Luhatja e kursit të këmbimit, rriten tarifat e barnave
Emanuela Sako
Grosistët e mëdhenj të importit të barnave kanë paraqitur, një ankesë pranë Ministrisë së Shëndetësisë për luhatjet e ndjeshme të kursit të këmbimit, pasi ka ndikimin të madh në blerjen e barnave. Krijimi i kësaj situate duket se do te ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve të barnave, të cilat do të tregtohen në Shqipëri. Po kështu, Ministrisë së Shëndetësisë do t’i duhet të ketë një buxhet më të madh lidhur me përballimin e listës së barnave të rimbursueshme. Lidhur me ankesën e drejtuar MSH-së, zgjidhja e vetme që është dhënë, është se barnat e listës me rimbursim, si dhe barnat e tjera do të blihen me vlerën mesatare të kursit të këmbimit të valutës.
Çështja
Situata e blerjes së barnave nga grosistët është vështirësuar për shkak se ata kanë blerë ilaçe me çmime të shtrenjta dhe i kanë tregtuar ato sipas tarifave të parashikuara në ligjin përkatës. Kjo situatë ka krijuar një konfuzion të madh në radhët e grosistëve, të cilët kanë shfaqur frikën e tyre, ndaj këtij problemi. Lista e barnave të rimbursueshme për këtë vit, pritet të jetë gati në muajin janar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë listës së re të barnave pritet që t’i shtohen një numër medikamentesh të reja që nuk kanë qenë më parë në listë dhe jo formëdoza të barnave aktuale. Aktualisht, specialistët janë duke bërë shqyrtimet e barnave të domosdoshme që duhet të jenë në listë. Ndërkohë që çdo shërbim spitalor ka të drejtë të bëjë kërkesë për rimbursimin e medikamenteve që kanë kosto të lartë dhe janë të papërballueshme nga pacientët.
Lista
Lista e barnave me rimbursim të plotë për vitin 2009, u shtua me 30 medikamente të reja të barnave dhe 40 alternativa. Përfitues të listës janë pacientët që vuajnë nga alergjitë, sëmundjet e astmës, sëmundjet e gjakut, sëmundjet e veshkave etj. Ndër barnat e shtuara ofrohen alternativa të reja terapeutike të gamës së barnave antispastike, diuretike, antiepileptike, neuroleptike etj. Pjesë e listës janë bërë edhe dy barna të reja për diagnoza të patrajtuara më parë; imatimib, që përdoret për trajtimin e leucemisë mieloide kronike, alternativë e vetme për trajtimin e këtij lloji kanceri. Ndërsa për trajtimin e të sëmurëve me veshka është rimbursuar Vangancikloviri dhe Antivirali, i domosdoshëm për trajtimin e pacientëve që i nënshtrohen tranplantit të veshkave në fazën post transplant. Propozimet e bëra nga spitalet për rimbursimin të barnave ishin të mëdha, ku përfshiheshin një listë e gjatë medikamentesh. Por nuk ofroheshin mundësitë financiare për përballimin e të gjitha kërkesave. Ministrja e Shëndetësisë dhe Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme ka marrë parasysh kriteret për sigurinë, koston, përparësinë e barnave për trajtimin e sëmundjeve të rënda.
Përfituesit kryesor të rimbursimit të barnave
Pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe kronike janë përfituesit më të mëdhenj të barnave falas apo me gjysmë çmimi nga rimbursimi i barnave. Barnat me rimbursim mund të merren sipas përcaktimit të ISKSH-së dhe kategorive që janë përcaktuar nga specialistët. Pacientët që përfitojnë më tepër nga rimbursimi i barnave janë të moshuarit dhe fëmijët, të cilët i përfitojnë falas medikamentet. Ndërsa pjesa tjetër e të siguruarve, përfitojnë në masën e përcaktuar nga ISKSH-ja për rimbursimin e barnave për këto kategori. Rimbursimin më të lartë të barnave për këtë vit e kanë sëmundjet e rënda, siç janë tumoret, sëmundjet e zemrës, gjakut, veshkave etj. Por, një vend të rëndësishëm për rimbursimin e barnave e zënë sëmundjet kronike, të cilat kërkojnë kurim të vazhdueshëm dhe përdorimin e më tepër medikamenteve.
