Arkiva britanike. Zogu: Do të bëj referendum pas lufte për rikthimin tim në fron
Vijon nga numri i kaluar
Zogistët, ky “titull” i ashpër dhe i prerë ka të ngjarë të jetë diçka që ngjan me një term të gabuar, pasi ka njerëz në gjithë vendin, në të gjitha partitë, të cilët ose mbështesin Zogun, ose nuk do të kundërshtonin kthimin e tij në atdhe sipas disa garancive për sa i përket regjimit të ardhshëm. Por, ai është një emër i përshtatshëm për të mbuluar partinë dhe forcat që, jo thjesht të kënaqura që Zogu, duhet të kthehet në atdhe, e të vendosin kthimin e tij në ballë të programit të tyre dhe e bazojnë të ardhmen e shtetit shqiptar tek ky fakt.
Lideri i zogistëve dhe i forcave që mbështesin mbretin është majori Abaz Kupi, i cili ka qenë në terren për afro pesë vjet; në fillim kundër italianëve dhe më pas kundër gjermanëve. Dikush mund të hamendësojë një lidhje të ngushtë mes këtij grupi dhe mbretit, ndoshta përmes burimeve neutrale. Megjithatë, politikat e tij janë përcaktuar me kujdes që të mos kompromentojnë Zogun në sytë e aleatëve dhe kanë treguar më shumë dorën e një burri shteti praktik sesa një lideri të guerilëve të izoluar nëpër male.
Siç është vënë re, Kupi ishte një prej njerëzve të parë që nisën luftën kundër pushtuesit. Ai ishte një prej themeluesve të Luftës Nacional Çlirimtare në përpjekje për të unifikuar aktivitetin gueril. Një vit më vonë, ai ndihmoi zhvillimin e një tjetër konference për ruajtjen e unitetit që tashmë ishte thyer dhe nënshkroi me liderët partizanë manifestin për sulmin ndaj tendencës në rritje të Balkom-it për bashkëpunim me pushtuesin. Vetëm atëherë kur mbërritja e gjermanëve theu mundësinë e një bashkimi imediat, grupi i tij vendosi të krijonte organizatë më vete, Lëvizjen Kombëtare të Legalitetit. Këtë ai e sponsorizoi tetorin e kaluar, me besimin se uniteti ishte i mundur të arrihej në Shqipëri vetëm përmes figurës së mbretit Zog. Kjo ishte e vetmja parti që deri tani prodhoi një program politik mbi bazat e një manifesti zgjedhor dhe kjo mund të përmblidhet nga kolonat e gazetës zogiste “Atdheu”, si vijon:
1. Lufta kundër pushtuesit për të çliruar Shqipërinë nga pushtimi i huaj.
2. Krijimi i një kombi shqiptar "me të gjitha të drejtat e tij etnike".
3. Kthimi i "regjimit të ligjshëm", një mbretëri demokratike dhe parlamentare nën Zogu I
4. Reformat sociale: Një shpërndarje më e drejtë e pronave, veçanërisht në fshat, ku çdo fermer duhet të zotërojë tokën që e punon, për shembull, shpërbërja e pronave të mëdha feudale. Institucioni i një sistemi sigurimesh sociale.
Gazeta pretendonte se ky program ishte i shenjtë në një mënyrë sublime dhe solemne nga konferenca që zhvilloi lëvizja në Herraj më 21 nëntor 1943 dhe ku u ra dakord njëzëri nga delegatët e të gjitha provincave të Shqipërisë. Propaganda që ofronte gazeta “Atdheu” është pa dyshim më finokja dhe më e zgjuara që shfaqet tani në Shqipëri. Ndërsa partizanët dhe kolaboracionistët shajnë rëndë me fjalor që i përket shekullit 18-të, i përzier shpeshherë me terma të shëmbëlltyrës orientale, zogistët ndërtuan vullnetin e mirë për regjimin e para luftës pa rënë në grackat gjermane që kanë rezultuar të efektshme në kapjen e elementeve të Balkom-it. Kështu, kaosi që ekziston në Shqipëri përforcon argumentin se Zogu e shpëtoi dikur vendin nga anarkia. Ai lavdëron patriotizmin e shërbimit publik të Zogut, duke theksuar se italianët shkarkuan menjëherë nëpunësit shqiptarë dhe emëruan të vetët. Nuk ka dyshim që lavdërohen "miqtë e mëdhenj anglo-amerikanë", ndërsa në të njëjtën kohë kundërshtohet propaganda gjermane me mohimin zyrtar të saj se nuk është e vërtetë që Zogu nuk ka shfaqur interes lidhur me çështjen e Kosovës. Kushtet aktuale i shtojnë pikë kujtesës se “Zogu ishte themeluesi i Kryqit të Kuq Shqiptar”.
Nuk ka dyshim se gjermanët ishin të gatshëm të ri-themelonin parimin e monarkisë dhe regjencës së emëruar nga shqiptarët, pasi megjithëse ajo mund t'u linte atyre dorë të lirë të rikthenin Vilhelm Vidin (mbreti që u caktua në Shqipëri nga fuqitë e mëdha në 1914) apo djalin e tij, ata mund të kenë pritur se kjo do t'i bindte zogistët dhe do t'i bënte të gatshëm për të bashkëpunuar me shpresën e sigurimit të rikthimit të kandidatit të tyre. Kupi e ka anashkaluar këtë kurth dhe ka refuzuar të kompromentohej dhe ai është i çliruar nga përgjegjësia e tmerreve të luftës civile. Nuk ka dyshim se qëndrimi i tij i lidhur me propagandën e tij po rezulton i efektshëm. Një vlerësim në nëntor 1943 sugjeronte se 15 për qind e popullsisë dëshironte që Zogu të kthehej, 25 për qind e kundërshtonin fuqimisht këtë tezë, ndërsa 60 për qind ishin indiferentë lidhur me këtë fakt. Informacioni i fundit që erdhi nga Shkodra, e cila njihej si një qendër e fuqishme e opozitës ndaj Zogut, sugjeronte se 60 për qind e opinionit publik kishte filluar të shprehej në favor të tij. Burimet amerikane theksonin se ky ndryshim në janar dhe një i arratisur nga Shkodra i marrë në pyetje nga shkruesi në shkurt, dha si arsye për mbështetjen ndaj Zogut, admirimin e tij për Kupin, respektin për forcat e tij që janë më të qëndrueshme sesa ato të partizanëve dhe dëshiron për krijimin e një qeverie nën udhëheqjen e mbretit shqiptar.
