E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH kontroll në të gjitha poliklinikat dhe farmacitë e Tiranës



Emanuela Sako

Instituti i Sigurimeve Shëndetësore ka kryer një sërë inspektimesh në poliklinikat dhe farmacitë e kryeqytetit, ku janë verifikuar edhe shkelje. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se brenda kësaj jave pritet të dalë raporti plotë në lidhje me të gjitha verifikimet e kryera në terren. Specialistët e ISKSH-së kanë kryer inspektime të vazhdueshme për një periudhë disamujore dhe pas përpunimit të materialeve dhe verifikimit të të gjitha rasteve, ka hartuar një raport të plotë lidhur me gjendjen aktuale që ndodh në subjektet private, Farmacitë, që kanë kontratë me ISKSH-në dhe me shkeljet që mund të jenë bërë në poliklinika. Raporti i fundit i publikuar nga ky institucion, tregoi se shumë farmacistë abuzonin me detyrën dhe shumë mjekë të poliklinikave u gjendën me shkelje të ndryshme, duke nisur që nga mosrespektimi i orareve të punës, shënimit të vizitave në kartela etj.
Abuzimet
ISKSH-ja synon spastrimin e abuzimeve dhe neglizhencave në poliklinika, pasi në to ka nisur reforma e vetëfinancimit, çka do të bënte që poliklinikat të kenë më shumë të ardhura, më shumë investime në aparatura dhe mjaft përfitime të tjera. Po e njëjta skemë përdoret edhe për farmacitë, ku ISKSH-ja ka kontratë dhe si e tillë shpërndan barnat e rimbursueshme për të gjithë të siguruarit. Kontrollet e bëra konsistojnë në vlerësimin e punës që është bërë për kujdesin ndaj pacientëve, vizitat e kryera, paraqitjen e mjekëve në punë, regjistrimin e banorëve tek mjeku i lagjes etj. Në bazë ta arritjeve në punë, mjekët do të marrin shpërblimet përkatëse, që mund të jetë deri në një pagë shtesë. Nga ana tjetër do të merren edhe masat penalizuese për të gjithë personelin mjekësor që kanë abuzuar me punën. I gjithë kontrolli përqendrohet më tepër në rastet e zbatimit të skemës së re, që është pjesë e reformës në shëndetësi. Po kështu, i rëndësishëm është edhe zbatimi i plotësimit të formularëve ditor nga mjekët. Për herë të parë mjekët në poliklinika duhet të plotësojnë një formular ditor në fund të përfundimit të ditës së punës. Në këta formularë mjekët duhet të japin të detajuar aktivitetin e përditshëm shëndetësor, numrin e vizitave dhe procedurat mjekësore që janë ndjekur për çdo pacient. Formulari do të dorëzohet në drejtorinë përkatëse të poliklinikës.
Mjekët
Mjekët marrin shpërblime në bazë të punës së kryer, nga të ardhurat dytësore që kanë siguruar gjatë muajve që kanë punuar. Sipas rregullores, mjekët nuk mund të marrin më shumë se dy paga shpërblim gjatë punës së bërë për gjithë vitin. Ndërkohë që në rast shkeljesh janë parashikuar masat penalizuese të ndryshme. Nëse mjekët kanë abuzuar me punën, masat e marra nga ISKSH-ja fillojnë që nga vendosja e gjobave dhe deri në pezullim nga puna. Pas pak ditëve, pritet të bëhen të ditura të gjitha rezultatet përfundimtare që janë kryer në të gjitha qendrat shëndetësore. Specialistët kanë gjetur shpesh të tilla raste abuzimesh në qendrat shëndetësore nga kontrollet e ushtruara më parë, ku ka marrë masa penalizuese ndaj personelit abuzues me rregulloren.

Kontrollet, rastet e shkeljeve në institucionet vartëse të ISKSH-së

Nga inspektimet e mëparshme, ISKSH-ja ka evidentuar abuzime në aktivitetin e mjekut të përgjithshëm dhe të familjes, ku janë konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuale, pasaktësi në dokumentimin e aktivitetit profesional të mjekut, pasaktësi në regjistrimin e banorëve që mbulojnë me shërbim shëndetësor, duke shkelur parimin e zgjedhjes së lirë të mjekut, domethënë duke regjistruar të njëjtët banorë nga mjekë të ndryshëm, dhe kjo është verifikuar në Poliklinikën Nr. 10. Në poliklinika është vërejtur edhe fenomeni i zhvatjes së parave të qytetarëve të pasiguruar, duke i kërkuar para në dorë dhe pa prerë faturën e detyrueshme për kryerjen e vizitës. Në qendrën shëndetësore “Kashar”, një mjeku, përveç mungesave të shprehura në punë në ambientet e pikës shëndetësore, iu gjendën dhe sasi barnash. Në zbatim të kontratës në fuqi, drejtorit të qendrës shëndetësore iu dha masa disiplinore “Paralajmërim për pushim nga puna”. Abuzime janë kryer edhe në kartelën personale të pacientit, e cila u paraqit me shumë mangësi. Mangësitë e vërejtura janë në rastet kur nuk plotësohen të dhënat e domosdoshme sipas praktikës së njohur mjekësore, nuk plotësohet saktë ecuria e sëmundjes, diagnostikimit, ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi. Diagnozat nuk mbështeten me ekzaminime, nuk argumentohet në kartelë arsyeja e dërgimit të të sëmurit te mjeku specialist, nuk pasqyrohen në kartelë të gjithë vizitat e kryera. Po kështu, nuk zbatohet praktika e njohur mjekësore për përshkrimin në kartelën personale të treguesve kryesorë të vendosjes së diagnozës dhe mjekimit. Njëkohësisht nuk respektohet sistemi i referimit për rekomandimet te mjeku specialist dhe në spital, si dhe shkelje të kufizimit të listës dhe protokollet e përdorimit të barnave, kryesisht për sistemin kardiologjik, pulmonar dhe traktit urinar etj. Përveç kësaj, nuk argumentohen të gjithë rastet e reja kronike dhe ndryshimi terapive sipas detyrimeve kontraktuale.

5 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›