E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli: Ministria e Ekonomisë të hetojë kontratën e koncesionit të bakrit

Ekspertët kërkojnë të ndalohen shpërdorimet në pasurinë dhe industrinë minerare. Dëmi përllogaritet në rreth 400 milionë USD. “Ministri Prifti të shqyrtojë marrëveshjen”

Albert Gjoka

TIRANË – Pas denoncimeve të bëra rreth një vit më parë, një grup specialistësh të industrisë minerare kërkon sërish nga Ministria e Ekonomisë të hetojë respektimin e kontratës nga kompania që ka në koncesion bakrin në vendin tonë. Në një material që i kanë vënë në dispozicion redaksisë, ata propozojnë të bëhen verifikimet e duhura nga institucionet shqiptare, përfshirë Prokurorinë dhe Shërbimin Informativ Kombëtar, për mënyrën se si përdoren pasuritë kombëtare. Ata pohojnë se dëmi i përllogaritur deri tani arrin në rreth 400 milionë dollarë, si pasojë e mosshfrytëzimit të të gjitha metaleve që kanë burimet minerare dhe nga mosrespektimi i kontratës së nënshkruar nga qeveria me koncesionarin turk “BER-ONER”. Grupi i inxhinierëve dhe ekspertëve që janë marrë me këtë çështje paralajmërojnë se pas shkatërrimit të njërës nga linjat e përpunimit të bakrit në Rubik, po përgatitet asgjësimi i reparteve të tjera, duke fundosur një herë e mirë industrinë përpunuese të këtij metali në Shqipëri.

