E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia shpall në kërkim Taçin, Baze paraqet kallëzimin



I gjithë opinioni publik, media, shoqëria civile, institucionet dhe organizmat ndërkombëtare kanë reaguar ashpër në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës. Dhuna e ushtruar nga biznesmeni Rezart Taçi dhe truprojat e tij ndaj gazetarit Mero Baze ka përfunduar me shpalljen në kërkim policor të sipërmarrësit Taçi dhe ngritjen e një padie penale ndaj tij nga drejtuesi i emisionit “Faktori plus”. Në orët e para të ditës së djeshme policia arrestoi dy personat që ishin nën shoqërinë e pronarit të ARMO-s. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Tiranës pohuan se kanë arrestuar shtetasit Bledar Lilo, 28 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë “Taçi Oil”, dhe Irgen Selfo, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas tyre, “arrestimi i dy personave u krye sepse dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Rezart Taçi, 38 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë president i Kompanisë ‘Taçi Oil’, në ambientet e brendshme të një lokali në rrugën ‘Brigada 8’ në Tiranë, kanë goditur me grushte gazetarin Mero Baze, 43 vjeç, lindur në Tepelenë e banues në Tiranë, me detyrë drejtor i medias së shkruar ‘Tema’”. Më tej njoftimi zyrtar vijon duke deklaruar se “për shtetasin Rezart Taçi është bërë shpallja e tij në kërkim policor”. Ndonëse i akuzuari dhe tashmë i denoncuari në prokurori për ushtrim dhune nga gazetari Baze bëri një deklaratë dje pasdite, ai ende zyrtarisht nuk konfirmohet t’i jetë dorëzuar Drejtësisë, apo të jetë ndaluar nga Policia e Shtetit për veprën penale të rëndon ndaj tij. “Unë nuk po fshihem dhe jam gati të përballem me Drejtësinë”, - është shprehur pronari i ARMO-s. Zoti Taçi ka deklaruar se nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, por deklarata e të dëmtuarit dhe dëshmitë e dy gazetarëve, Andi Bushati dhe Arban Hasani, të cilët ishin të pranishëm në vendngjarje, implikojnë drejtpërdrejt pronarin e ARMO-s. Pas ngjarjes së ndodhur në orën 23:00 të së martës, në vendngjarje shkoi edhe prokuroria. Prokurori Gjergji Thako bëri ekzaminimin e ngjarjes dhe burimet zyrtare të organit të akuzës në kryeqytet bëjnë të ditur se ai po merret me procedurat hetimore. Pas ndihmës mjekësore, gazetari Baze ka dhënë dëshminë për ngjarjen dhe më pas ka ngritur padi penale për Rezart Taçin dhe grupin që e shoqëronte. Në dosje është bashkëngjitur edhe dëshmia e gazetarëve Andi Bushati dhe Arban Hasani. Incidenti i ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në një lokal në kryeqytet u shoqërua me reagime të shumta të komunitetit mediatik, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, partive politike dhe mbarë opinionit publik. Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk kanë reaguar zyrtarisht zyra e kryetares së Kuvendit dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Edhe stafi i gazetës “Albania” denoncon dhunën dhe solidarizohet me gazetarin Baze dhe me të gjitha mediat që bëjnë apel në këto momente për liri të shprehjes dhe çlirimin nga presionet e të gjitha formave nga institucionet shtetërore dhe qeveria.
Gazeta po sjell në mënyrë të përmbledhur disa prej reagimeve të dhëna gjatë ditës së djeshme dhe versionin që nxori pasditen e së martës edhe i akuzuari Rezart Taçi.

4 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›