E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjysmëfitimtarë dhe gjysmë të humbur dhe fati i të majtës

Përtej reflektimit të ideve të hedhura në librin e gazetarit Bektash Zeneli “Gjysmëfitimitarë dhe gjysmë të humbur”

Mr. Sc. Nikollë LOKA

Pasi ka dhënë një ndihmesë të çmuar si publicist në vitet e para të pluralizmit politik në Shqipëri, në periudhën kur ai ishte i angazhuar politikisht në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste në rrethin e Kurbinit dhe në nivel qendror, duket se Bektash Zeneli nuk është larguar nga pasioni i tij i vjetër i politikës dhe i publicistikës. Dëshmi për këtë janë tre librat e botuar me tituj domethënës: “Në kufijtë e dhimbjes dhe të shpresës”, “Udha e rritjes” dhe tani, libri i fundit “Gjysmëfitimtarë dhe gjysmë të humbur”.

Pasioni i vjetër vazhdon dhe Bektashi në rolin e analistit në librin e fundit na jep panoramën e ngjarjeve të zhvilluara në gjirin e të majtës shqiptare që nga viti 2005 e këtej, duke theksuar e nxjerrë në pah disa të vërteta që thuhen shkarazi, apo anashkalohen në debatet publike. E majta, që nga votimet e vitit 2005 e këtej nuk ka fituar për arsye të vetes. Dhe, kur është bashkuar ka fituar, siç ishte rasti i zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Pa u marrë gjatë me zgjedhjet politike të vitit 2005, autori ndalet dhe analizon standardin që arriti Partia Socialiste me dorëheqjen e liderit historik, Fatos Nano pas humbjes së këtyre zgjedhjeve.

Me ardhjen e Ramës në krye të Partisë Socialiste, për Zenelin, duhet të ruheshin vlerat që socialistët kishin krijuar ndër vite dhe Partia Socialiste të vazhdonte proceset reformuese duke ruajtur identitetin e saj. Ai merret shumë me fenomenin Rama dhe nxjerr përfundimin se kryetari i ri i socialistëve ishte interesuar më shumë për Edi Ramën sesa për interesat politike të socialistëve. Ndonëse nuk i bën ndonjë analizë të veçantë kompromisit Rama-Meta për zgjedhjet lokale, autori i librit e sheh këtë bashkëpunim si çelësin e arritjeve të atyre zgjedhjeve dhe nxjerr në pah se ky kompromis u arrit pasi Rama në atë kohë kishte nevojë për mbështetjen politike të LSI-së. Ndërsa pas fitores së mandatit të kryetarit të Bashkisë, vetë Rama mendoi se nuk do të kishte më nevojë për LSI-në dhe zhvilloi një politikë përjashtuese.

Bektash Zeneli, si disa socialistë të tjerë me kontribute reale afatgjata në Partinë Socialiste kishte menduar se Partia Socialiste e vetme nuk mund të vinte në pushtet, si dhe kishte konkluduar që para zgjedhjeve se strategjia elektorale e ndjekur nga Edi Rama nuk i maksimalizon votat e së majtës. Një lexues i vëmendshëm do të bëjë pyetjen: Po vetë Rama, a e dinte se strategjia e ndjekur nuk ishte zgjidhja më e mirë për të majtën? Me siguri që po; por Edi Rama, sikurse thotë autori, i kishte bërë llogaritë që të fitonte i vetëm (po të fitonte), ndërsa humbjen, siç doli më vonë, kërkon ta ndajë me të tjerët.

