E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët, Qeveria deklaron se nuk ka lekë për pensionet suplementare



Jonida Tashi

Për herë të parë qeveria ka deklaruar hapur se nuk ka lekë për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve dhe se përfitimet e tyre do të ulen sipas ligjit të ri. Vështirësia ekonomike e qeverisë, ka qenë edhe arsyeja pse ajo hartoi dhe miratoi Ligjin e radhës për trajtimin e tyre financiar, që është ai Nr.10142, i cili tashmë është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancën e djeshme të kësaj Gjykate, për shqyrtimin e Ligjit Nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, përfaqësuesit e kategorive të mësipërme kanë marrë vesh të vërtetën e madhe të kësaj çështje.
Përfaqësuesit
Ka qenë vetë përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, në seancën e djeshme, Marsida Xhaferllari, e cila ka pohuar para trupit gjykues të Gjykatës Kushtetuese, se projektligji i hartuar nga qeveria për trajtimin financiar të ish-ushtarakëve është bërë duke marrë parasysh edhe gjendjen reale të buxhetit të shtetit. Në fjalën e saj në mbrojtje të ligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, Xhaferllari ka deklaruar se pensionet suplementare varen nga buxheti i shtetit. Madje jo vetëm kaq, por më tej në fjalën e saj, Xhaferllari nuk ka përjashtuar as mundësinë e ndryshimeve të mëtejshme të skemës së pensioneve suplementare. “Skema e pensioneve suplementare është objekt i ndryshimeve të tjera, që do të thotë se në varësi po të buxheti të shtetit ajo mund të ndryshohet sërish. Me ligjin e ri qeveria ka pasur parasysh shtimin e kategorive përfituese dhe duke u zgjeruar rrethi, ulet masa e përfitimit. Në këtë situatë, të drejtat e fituara më parë, mund të kufizohen”,- ka pohuar përfaqësuesja e qeverisë në seancën e djeshme. Duke ndjekur linjën e mësipërme të argumentimit dhe përcaktimet e qeverisë për këtë kategori punonjësish, Xhaferllari i ka kërkuar trupit gjykues që të rrëzojë kërkesat e palëve. Të njëjtin qëndrim me përfaqësuesen e Këshillit të Ministrave kanë mbajtur dje përpara anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese edhe përfaqësuesit e Kuvendit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Mbrojtjes, dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Përfaqësuesit e institucioneve të mësipërme, në fjalën e tyre përpara trupit gjykues janë “dirigjuar” më së shumti nga Xhaferllari, e cila duke “përfituar” nga mospërgatitja e duhur e tyre dhe nëpërmjet ndërhyrjeve të herëpashershme ka dashur t’i sqarojë nëntë anëtarëve të seancës se pikat mbi “i” për këtë çështje i vendos vetëm qeveria, e cila ka bërë edhe miratimin e ligjit të shumëdebatuar nga grupet e interesit. Duke marrë shkas nga situata e krijuar midis përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme të qeverisë, anëtarëve të trupit gjykues u është dashur që t’i ripyesin ata disa herë për një qëndrim të caktuar, për t’u qartësuar se cilin prej tyre duhet të merrnin për të mirëqenë.
