Vendimi, Qeveria rishpërndan kuotat për Masterat dhe Diplomat e Nivelit të Dytë
Jonida Tashi
Rishpërndahen kuotat e pranimit për programet e studimit të ciklit të dytë, që përfshijnë Masterin e Nivelit të Parë dhe Diplomën e Nivelit të Dytë. Këshilli i Ministrave vendosi dje të rishpërndajë kuotat e pranimit për Diplomën e Nivelit të Dytë (DND) dhe Masterin e Nivelit të Parë (MNP). Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është miratuar një vendim i dytë, i cili modifikon vendimin e mëparshëm të Këshillit të Ministrave, nr.984, datë 30 shtator 2009, i cili kishte përcaktuar kuotat dhe tarifat e studimit për këto programe. Sakaq, për zbatimin e vendimit të fundit për rishpërndarjen e kuotave të pranimit për MNP dhe DND, qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Arsimit dhe universitetet.
Kuotat
Qeveria ka miratuar edhe 585 kuota të reja pranimi për studimet e ciklit të dytë. Deri tani nuk dihet ende nëse vendimi i marrë dje nga Këshilli i Ministrave ka qenë një kërkesë e bërë nga vetë universitetet, apo vendimmarrje e qeverisë. Gjithsesi, sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, kuota e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë dhe “Master i Nivelit të Parë”, me kohë të plotë, për vitin 2009-2010, në total do të jetë 7495. Kjo kuota totale, do të ndahet, sipas skemës së mëposhtme: Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), 2830; Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i nivelit të parë” (MNP), 4395; Kuota për programe të dyta studimi, 100; Kuota për transferimin e studimeve, 100; Kuota për të huajt, 50; Kuota të veçanta për të verbrit 20.
Tarifat
Qeveria ka përcaktuar edhe tarifat vjetore të shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, më kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, në vitin akademik 2009-2010 do të jetë e plotë. Ndërsa për kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si të verbër, të shurdhër, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve të vrarë ose të plagosur, për shkak të detyrës, ish-të përndjekur politikë, që do të fitojnë të drejtën në një program studimi, të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë kuotë, në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit. Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi.
Përjashtimi
Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdojnë studimet. Në çdo program studimi, në ciklin e dytë të studimeve, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë dhe cikli i dytë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës. Në programet e studimit Master i Nivelit të Parë, në Mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, për lëndët Fizikë, Matematikë apo kombinimet e tyre, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, studentët që në ciklin e parë, kanë patur mesatare, jo më të ulët se nota 8 (tetë), nuk paguajnë tarifën e shkollimit. Studentët që do të transferojnë studimet nga një program studimi, apo nga programe të mëparshme studimi, të ciklit të dytë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.
Rishpërndarja e kuotave të pranimit
Kuota totale e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë dhe “Master i Nivelit të Parë”, me kohë të plotë, për vitin 2009-2010, do të jetë 7495, e cila do të ndahet, sipas skemës së mëposhtme:
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), 2830;
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i nivelit të parë” (MNP), 4395;
Kuota për programe të dyta studimi, 100;
Kuota për transferimin e studimeve, 100;
Kuota për të huajt, 50;
Kuota të veçanta për të verbrit, 20.
Ndarja
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), për kandidatët brenda territorit të vendit, 2547;
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, 283;
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i Nivelit të Parë” (MNP), për kandidatët brenda territorit të vendit, 3955;
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i Nivelit të Parë” (MNP), për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, 440.
Shpërndarja e kuotave sipas vendimit të mëparshëm të qeverisë
Kuota e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), 3065;
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit Master i Nivelit të Parë (MNP), 3845;
Kuota për programe të dyta studimi, 100;
Kuota për transferimin e studimeve, 100;
Kuota për të huajt, 50;
Kuota për të verbrit, 20.
Diploma e Nivelit të Dytë
Studentët Bujqësorit nisën dje grevën e urisë pa afat
Studentët e sapodiplomuar në Fakultetin e Ekonomi-Agrobiznesit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë nisur dje grevën e urisë pa afat, për shkak të përjashtimit nga Diploma e Nivelit të Dytë. Pasi janë konfrontuar edhe me forcat e Policisë, të cilët nuk i kanë lejuar të hyjnë në godinën e Fakultetit të Ekonomi-Agrobiznesit, rreth 20 studentë të mbështetur dhe nga dhjetëra të tjerë kanë hyrë me forcë për t’u ngujuar, në grevë urie. Studentët kërkojnë të ndjekin studimet e ciklit të dytë, për të marrë Diplomën e Nivelit të Dyte të Integruar, kjo në përputhje me sistemin e Bolonjës. Por, universiteti ka vendosur një mesatare pranimi për studentët që do të kalojnë në nivelin e dytë. Greva e studentëve bëhet pikërisht për këtë, heqjen e mesatares dhe vazhdimin e studimeve për të gjithë studentët që nuk kanë mesatare. Për këtë problem, përfaqësuesi i studentëve është shprehur: “Kemi tre javë që kemi bërë kërkesë për kundërshtimin e mesatares për nivelin DND, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje”. Sipas tij, studentët e Universitetit të Kamzës do ta vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre, derisa të gjithë të vazhdojnë studimet në nivelin e dytë, pa marrë parasysh asnjë notë mesatare. Ata paralajmërojnë se do të rrinë të ngujuar deri në fund të zgjidhjes së kërkesës së tyre, pasi cikli trevjeçar që kanë përfunduar nuk njihet nga tregu i punës si diplomë. Aktualisht, masterat e nivelit të parë janë miratuar nga Këshilli i Ministrave, por as ministria e Arsimit dhe as qeveria nuk janë shkaktarët e këtyre kuotave të ulëta apo mesatares që është vendosur si kriter, pasi kjo është e drejtë vetëm e dekanit, i cili deri tani nuk është shprehur për këtë problem.
5 Nentor 2009