushteve të punës. Pas insistimit të tyre për tu takuar me kryeministrin Berisha, ata janë pritur në takim nga Ministri i Shtetit, Genc Pollo, me të cilin kanë rënë dakord që prej ditës së sotme të ngrihet grupi teknik i punës për të gjetur zgjidhje rreth ankesave të minatorëve. Një ndër kërkesat më të forta të minatorëve është kërkesa për uljen e moshës së pensionit në 50 vjeç, duke u bazuar tek vështirësia e punës që ata kryejnë.
Drafti
Pak kohë më parë qeveri miratoi projektligjin që parashikonte uljen e moshës së pensionit për minatorët, nga 65 vjeç që ishte më parë, në 60 vjeç. Sipas këtij projekti të qeverisë, mosha e daljes në pension të minatorëve do të ulet me pesë vite, ku punonjësit e nëntokës do të mund të përfitojnë pensionin sapo të mbushin moshën 60 vjeçare, ndërkohë që deri më tani, këtyre të fundit iu njihej e drejta e përfitimit të tij, vetëm pasi të kishin mbushur 65 vjeç. Gjithashtu, në bazë të këtij projektligji, ulen me 5 vjet edhe vitet e punës për të përfituar pension. Kështu nga 35 vite që është aktualisht me ligj, për përfitimin e pensionit duhet të kesh 30 vite pune nga të cilat 15 në nëntokë. Efektet financiare nga zbatimi i këtij projektligji në buxhet llogariten 25 milionë lekë në muaj, ose 300 milionë lekë në vit. Prej muajsh minatorë nga i gjithë vendi kanë kërkuar uljen e moshës së daljes në pension, dhënien e statusit të minatorit dhe përmirësimin e kushteve të punës nëpër galeri.
Ndërkohë minatorët vazhdojnë të protestojnë për uljen e moshës së pensionit në 50 vjeç.
Premtimi
Ulja e moshës së pensionit për minatorët ka qenë një premtim të cilin qeveria e ka bërë disa muaj më parë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Përveç uljes së moshës me 5 vjet për pensionin e minatorëve, qeveria në atë kohë premtoi edhe rritjen e pagës për këtë kategori punonjësish. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha ngarkoi ministritë përkatëse për të përgatitur vendimin për amendimin e ligjit për pensionet. Ky vendim do të ulë moshën e pensioneve për minatorët me 5 vjet dhe do të ketë fuqi prapavepruese, në mënyrë që të mbulojë të gjithë minatorët dhe ish-minatorët shqiptarë. Gjithashtu, në bazë të këtij vendimi, pensionet e minatorëve do të ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm për këtë kategori.
ISKSH gati projektligjin, siguracione edhe me subjektet private
ISKSH-ja po harton një projektligj për reformat që do të bëhen në spitale. Pjesë e këtij projektligji është se për herë të parë do të bëhen pjesë e kontraktimeve edhe subjektet private. Sipas propozimit të bërë, të gjitha subjektet private duhet të jenë të licencuara dhe të akredituara për të rritur cilësinë e shërbimeve nëpërmjet konkurrencës. “Për herë të parë, projektligji dhe projekt/statuti parashikojnë kontraktimin me shërbimin privat, duke futur elementin e konkurrencës, i cili padyshim do të sjellë një cilësi më të mirë shërbimi për pacientët. Do të krijohet regjistri i ri i dhënësve privatë të shërbimit, i cili do të përfshijë vetëm subjekte të licencuara dhe akredituara nga organet përkatëse për dhënien e shërbimit shëndetësor. Më tej, do të jetë Këshilli Administrativ i cili do të miratojë metodat dhe kriteret e kontraktimit për dhënësit e shërbimeve shëndetësore duke stimuluar aksesin e shërbimeve, efektivitetin e kostos së tyre dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj popullatës”,- u shpreh drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana. Prezantimi u bë gjatë një konference me ISKSH-në dhe projektin e GTZ-së, (Organizata Gjermane për Bashkëpunim Teknik. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është në një proces reformimi tërësor, ku përfshihet hartimi i një pakete të re ligjore, ku statuti i ISKSH-së është një element thelbësor në mirëfunksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Për herë të parë, pacientët do të përfshihen në vendimmarrje nëpërmjet përfaqësuesve të tyre.
Sipas projektligjit, financimi i shërbimeve shëndetësore do të bëhet përmes paketave të shërbimeve që do të përfshihen si: vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor publik dhe në spitalet publike.
Gripi i derrit, konfirmohen 3 raste të reja me virus
Konfirmohen edhe 3 raste të reja me virusin e gripit të derrit në vend. Aktualisht numri i të prekurve shkon në 56 persona të prekur. Autoritetet shëndetësore bëjnë apel se numri i të prekurve dhe të dyshuarve po shtohet me ritme të shpejta, çka konfirmon edhe njëherë masat që duhen marrë nga vetë qytetarët dhe nga vetë institucionet shëndetësore. Drejtuesit e ISHP-së shprehen se nuk ka vend për panik, por për më tepër kujdes në mënyrë që të shmangen rastet e shtimit të virusit dhe përhapjes së tij sidomos nëpër shkolla. Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero shprehet se situata është më alarmante nga gripi sezonal se sa nga gripi i derrit. Gripi sezonal ka shënuar një rritje të ndjeshme ditët e fundit, prandaj Pipero kërkon që qytetarët të marrin vaksinën kundër gripit të zakonshëm, në mënyrë që të shmanget edhe virusi i gripit të derrit. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja u ka bërë sërish apel qytetarëve që të vaksinohen ndaj gripit sezonal si një masë parandaluese ndaj gripit pandemik. “Është e provuar tashme se ky grip sezonal në persona të caktuar me sëmundje të caktuara shkakton komplikacione. Edhe në shkollat që janë bërë publike rastet sigurisht ka mungesa, ka raste por ato i atribuohen virozave të stinës. Për këtë arsye shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje gjithë popullatës të drejtohen tek mjeku i familjes, në farmaci dhe të marrë vaksinën e gripit të stinës”, - u shpreh Bejtja. Virusi A/H1N1 tashmë është bërë prezent edhe në shkollat 9-vjeçare në kryeqytet dhe në rrethe. Në hartën e shkollave të prekura nga virusi janë përfshirë dy shkolla, njëra në kryeqytet dhe tjetra në rrethin Mat, ku janë marrë mostra për 9 nxënës të dyshuar me virusin pandemik. Situata duket se është tepër alarmante, pasi përhapja e virusit ndodh për një kohë të shkurtër, për më tepër në ambiente publike si shkollat. Sipas drejtuesve të shëndetësisë rastet janë izoluar dhe po konfirmohen në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Ndërkohë që specialistët nuk përjashtojnë edhe marrjen e masave, si mbylljen e ndonjë klase në këto shkolla, për shkak të virusit A/H1N1.
13 Nentor 2009