Ne mund të hamendësojmë se zogistët po fuqizohen së tepërmi brenda vendit në kuadër të lëvizjes për unitet mes shqiptarëve jashtë vendit dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje, shqiptarët, të cilët janë bërë qytetarë amerikanë i përkasin Organizatës “Vatra”, kryetar i së cilës ishte Faik Konica, ish-Ministri Shqiptar në SHBA. Vatra kishte organin e saj, gazetën “Dielli”, kishte platforma për Frontin e Bashkuara që u krijua disa muaj më parë nën udhëheqjen e Konicës, peshkopit Fan Noli dhe mbretit Zog. Marrëveshja u bazua në tezën se lidershipi i Mbretit gjatë luftës ishte e vetmja rrugë për të arritur unitetin mes shtresave të ndryshme të shqiptarëve. Kjo i dedikohej pjesërisht faktit të një suksesi edhe mes kritikëve të tij më të ashpër se uniteti shqiptar pa Zogun do të ishte si Hamleti pa Princin e Danimarkës; por bazohej gjithashtu në faktin se kurora është për momentin i vetmi organ i shtetit shqiptar në ligjin ndërkombëtar. Marrëveshja u përforcua nga garancitë e Zogut se regjimi i ardhshëm do t'i lihej në dorë vetë popullit shqiptar. Kjo politikë mbështetet nga Komitetet e Miqve të asociuar ngushtë me Shqipërinë, qoftë në SHBA, qoftë në Britaninë e Madhe, të kryesuara përkatësisht nga zoti Charles Hart, ish-Ministër i SHBA-së në Shqipëri dhe zonja Miriam Tildesley, antropologe dhe anëtare e Shoqatës Anglo-Shqiptare, një degë e Komitetit Ballkanik. E vetmja opozitë e organizuar jashtë vendit për këtë zgjidhje (as Balkom-i dhe as partizanët nuk duket të kenë siguruar mbështetje jashtë vendit) vjen nga zoti Kostandin Çekrezi, i cili kryeson një Lëvizje të Lirë Shqiptare, të vogël por aktive në SHBA dhe publikon gazetën “Liria”. Çekrezi dëshiron një republikë dhe ka sugjeruar një komitet provizor, bazuar në modelin francez, me shpresën se do të jetë në gjendje të shpërfillë mbretin Zog duke bashkuar një numër figurash me popullaritet të cilat duke u kombinuar së bashku do të kishin më tepër peshë se ai. Protagonistët e kësaj ideje kanë shumë emra për të sugjeruar si për shembull peshkopi Noli dhe dy vëllezërit Frashëri janë figurat më qendrore. Fakti se Noli e ka hedhur poshtë politikën e Zogut, Mehdi Frashëri është kolaboracionist, ndërsa Midhat Frashëri ka humbur në mugëtirën e errët të politikave të Balkom-it, e përjashton planin Çekrezi. Kështu, duart e Kupit janë forcuar ndjeshëm.
Përshtypja më e mirë e organizimit të forcave zogiste jepet nga një oficer i ushtrisë jugosllave, i cili qëndroi i fshehur bashkë me ta nga shtatori deri në dhjetor 1943. Ai shprehet se liderët caktohen kryesisht nga ish-oficerë dhe zyrtarë të ushtrisë, ndërsa rangu dhe numri i forcave përfshinin myslimanë të pa-interesuar në politikë, por të atashuar nga ndjenja simpatie ndaj ish-sovranit të tyre që ka të ngjarë të nënkuptojë fiset e vendlindjes së mbretit Zog në rajonin e Matit. Guerilët zogistë të cilët hyjnë në operacione luftarake me vrull të madh ndahet në grupe prej rreth 200-300 veta, që ndahen më tej në skuadra që udhëhiqen nga një oficer dhe 25 luftëtarë. Grupet komandohen nga liderë të vetë-emëruar të grupit të cilët nga ana e tyre emërojnë oficerët e tyre dhe NGO-të. Ato janë grupe në Zall Herr (pranë Tiranës), Prezë, Shijak dhe Dibër. Armatimet përbëhen nga revole të tipit “Lewis”, mitralozë italianë dhe mortaja të lehta. Veshmbathjet përfshinë uniformat ushtarake të hedhura nga avionët britanikë apo këpucë ushtarake italiane, uniforma të vjetra italiane dhe artikuj suplementarë. Një pjesë e burrave veshin çizme britanike apo italiane, por shumica duhet të kënaqen me sandalet e dhuruara nga dyqanxhinjtë në Tiranë dhe në vende të tjera. Ky oficer jugosllav vlerëson se numri i përgjithshëm i nacionalistëve të organizuar nën udhëheqjen e Kupit është 25 000, por druhet se ata po i kursejnë forcat për një betejë të mundshme me Jugosllavinë dhe Greqinë.
Vijon në numrin pasardhës
Materiali është marrë nga arkiva britanike. Oficerë anglezë rrëfejnë Shqipërinë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe situatën politike në këto momente
5 Nentor 2009