Hervin Çuli hap sezonin në Metropol me "E zonjën e bujtinës"
“E zonja e bujtinës”, që hap sezonin në Teatrin Metropol konsiderohet si i pari portret i gruas “moderne”, i asaj që merr në duart e veta frenat e punëve, që di të drejtojë, por edhe t’i sjellë rreth vetes meshkujt. Në kohërat moderne, Mirandolina do të quhej një sipërmarrëse e suksesshme. Përballja e dy gjinive, e mashkullit dhe e femrës, e lashtë sa vetë jeta është boshti qendror i konfliktit të keësaj vepre. “E zonja e bujtinës” është komedia më moderne e reformatorit të teatrit italian Carlo Goldoni. Ai, si një mjeshtër i madh i karaktereve, ka pikturuar Evën dhe Adamin me një kolorit shumë modern. Në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, ai ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale. Ai krijon një model ndryshe të personazhit femër dhe e shkruan veprën në gjuhën italiane, në mënyrë që ajo të jetë e kuptueshme për të gjithë. Siç shkruan vetë Goldoni, “Zonja e bujtinës” është vepra “më morale, më e dobishme dhe më edukative”. Nuk ka sesi në botën shqiptare, fatkeqësisht me një kulturë tejet maskiliste, kjo vepër të mos jetë një apel për emancipim. “Çdo ditë ne prekim që nga ekranet e televizioneve e deri tek tavolinat e kafeneve prepotencën e burrave ndaj grave. Ndoshta ditën që, si atëherë kur lindi jeta, dy sekset do të kenë një raport të barabartë, ndoshta do të zbuten konfliktet, do të rriten më mirë brezat e mundet që të gjithë do të jemi më të lumtur. Kjo është Mirandolina, asgjë më shumë se kaq”, thuhet në konceptin regjisorial. Sipas regjisorit Hervin Çuli, vepra i qëndron besnike kohës kur është vendosur, pra do të jetë një vepër me kostume të ‘700-ës. Ndonëse ajo trajton një problematikë therëse, siç është ajo e barazisë gjinore dhe e ndryshimit të një mentaliteti të vjetër, regjisori ka vendosur ta trajtojë me gjuhën e kohës kur është shkruar, por me një përshtatje të vogël nga ana e tij, në mënyrë që teksti të rrjedhë më natyrshëm në gojët e aktorëve. Regjisori pretendon të sjellë një vepër të freskët dhe moderne, pavarësisht se nuk tenton ta afrojë në kohë dhe të vendosë në një kontekst më bashkëkohor. Nuk i pëlqen fjala “risi” ndaj thotë se kjo vepër do të jetë reflektim i shpirtit të tij, i gjithë kulturës dhe eksperiencës që ka fituar gjatë viteve të karrierës si regjisor. Premiera do të jetë në datën 14 nëntor në Teatrin e Metropolit. Me regji nga Hervin Çuli dhe me nje kast aktoresh: Eni Jani, Adelina Muça, Fatos Sela, Genc Fuga, Genti Deçka, Arben Spahia, Ermonela Alikaj Plasari,Fatbardha Aliçkaj (Maya).
5 Nentor 2009