Masterat njëvjeçarë, çelen aplikimet, afati dy javë kohë
Jonida Tashi
Hapen procedurat e aplikimit për të vijuar studimet e ciklit të tretë, në të cilat përfshihet edhe Masteri i Nivelit të Dytë (MND). Burime zyrtare nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se ditën e djeshme, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj u ka dërguar institucioneve publike të Arsimit të Lartë urdhrin për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në këtë program studimi. Për rrjedhojë, fakultetet e universiteteve që do të ofrojnë gjatë vitit akademik 2009-2010, masterat njëvjeçarë, do të presin duke filluar që nga dita e sotme aplikimet e kandidatëve. Sipas urdhrit të ministrit të Arsimit, kandidatët e interesuar do të kenë dy javë kohë në dispozicion për të dorëzuar dosjet e tyre të aplikimit, pranë sekretarive të fakulteteve ku dëshirojnë të ndjekin studimet. Gjatë vitit 2009-2010, vetëm tre universitetet publike të vendit do t’i ofrojnë studimet Master i Nivelit të Dytë, që janë: Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës si dhe Universiteti Bujqësor po i Tiranës. Për tre universitetet e mësipërme, qeveria ka miratuar edhe kuotat përkatëse të pranimit, të cilat në mënyrë të detajuar janë si më poshtë. Ndërsa porsa i përket tarifës së studimit, ajo do të jetë e njëjtë për çdo degë dhe për të gjitha universitetet, plot 100 mijë lekë.
Përzgjedhja
Pas mbylljes së procesit të aplikimit, komisionet “Ad-hoc” të ngritura pranë njësive kryesore të fakulteteve do të nisin procesin e përzgjedhjes së kandidatëve fitues për MND. Universitetet kanë përcaktuar disa kritere të përgjithshme, për përzgjedhjeve e kandidatëve fitues ku më kryesorët do të jenë: nota mesatare, botimet, vjetërsia në punë, puna që aktualisht bën, certifikatat e gjuhës së huaj, intervista e kandidatit që është e pranueshme dhe e duhur në të tilla raste etj. Gjithsesi, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, të drejtën e aplikimit për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve e kanë të gjithë ata kandidatë, që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të dytë (Master i Nivelit të Parë ose Diplomë të Nivelit të Dytë) ose program studimi ekuivalent me të dhe plotësojnë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv.
Kriteret
Kriteret e pranimit për standardet akademike të përzgjedhjes së kandidatëve për t’u pranuar në programet e ciklit të tretë të studimeve përcaktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Përveç kritereve të pranimit, për të ndjekur një program studimi “Master i Nivelit të Dytë”, pranimi varet edhe nga kreditet që kanë grumbulluar kandidatët nga studimet e tyre të mëparshme. Por një master të tillë mund ta vazhdojnë edhe studentët që janë diplomuar sipas sistemit akademik 4-vjeçar. Kurse për të fituar një Diplomë të Masterit të Nivelit të Dytë, studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të dytë, arsimim dhe trajnim të një niveli më të lartë shkencor ose profesional. Këto programe realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është minimumi një vit. Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma “Master i Nivelit të Dytë”.
Studimet e ciklit të tretë
Studimet e ciklit të tretë përfshijnë programet e studimeve të Doktoratës dhe Masterin e Nivelit të Dytë. Programet e studimeve të Doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kandidatët, që kanë Diplomë të Nivelit të Dytë dhe diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, nuk janë të detyruar të grumbullojnë 60 kredite të studimeve të organizuara teorike. Këta kandidatë duhet të paraqesin disertacionin e Doktoratës, sapo të kenë plotësuar kushtet e tjera, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave për studimet e doktoratës. Në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).
Juridiku, çelen pas tre vjetësh masterat e nivelit të dytë
Pas tre vjet kërkesash nga drejtuesit e Juridikut dhe studentëve, për hapjen e Masterit të Nivelit të Dytë në këtë fakultet, së fundi qeveria ka bërë miratimin e tyre. Ky fakt konfirmohet nga zëvendësdekani i këtij fakulteti, Kristaq Gjyli, i cili bën të ditur se për dy javë rresht të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për masterat njëvjeçarë. “Është miratuar hapja e masterave të nivelit të dytë për Departamentin e të Drejtës Publike, të Drejtës Penale dhe Departamentin e të Drejtës Civile. Ndërkohë që me një vendim të mëparshëm, para një jave qeveria ka miratuar dhe një master tjetër që quhet Master EU Business Laë/ apo e Drejta e Biznesit e BE”,- pohon Gjyli. Masterat e nivelit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë kanë një kohëzgjatje prej 18 muajsh dhe vlera e tyre shkon në 100 mijë lekë.
Kuotat e pranimit për Masterin e Nivelit të Dytë
Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Ekonomisë
Administrim biznesi 40 kuota
Administrim publik 40 kuota
Financë 60 kuota
Kontabilitet 40 kuota
Marketing 40 kuota
Studime ekonomike evropiane 40 kuota
Fakulteti i Shkencave Sociale
Kërkime në edukim 25 kuota
Kërkim psikologjik 20 kuota
Kërkim shkencor në punë sociale 25 kuota
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë
Gjeografi fizike dhe mjedisore 70 kuota
Gjeografi humane dhe rregullim territori 70 kuota
Studime letrare 70 kuota
Shkencë e bibliotekave 70 kuota
Histori 60 kuota
Arkeologji 30 kuota
Trashëgimi kulturore 20 kuota
Marrëdhënie ndërkombëtare 90 kuota
Gjuhësi 100 kuota
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Shkenca gjuhësore 50 kuota
Letërsi botërore 60 kuota
Fakulteti i Drejtësisë
Shkenca juridike civile 50 kuota
Shkenca penale 50 kuota
E drejta kushtetuese e krahasuar dhe evropiane 50 kuota
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Matematikë teorike 30 kuota
Sisteme informatike të avancuara 10 kuota
Fizikë teorike llogaritëse 15 kuota
Fizikë e aplikuar 15 kuota
Biofizikë 15 kuota
Fizikë dhe Kimi materialesh 10 kuota
Inxhinieri e proceseve kimike 10 kuota
Teknologjitë dhe Mikrobiologjitë ushqimore 10 kuota
Analiza kimike dhe instrumentale 10 kuota
Biologji shtazore 15 kuota
Biologji bimore 15 kuota
Edukim biologjik 15 kuota
Biologji qelizore 15 kuota
Gjenetikë e popullatave 15 kuota
Mikrobiologji 10 kuota
Kimi industriale 10 kuota
Universiteti Politeknik
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike
Automatikë dhe Teknologji e kontrollit 20 kuota
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Sistemet e prodhimit dhe Proceset teknologjike 20 kuota
Sistemet e energjisë dhe Proceset termike 20 kuota
Sistemet e transportit dhe Menaxhimit të trafikut 20 kuota
Materiale dhe alternative 20 kuota
Materiale tekstile 20 kuota
Universiteti Bujqësor i Tiranës
Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit
Men. i Resurseve dhe përmirë. gjenetik i bimëve 20 kuota
Kontroll i integruar i parazitëve në bimë 20 kuota
Hortikulturë e qëndrueshme 20 kuota
Shkencat e prodhimit shtazor 20 kuota
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit
Menaxhim i ndërmarrjeve 20 kuota
Ekonomi dhe politika agrare 20 kuota
Zhvillimi rural i integruar 20 kuota
Menaxhim financiar 20 kuota
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare
Diagnozë laboratorike 15 kuota
Klinikë veterinarie 15 kuota
5 Nentor 2009