E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i ri i energjisë, vendimi mbetet në dorë të ERE-s



Ervin KOÇI

Ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë në vitin që vjen, ende nuk është përcaktuar. Kjo kompetencë ka mbetur aktualisht në dorë të Entit Rregullator të Energjisë, i cili me gjithë kërkesën e bërë nga OSSH-ja, akoma nuk ka vendosur për rritjen. Këtë fakt e ka konfirmuar dje edhe Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili deklaroi gjatë një konference për shtyp se, “çmimin e energjisë e vendos ERE dhe nëse do të ketë rritje kjo do të vendoset nga ky Ent si një institucion i pavarur”. Më tej ministri siguroi se qeveria ka parashikuar fonde për të kompensuar rritjen e çmimit për shtresat në nevojë në Shqipëri. Ai shtoi më tej se “privatizimi i OSSH-së ka qenë sukses dhe se kompania ka investuar më shumë se 60 milionë euro muajt e fundit”. Kreu i Energjetikës ka bërë të ditur gjithashtu se pas privatizimit të OSSH-së, qeveria nuk do të subvencionojë më asnjë operator në sektorin energjetik. Kjo do të thotë se KESH-i dhe OST-ja nuk do të përfitojnë më fonde nga buxheti i shtetit.

Replikat

Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, ka reaguar dje pas zhvillimit të tryezës së Partisë Socialiste për energjinë. Ai e ka cilësuar privatizimin e OSSH-së si më të suksesshmin pasi kompania çeke “CEZ” që e ka blerë, është me emër në botë. “Nga qershori kompania ‘CEZ’ ka marrë drejtimin e Korporatës dhe vetëm në pak muaj humbjet janë ulur me 3 për qind. Arkëtimet kanë një stabilizim të ndjeshëm. Mbi 60 milionë euro kanë filluar të investohen në projekte të ndryshme në gjithë Shqipërinë, në një kohë kur kompania parashikon që të paktën pas 3 vjetësh të ketë fitimin e parë”- theksoi Prifti. Për sa i përket rritjes së çmimit të energjisë të kërkuar nga OSSH-ja, ministri Prifti deklaroi se “e informoj zotin Rama që çmimi i energjisë elektrike vendoset vetëm nga Enti Rregullator i Energjisë, që është një institucion krejtësisht i pavarur. Qeveria ka vendosur që nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike ka parashikuar për buxhetin e vitit 2010, 2 miliard lekë për të kompensuar shtresat në nevojë për këtë rritje”.

Çmimi

Çmimi i rritur i energjisë elektrike do të aplikohet që prej datës 1 janar të vitit që vjen. Kjo çështje ka përplasur ERE-n me kompaninë “CEZ”, që është edhe pronari i ri i Operatorit të Shpërndarjes. Humbjet në rrjet janë pjesë përbërëse e çmimit të energjisë elektrike, çka do të thotë se, sa më të larta të jenë ato, aq më shumë duhet të rriten tarifat. ERE nuk e ka bërë publike kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga çekët e OSSH-së. Kërkesa për rritje të çmimit të energjisë elektrike vjen në një kohë që humbjet për pjesën e parë të vitit kapin 32 për qind të energjisë. Humbjet jo vetëm që nuk janë ulur, por kanë pësuar një kapërcim të të gjithë parashikimeve, të cilat ishin përcaktuar në kontratën koncesionare. Por rritja e çmimeve pritet që të realizohet, duke ulur brezin e “çmimeve të ulëta” nga 300 kilovat, në 210 kilovat. Referuar tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që konsumojnë deri 300 kilovat/orë në muaj, e paguajnë energjinë elektrike me 7 lekë për kilovat, pa TVSH-në, ndërsa familjet mbi këtë nivel konsumi e paguajnë energjinë 71 për qind më shtrenjtë, ose 12 lekë për kilovat/orë. Qeveria Shqiptare ka depozituar pranë Bankës Botërore një shumë prej 60 milionë eurosh, si garanci për respektimin e kontratës me “CEZ”-in. Në rast se vendimi i ERE-së dëmton OSSH-në, duke mos marrë në konsideratë pikat e marrëveshjes, atëherë garancia që është te Banka Botërore kalon direkt në favor të kompanisë “CEZ”.

Rama: “Rritja e çmimit të energjisë çdo vit, kosto për shqiptarët”

Në tryezën e thirrur, me ekspertë të sektorit të energjisë por ku ka munguar drejtori i përgjithshëm i ERE-s, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë elektrike shton ndjeshëm koston e jetesës për familjet shqiptare. “Kur do të përfundojë faturimi aforfe, kur do të instalohen të gjithë matësit e energjisë elektrike, kur do të largohet nga jeta e qytetarit shqiptar faturuesi i fundit abuziv? Kur do të mbarojnë humbjet joteknike në sistemin energjetik shqiptar? Banka e Shqipërisë raporton se në 8 muajt e parë të vitit humbjet janë më të larta se një vit më parë. Kur do të rriten kapacitetet transmetuese të importimit të energjisë elektrike. Këto kapacitete mbahen të kufizuara, gjë që ka sjellë që importimi të vazhdojë të mbahet në disa duar të caktuara që sot janë duart brenda dhe jashtë shtëpisë së Sali Berishës”, -theksoi Rama. Për deputetët e PS-së, mes të cilëve ekspertë të fushës së energjisë, ky sektor është i gjymtuar financiarisht dhe rritja e çmimit hap hapësira të mëdha korrupsioni. Strategjitë e munguara, sipas socialistëve, në sektorin e energjisë kanë shkaktuar reagimin e disa bizneseve.

Shkurt
Privatizimi i INSIG, ministria e Financave ia kalon kompetencat asaj të Ekonomisë

Qeveria shqiptare e ka hequr kompaninë shtetërore të sigurimeve “INSIG” nga lista e ndërmarrjeve strategjike, si dhe ia ka hequr kompetencat e privatizimit Ministrisë së Financave për t’ia kaluar asaj të Ekonomisë përmes një ndryshimi në Ligjin “Për Strategjinë e Privatizimit të Sektorëve të Rëndësisë së Veçantë”. Ndryshimi i ligjit u miratua në tetor. Heqja e “INSIG”-ut nga lista e sektorit strategjik bën të mundur shitjen e kompanisë me kushte më të buta nga sa qe përcaktuar për privatizimet strategjike. Qeveria ka miratuar një ligj të ri me anë të së cilit ofrohet për shitje 100 për qind e aksioneve dhe për këtë kompani, mund të bëjnë oferta edhe vendasit. “INSIG”-u është sot 100 për qind nën pronësi shtetërore dhe privatizimet e saj kanë dështuar vazhdimisht gjatë shtatë viteve të fundit, gjë që e ka shtyrë qeverinë të bëjë vazhdimisht ndryshime ligjore. Dy institucione financiare ndërkombëtare, IFC-ja dhe BERZH-i, blenë paketa minoritare aksionesh në vitin 2003 në mbështetje të procedurës së privatizimit, por as ky veprim nuk e lehtësoi privatizimin. Vitin e kaluar, të dyja institucionet nënshkruan një marrëveshje konfidenciale me qeverinë për rikthimin e aksioneve nën pronësi shtetërore, përkundrejt një çmimi që u mbajt sekret.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›