Seanca
Seanca e djeshme në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e Ligjit Nr.10142 nisi në orën 10.00 të paradites dhe përfundoi në orën 14:30. Në seancën që zgjati plot 4 orë e 30 minuta edhe vetë anëtarët e turpit gjykues e kanë pasur tepër të vështirë të gjenin një ekuilibër midis palëve kërkuese për shfuqizimin e ligjit dhe subjekteve të interesuara për zbatimin e tij. Kjo seancë është drejtuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, i cili ka bërë edhe hapjen e saj, duke i dhënë më pas fjalën palëve kërkuese për shfuqizimin e ligjit, që janë: Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve; Avokati i Popullit; Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit; Shoqata dhe Organizata e Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim; Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”. Kështu, nga pala kërkuese fjalën i pari për paraqitjen e argumenteve kundërshtuese të ligjit e ka marrë avokati i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit njëkohësisht edhe i Shoqatës dhe Organizatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim, Thimio Kondi. Duke pasur disa pika të përbashkëta kundërshtuese të ligjit me përfaqësuesin e ushtarakëve, Anastas Duro, dy avokatët kanë gjetur gjuhën e përbashkët që përfaqësuesi i punonjësve të policisë të flas edhe për ish-ushtarakët. Mohimi i të drejtave të fituara nga ligjet e mëparshme si dhe procedura antikushtetuese që është ndjekur për miratimin e ligjit kanë qenë dy pikat më të forta që Kondi ka mëshuar para trupit gjykues. Sipas tij, procedura e ndjekur nga qeveria për miratimin e ligjit është antikushtetuese, ndërsa pas nuk ngelet as Kuvendi i Shqipërisë, i cili ka bërë kalimin e tij, duke mos respektuar afatet e përcaktuara në rregulloren e këtij institucioni. Por lidhur me këtë konstatim ka reaguar mjaft ashpër përfaqësuesja e Kuvendit në seancë, e cila ja ka hedhur fajin Presidentit të vendit, Bamir Topi, që e dekretoi ligjin pa pasur kundërshtime.
Palët
Pas Kondit, fjalën për të paraqitur argumentet kundërshtuese të ligjit e ka marrë përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, i cili ka pohuar para Gjykatës Kushtetuese se shkel parimin e sigurisë juridike dhe atë të barazisë para ligjit, të mbrojtura nga dispozitat kushtetuese. Në fund të fjalëve të mbajtura nga palët kërkuese, trupi gjykues i kësaj çështje ka kërkuar që të shprehet veçmas edhe avokati i ish-ushtarakëve, Anastas Duro. Ish-ministri i Punës ka argumentuar para Gjykatës Kushtetuese të gjitha nenet e ligjit të ri, të drejtat e ushtarakëve që shkelin, duke i krahasuar me nenet e ligjit të mëparshëm. Duro ka deklaruar se ligji, objekt shqyrtimi, ka sjellë zvogëlim dhe pakësim të përfitimeve si pensionet për suplementare ashtu edhe për rrogat e ndërmjetme të ushtarakëve. Sipas tij, këto përfitime bazuar në Kushtetutën e vendit nuk mund të “dhunohen”, cenohen apo zvogëlohen, pasi janë përfituar njëherë nga ligjet e mëparshme. Por të gjitha argumentet e paraqitura nga palët kërkuese janë kundërshtuar nga përfaqësuesit e qeverisë, të cilët edhe pse kanë pranuar se ka zvogëlim të përfitimeve të kategorive të ushtarakëve dhe policëve të prekur nga ligji, nga ana tjetër kanë deklaruar se ky është një fakt që justifikohet me interesin më të lartë publik, që është reformimi i ushtrisë nga anëtarësimi në NATO. Sipas përfaqësueses së Kuvendit, këto të drejta janë prekur, pasi qeveria ka preferuar zvogëlimin e përfitimeve në favor të zgjerimit të subjekteve të tjera përfituese. Ndërsa përfaqësuesi i Sigurimeve Shoqërore, nëndrejtori i ISSH-së, Ali Emini, ka argumentuar se skema e re e pensioneve, e vendosur nga ligji që po ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, synon të vendosë një pagë mesatare, e cila do të ndihmojë në kategorizimin e përfitimeve bazë. Pas fjalës së Eminit, i cili ka qenë përfaqësuesi i fundit që ka folur para Gjykatës Kushtetuese, nëntë anëtarët e kësaj të fundit, i kanë kërkuar si palëve kërkuese ashtu edhe subjekteve të interesuara që të depozitonin edhe argumentet e tjera shtesë pro ose kundër ligjit, në mënyrë që gjykata të marrë vendimin e duhur. Pas marrjes së këtyre argumenteve dhe shqyrtimit të tyre në çdo detaj, Kushtetuesja do të dalë me vendimin përfundimtar për Ligjin Nr.10142, për të cilin deri tani nuk është përcaktuar asnjë afat kohor.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›