Kontrata
Prej kohësh specialistët kanë dhënë alarmin se nga moszbatimi i marrëveshjes së koncesionit e shfrytëzimi pa kriter e në kundërshtim me ligjet, prej kompanisë turke “BER–ONER” të objekteve të industrisë së bakrit, rezulton se shteti përfiton rreth 2%, ndërsa koncesionari rreth 98% të vlerës së pasurisë së dhënë në administrim. Në fund të periudhës koncesionare, shtetit i mbetet një sistem galerish bosh, me një industri përpunuese të shkatërruar, si Uzina e Rubikut etj., objekte të marrëveshjes së koncesionit, në vend të lënies së investimit të parashikuar në ciklin e përpunimit, për ta zhvilluar më tej, siç ishte qëllimi fillestar kur është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Rrezikohet të varrosen rreth 8 milionë tonë rezerva në Munellë, si dhe një sasi tjetër në Lak Roshi, nga shfrytëzimi antiekonomik e selektiv të një pjese trupi të pasur në bakër, ar, argjend, zink etj. Dëmi ekonomik që pëson shteti shqiptar nga moszbatimi korrekt i këtij koncesioni mund të arrijë në rreth 400 milionë dollarë.
Marrëveshja për koncesionin e bakrit ka nisur në vitin 2001, duke u miratuar edhe nga Kuvendi. Kompania ka filluar aktivitetin me procedurat e marrjes së objekteve në vitin 2002, deri sa në vitin 2004, arriti të fillojë shfrytëzimin e vendburimit të Munellës dhe Fabrikën e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrëz. “Gjatë fazës përgatitore të marrjes së objekteve, kompania, siç doli tashmë, kishte synim të fillonte punën vetëm në shfrytëzimin e trupit të pasur në Munellë, që kishte rreth 1 milion tonë rezerva, me këtë përmbajtje elementësh: 5% bakër, 3,6% zink, 4 gram/ton ar, 75 gram/ton argjend dhe elemente të tjera”, - thonë ekspertët. Sipas tyre, në vitet 2002 – 2003, u krye me porosi të saj në kushte laboratorike studimi për përcaktimin e skemës së përpunimit nga Universiteti i Sofjes në Bullgari. “Në studimin e dërguar kompanisë, kopje të cilit ka edhe ministria përgjegjëse, në përfundim është përcaktuar skema më optimale e pasurimit, por është theksuar se nëse nuk do të zgjidhet mundësia e përpunimit të masës që mbetet, e cila ishte me 2 – 3 gram ar, 65 gram/ton argjend etj., nuk është me interes të kryhet investimi për pasurim”, - thonë inxhinierët. Ata pohojnë se kompania nuk mori në konsideratë këtë opinion shkencor; madje, këtu nuk ndërhyri edhe Ministria përgjegjëse sipas ligjit minerar e kushteve të Marrëveshjes, kështu që në 6 mujorin e dytë 2004, filloi punën në pasurimin e këtij trupi minerar. (Shih tabelën e humbjeve).
Grupi i inxhinierëve dhe ekspertëve kanë bërë disa ankesa te Ministria e Ekonomisë, kryeministri, deputetët e zonës dhe institucione të tjera, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje për shqetësimet e tyre. “Edhe sot e kësaj dite vazhdon shfrytëzimi barbar e me ritme të shpejta. Madje, pirateria minerare e projekteve në pretekstin mjedisore, në sinkron me trafikantë të skrapeve etj., nxiti strukturat e larta duke miratuar demolimin e Fabrikës së Shkrirjes së Uzinës së Bakrit në Rubik, objekt koncesioni me ligj, si dhe groposjen e saj në bregun përballë të lumit Fan, me argumentin se kemi të bëjmë me mbetje të rrezikshme”, - thonë ekspertët e kësaj industrie.
Është për të ardhur keq, sepse me këtë koncesion është marrë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, por me sa duket, në mënyrë sipërfaqësore, pa lënë mënjanë struktura të tjera si Prokuroria e Shërbimi Informativ Shtetëror, të cilat kanë dijeni.
“Mbase këto struktura kanë pasur rezistencën e segmenteve pirate, me mbështetje të aktorëve vendimmarrës, kjo është tepër shqetësuese, sepse nuk zbatohet ligji e as Kushtetuta”, - thonë ekspertët e industrisë së bakrit
Varrosja e industrisë së bakrit
Pak kohë më parë u shkatërruan dy oxhakët e fabrikës së Rubikut, duke dhënë shenjat e para të varrosjes së industrisë përpunuese të bakrit në Shqipëri. Sipas inxhinierëve, ai objekt ishte emblema e metalurgjisë shqiptare, si më e vjetra, e cila rezistoi nga koncesioni i kohës së Zogut deri tani, ndërkohë që ka me dhjetëra oxhaqe në shkallë vendi nga Jugu në Veri që ndonëse mund të shemben vazhdojnë të rrinë në këmbë (siç është rasti i Laçit). “Ky veprim antiligjor e njerëzor vuri në dispozicion 4.5 milionë euro të taksapaguesve europianë, për të shkatërruar rreth 6 – 8 milionë euro të kësaj fabrike, duke shkelur ligjet me groposjen e mbetjeve gjoja të rrezikshme në shtrat lumi, pranë një burimi uji të pijshëm të qytetit”, - thonë ekspertët. Ata shtojnë se “ishte e ditur se këto mbetje nuk ishin të rrezikshme se nuk mund të guxonte njeri me firmën e kryeministrit t’i groposte në shtrat lumi, kur nuk ekziston asnjë rast i tillë në botë, për depozitim mbetjesh të rrezikshme në brigje lumenjsh”. Tani ata lajmërojnë hapat e tjerë të demolimit të linjave të mbetura të përpunimit në Uzinën e Rubikut, për të asgjësuar të gjithë industrinë. Sipas tyre, janë dhënë urdhra për heqjen e strukturave metalike dhe shitjen e tyre për skrap. “Nëse do të ndërmerret ky veprim, atëherë nuk do të ekzistojë asnjë lloj gjurme në Shqipëri e gjithë asaj industrie që ka ekzistuar që në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore për nxjerrjen, përpunimin dhe prodhimin e produkteve të bakrit”, - thonë ekspertët, duke shtuar se kjo ka qenë e vetmja linjë me cikël të plotë e industrisë së metaleve në vendin tonë.
Apeli
“Me një investitor serioz e strategjik, ka mundësi e dritë jeshile për riaktivizim të ciklit të përpunimit të bakrit, meqenëse akoma nuk është shkatërruar plotësisht Uzina e Rafinimit të Bakrit në Rubik, pranë të cilës mund të ndërtohet edhe Fabrika e shkrirjes për prodhim bakri blistër (që u shemb para një viti), ide e projekt ky i kryer nga strukturat përkatëse në vitet 1980, por i lënë në harresë për mungesë financimi”, - thonë inxhinierët që kanë punuar një jetë të tërë në industrinë e bakrit. Sipas tyre, ka pasur interesa nga kompani japoneze, kineze, kanadeze etj., gjatë viteve të fundit.
Në strategjinë 15-vjeçare të përgatitur nga strukturat e Ministrisë së Ekonomisë në vitin 2006 për industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve, është përcaktuar qartë se për përpunimin e bakrit do të jetë Uzina e Bakrit në Rubik. Ky dokument është miratuar edhe nga qeveria, në kuadrin e strategjisë kombëtare për zhvillim, si kërkesë e MSA-së.
“Deri tani është dëmtuar një pjesë e kësaj pasurie nga mos zbatimi korrekt i marrëveshjes koncesionare të industrisë së bakrit, e shkelje të ligjit minerar, por mendojmë se ka mundësi për parandalim e mos thellim të dëmit ekonomik për pjesën e mbetur. Për këtë qëllim, do të ishte me interes ndërhyrja urgjente e strukturave përgjegjëse, me një kontroll të specializuar të organeve të Auditit të Ministrisë së Financave, Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke koordinuar edhe me struktura të tjera investiguese në shërbim të zgjidhjes së këtij problemi. “Duke përfunduar, shpresojmë se ky shkrim do të sensibilizoje sado pak strukturat përgjegjëse shtetërore që përgjigjen për administrimin e pasurive minerare, për të ndërhyrë seriozisht në parandalimin e kësaj masakre minerare, e cila nuk ka ndodhur ndonjëherë deri tani në Shqipëri”, - përfundojnë specialistët e industrisë minerare.