Ankesat për listën e barnave të rimbursueshme janë venë gjithmonë në qendër të vëmendjes nga shoqata e pensionistëve, të cilët kërkojnë më shumë cilësi dhe barna. Edhe për këtë vit, pensionistët janë ankuar për shkak të cilësisë së dobët të barnave që u janë rimbursuar. Sipas tyre, në listën e rimbursimeve janë barnat që janë më të lira dhe që japin më pak efekt për kurimin e sëmundjeve. Për këtë arsye, ata ankohen se nuk u japin efekt barnat e marra nga rimbursimi dhe shpeshherë detyrohen të blejnë barna të tjera të së njëjtës familje, por më cilësore dhe me një kosto më të lartë. Madje, pretendimet e tyre janë se edhe formëdozat e miratuara nga specialistët janë të një cilësie të dobët.
Durrës, OPEC akordon fonde për ndërtimin e spitalit
Drejtori i Përgjithshëm i OPEC Al-Harbish, i shoqëruar edhe nga Zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahija, kanë inspektuar përfundimin e fazës së dytë të punimeve në kompleksin spitalor të qytetit të Durrësit. Investimi i kryer në këtë spital kap vlerën e 7 milionë eurove. I kënaqur me ecurinë e punimeve, Al Harbish, pohoi se bashkëpunimi me qeverinë shqiptare do të vijojë edhe më tej, duke premtuar ndërtimin e Pavijonit të Pediatrisë. Ndërkohë që edhe disa spitale të tjera në vend janë vënë në qendër të vëmendjes nga Ministria e Shëndetësisë për ndërhyrje në përmirësimin e kushteve që ndodhen aktualisht.
ISKSH, zgjidhja për cilësi privatizimi i shërbimeve
Shërbimet që nuk mund të përballohen nga spitalet do të privatizohen në mënyrë që ato të jenë sa më cilësore.
ISKSH-ja do të nxisë privatizimin e disa shërbimeve të veçanta në spitale, të cilat nuk mund të përballohen financiarisht nga shteti. Privatizimi është pjesë e reformës spitalore, e cila bëhet për rritjen e cilësisë së shërbimeve që do të marrin pacientët. Pak ditë më parë, Elvana Hana, Drejtoreshë e ISKSH-së, paraqiti pikat e reformës spitalore, e cila po implementohet në spitalet e vendit. Një ndër pikat kryesore ishte dhe privatizimi i shërbimeve në mënyrë që pacientët të kenë shërbime cilësore dhe të monitoruara nga ISKSH-ja dhe MSH-ja. Pika më e rëndësishme është vendosja e autonomisë së spitaleve, të cilët do të menaxhojnë vetë qendrën spitalore. Reforma shëndetësore që do të bëhet në sistemin shëndetësor do të ketë disa përfitime të rëndësishme për pacientët, nëse gjithçka do të realizohet ashtu siç është parashikuar nga ky institucion. Hapi i parë i MSH-së dhe ISKSH-së në Shtrirjen e skemës së sigurimeve shëndetësore do të mundësojë njëjtësimin e disa shërbimeve kryesore në spitalet e nivelit terciar në rrethe. Çka do të thotë që do të shtohen më tepër shërbime, që aktualisht janë prezentë në spitale por nuk kryhen. Njëkohësisht, nëpërmjet të vetëfinancimit spitalet do të kenë më shumë mundësi investimi në ata sektorë dhe në ato aparatura që janë më tepër problematike. Nga ana tjetër edhe mjekët do të jenë më të stimuluar të punojnë, pasi do të marrin dy rroga shpërblim gjatë një viti, në bazë të punës së kryer. Në të kundërt, të gjitha këto përfitime nuk do të mund të arrihen. Përmirësim të shkallës së autonomisë së spitaleve.
5 Nentor 2009