E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i parave, vendosen rregulla të reja për noterët



Laureta Rryçi

Noterët do të zbatojnë rregulla të reja për raportimin mbi transaksionet që kryehen nëpërmjet akteve që lëshohen falë vulës që disponojnë. Tashmë ata nuk duhet të informojnë vetëm për rastet e dyshimta por edhe për çdo transaksion në para fizike mbi 1.5 milionë lekë dhe në para jo fizike mbi 6 milionë lekë. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka përcaktuar një formular i cili pritet të nisë aplikimin gjatë këtij vitit. Burime pranë kësaj drejtorie shpjegojnë se ky formularë do të jetë një ndihmë më e madhe për të zbuluar rastet e pastrimit të parave në vend. Formulari është i vlefshëm për të raportuar për të gjitha transaksionet e vlerave mbi 1.5 milionë lekë në para fizike. Mbi 6 milionë lekë në para jo fizike si dhe për rastet e dyshimta. Ky formular do të raportohet pranë Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në rrugë elektronike ose on-line apo me CD.
Formulari
Sipas specialistëve te pjesa e palëve të përfshira në transaksion duhet të jepet informacion për palën shitëse, huadhënëse, sipërmarrës dhe sipas rastit të jepen të dhëna kur është individi duhet të jepen të dhëna si gjeneralitetet, punësimi, profesioni, numri i dokumentit të identifikimit, lloji i dokumentit, datëlindja, vitlindja dhe adresa. Ndërsa kur bëhet fjalë për një transaksion që kryhet nga një person fizik apo shoqëri duhet të jepen të dhënat e emërtimit të shoqërisë, datës së regjistrimit, NIPT-i dhe adresa. Në pjesën e formularit ku kërkohet informacion mbi transaksionin jepen të dhëna për dokumentin noterial të hartuar në zyrën noteriale dhe duhet të plotësohen të gjitha rubrikat përkatëse të kësaj pjese. Kjo pjesë fillon me plotësimin e numrit të repertorit, numrin e koleksionit, datën e regjistrimit në regjistrimin që mban noteri. Te lloji i kontratës përshkruhet lloji i veprimit noterial si psh. kontratë shitblerje, huadhënie etj. Sakaq duhet të jepet informacion mbi shumën e transaksionit, monedhën që është përdorur dhe mënyrën e pagesës. Specialistët e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave e cilësojnë si shumë të rëndësishme informacionin mbi burimin e deklaruar për fondin. Sipas tyre noteri duhet t’i kërkojë palës blerëse, huadhënës etj të bëjë një vetdeklarim, se nga e ka burimin e të ardhurave dhe çfarë të deklarojë klienti duhet ta plotësojë noteri në këtë formular raportimi. Për të gjitha rastet e dyshimta, noterët duhet të japin informacion shtesë ku duhet të shpjegohet çdo detaj për arsyen e dyshimit. Në këtë pjesë të formularit mund të jepen shpjegime edhe për rastet kur vlerat e përshkruara në kontratë nuk i përkasin realitetit, por janë të detyruara për zbatimin e bazës ligjore për vendosjen e çmimit minimal fiskal.
Inspektimi
Drejtoria e inspektimit e NIF-it, ushtron funksionet mbikëqyrëse dhe parandaluese për të mos lejuar përdorimin e kanaleve bankare dhe institucioneve te tjera financiare për qarkullimin e te ardhurave qe burojnë nga veprimtari kriminale për të mundësuar pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit nëpërmjet ushtrimit te kontrolleve ne subjektet e ligjit, ngrirjen e aseteve, llogarive bankare dhe marrjen e masave administrative. Gjithashtu, kjo Drejtori është përgjegjëse për koordinimin e shkëmbimit te inteligjencës financiare me njësitë homologe ne bote
Kur hetohet
Njësia e Inteligjencës Financiare, si Agjenci Qendrore Kombëtare, kërkon, analizon dhe i shpërndan autoriteteve kompetente, zbulimin ose ekspozenë e informacionit financiar lidhur me: të ardhurat që dyshohen se kanë origjinë kriminale; kërkesat e bëra nga entet rregullatorë dhe licencuese kur ka rrethana të pazakonta dhe të pajustifikuara mbi të cilat një entitet i ri formohet apo kryen veprimtarinë operacionale. Institucionet financiare kane detyrimin ligjor për të identifikuar klientin, regjistruar e ruajtur të dhënat, për të raportuar transaksionet e dyshimta (RAD) dhe ato mbi kufirin e vlerës 20 milion lekë (RTV). Këto institucione kane ngritur strukturat e tyre me persona përgjegjës në këtë drejtim dhe kanë krijuar qendrën e të dhënave.

BOx

Pastrimi i parave
Pastrimi i parave është relativisht një krim i ri në Shqipëri si dhe në shumë vende të tjera të botës. Dhe është gjetur shpesh si indikacion i aktiviteteve kriminale. Pothuaj te gjitha tipet e krimeve qofshin trafiqe, mitmarrje, mashtrime ne prokurime, vjedhje të mëdha ose evazion fiskal përfshijnë disa lloj skemash te pastrimit te parave. Kriminelët kërkojnë të fshehin fitimet e tyre që burojnë nga aktivitete jo të ligjshme dhe punë jo të pastra duke manipuluar transaksionet financiare vendase dhe ndërkombëtare. Megjithatë në vendin tonë që nga viti 2001 është ngritur strukturë e posaçme, Njësia e Inteligjencës Financiare (NIF), që merret pikërisht me zbulimin e të gjithë shoqërive apo personave që merren me pastrimin e parave. Gjatë këtyre viteve ka funksionuar në varësi të disa procedurave të përcaktuara në ligj. Por ata që nuk kanë ndryshuar, janë institucionet që monitorohen si dhe kërkohet informacion i detajuar për të zbuluar kështu se kush merret me pastrim parash. Më pas NIF e shpërndan informacionin tek një numër i caktuar agjencish të zbatimit të ligjit. Disa prej tyre i dërgohen policisë për hetime të mëtejshme dhe të tjera i dërgohen Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për ndjekje kriminale. Gjatë vitit 2005, janë parashtruar dhjetë raste për hetim dhe katër raste për penalizim të njërit lloj apo tjetrit.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›