Treguesit e pasurimit të vendburimi

- A- Rikuperimi i bakrit, nga 84% në projektin Bullgar, arrinte 60 – 65%
- B- Rikuperimi i arit dhe argjendit rreth 20 – 25%, aq sa parashikonte edhe projekti.
- Zinku nuk merrej, por kalonte në mbetjet sterile.
- Në fabrikë hynte mineral me rreth 5% bakër e në dambën sterile, kalonte 2 – 3% Cu, 3 gram/ton ar, rreth 70 gram/ton argjend zinku etj.

Statistika

Në vitet ‘80 Shqipëria arriti të prodhonte 10–15 mijë tonë bakër blistër, ose rreth 0,2% të prodhimit botëror (prodhimi botëror varionte 7.2 – 8.2 milionë tonë) kur popullsia jonë zinte 0,07% të botës, ndërsa sot eksportohet vetëm koncentrat bakri e shprehur në metal, rreth 7000 tonë/vit (meritë kjo e trupit shumë të pasur) duke keqpërdor në pasurim mineral, me rreth 5% bakër, me tregues shumë të ulët tekniko-ekonomikë, duke zënë vetëm rreth 0,04% të prodhimit botëror. Shqipëria disponon sipas vlerësimit të vitit 1992, rreth 51 milionë tonë rezerva bakri me rreth 1,5% bakër: madje shumica e tyre ekonomike me këtë koniunkturë tregu, e favorshme që në fundin e vitit 2004, tendencë, e cila, sipas analistëve, në botë është në rritje, prej kërkesave të tregut aziatik, si Kina dhe India etj. dhe pakësimit të rezervave në botë. Rezervat e vlerësuara në botë janë rreth 950 milionë ton metal bakri, ndërsa ato të vendit tonë rreth 500 mijë tonë metal. Kjo shifër tregon se ne kemi rreth 0,055% të sasisë së rezervave të botës, e prej rreth 20 vjet nuk kemi kërkime që flasin për shtim të rezervave të reja, sepse shërbimi gjeologjik nuk funksionon si i tillë. Megjithatë, kemi disa kompani të huaja, të cilat më tepër se sa gjetje të reja, kanë riverifikuar rezervat tona që janë zbuluar shumë vite më parë.

DËMET QË SHKAKTOHEN

“Kompania koncesionare, që në fillim të viteve 2004 – 2005 ka shkelur plotësisht marrëveshjen e ligjin minerar, duke u përqendruar në trupin e pasur të Munellës e Lak – Roshit (të zbuluar që në vitin 1987), duke shfrytëzuar e përpunuar me tregues shumë të këqij këto vendburime”, - thotë specialistët e shfrytëzimit të bakrit. Më tej, theksohet se. “Janë abandonuar tërë objektet e marrëveshjes duke e ndryshuar plotësisht qëllimin, sepse ka lënë pa zhvilluar ciklin e plotë deri në rafinim me përfitim të bakrit elektrolitik, arit, argjendit, selenit, kripëra platini e palladiumi, etj.
Mendohet se deri tani kompania ka shfrytëzuar rreth 600 mijë tonë mineral të pasur në Munellë, me pasurim. (Shih të dhënat)
“Vetëm vlera e munguar nga mos përfitimi i bakrit dhe argjendit që është rreth 15 milionë dollarë mjaftonte për të riaktivizuar Uzinën e Bakrit në Rubik, në atë periudhë. Aktualisht, pas shkatërrimit të njërës fabrikë e një pjese të Uzinës së Rafinimit, duhen rreth 25 – 30 milionë dollarë për riaktivizim me zgjidhjen e problemeve mjedisore, por dëmi deri tani nga kjo kompani është rreth 3-fishin e investimit në fjalë”, - konstatojnë ekspertët. Nëse lejohet të shfrytëzohet në mënyrë selektive, mund të varrosen rreth 8 milionë ton rezerva më të varfra në minierën e Munellës dhe Lak – Rosh, të vlerësuara së bashku me dëmin e sipërpërmendur, që arrin në rreth 400 milionë dollarë.

HUMBJET
Rreth 4200 tonë metal bakri në mbeturinë në përroin e zonës
Rreth 2 tonë ar në mbeturinë
Rreth 34 tonë argjend në mbeturinë
Rreth 16 mijë ton zink në mbeturinë

(Vlerësuar me tregun, - bursa e metaleve në Londër, - duke zbritur shpenzimet e përpunimit, humbet në mënyrë barbare një pasuri në vlerë 75 milionë dollarë)

Shënim: Gazeta është e hapur për të publikuar reagimet që mund të vijnë nga palët e prekura apo institucionet përgjegjëse dhe nxit debatin në radhët e specialistëve të industrisë minerare në lidhje me zërat që flasin për shpërdorim të pasurisë kombëtare. Për çdo informacion mund të kontaktoni në redaksinë e gazetës “Albania”, ose mund të shkruani në adresën zyrtare të e-mail-it.

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›