Si veprimtar i të majtës dhe ndjekës i zhvillimeve brenda saj, pas leximit të këtij libri më është konsoliduar mendimi se e majta humbi dy herë për shkak të vetes; thënë ndryshe për shkak të krizës së lidershipit që ka mbërthyer të majtën. A nuk ishin të çuditshme deklaratat e ndërsjella të Ramës e Metës, ku secili deklaronte se në rast të fitores së të majtës do të ishte Kryeministri i Shqipërisë. Por, ndryshe nga autori i nderuar i librit Bektash Zeneli mendoi se në të dy rastet; si në vitin 2005, edhe tani, - faktor i humbjes është edhe Ilir Meta. Sot ka shumë njerëz që e fajësojnë dhe e shfajësojnë Metën për çka ndodhi këto gjashtë vitet e fundit në gjirin e të majtës. Unë hyj në ata njerëz që kanë respekt për kontributin e Ilir Metës në politikën shqiptare, por kjo nuk më pengon të pohoj se Ilir Meta u nxitua dhe për dy herë radhazi veproi si politikan dhe jo si burrë shteti. Zhvillimet politike në gjirin e të majtës po tregojnë se Meta, Nano dhe Rama janë faktorë tek e majta. Atëherë pse luftuan aq gjatë për ta de-faktorizuar njëri-tjetrin këta individë të kthyer në liderë edhe me investimin e socialistëve, deri sa arritëm në këtë gjendje!!... Edhe sot ambiciet e Nanos, Metës dhe Ramës janë të pranishme dhe të mirëpritura nga segmente të caktuara të së majtës. Ndryshe nga miku im Bektash Zeneli, nuk mendoj se koalicioni i LSI-së me PD-në është një praktikë normale në botën demokratike. Ajo praktikë është përdorur në kushte të caktuara kundër ardhjes në pushtet, deri dje, të partive komuniste dhe përdoret sot, për të mbajtur larg pushtetit partitë e ekstremit të djathtë që janë fuqizuar shumë pas rënies së perdes së hekurt. Nuk është praktikë e zakonshme koalicioni i popullorëve dhe socialdemokratëve austriakë, pasi ishte i ndikuar nga detyrimi për të lënë jashtë qeverisë partitë ekstremiste. Po kështu ka ndodhur edhe në Itali midis demokristianëve dhe socialistëve, që kishin frikë nga forca e madhe që kishte në Parlament Partia Komuniste Italiane. Edhe koalicioni i madh gjerman, i praktikuar dy herë në Gjermaninë Demokratike është bërë për të mbajtur larg pushtetit partitë ekstremiste të djathta dhe të majta. Kështu veprohet edhe në vende të tjera që e kanë këtë rrezik, si në Belgjikë, e tjerë. Ndërsa koalicioni i Metës me Berishën u bë në kushte fare të zakonshme. Krijimi i qeverisë teknike, qeverisë së pakicës, apo mbajtja e zgjedhjeve të reja do të krijonte kushtet që demokracia shqiptare të vepronte në kushtet e normalitetit demokratik të diktuar nga vullneti i qytetarëve shqiptarë. Qeveria teknike dhe zgjedhjet e reja parlamentare do ta konsolidonin edhe më shumë praktikën demokratike në politikën shqiptare.

Koalicioni i LSI-së me PD-në nuk u bë rastësisht dhe pa asnjë synim politik. Disa nga arsyet na i thotë Zeneli në librin e tij. Disa të tjera ai nuk i përmend. Njëri ndër këta është edhe rezultati i dobët elektoral i LSI-së, (edhe sikur të merrte dyfishin e votave të marra, përsëri do të ishte larg synimit të vet elektoral), çka e detyroi lidershipin e saj të ndërrojë strategji, duke kaluar nga përpjekja për tu faktorizuar përmes rritjes së mbështetjes elektorale, në rolin e madh si balancuese e krahëve dhe garantuese e pushtetit, si rezultat i balancave delikate midis dy blloqeve të mëdha politike. Duket se me këtë strategji Ilir Meta e sheh LSI-në, jo thjeshtë si fituesen e radhës së këtyre zgjedhjeve, pasi, sidomos me këtë kod zgjedhor, apo ndonjë proporcional tjetër, roli I LSI-së do të mbetet vendimtar.

I shqetësuar për fatet e mëtejshme të së majtës, politikani dhe publicisti Zeneli i quan zgjedhjet politike të radhës si gjysmë-humbje dhe gjysmë-fitore dhe, sipas tij, më mirë një pjesë e të majtës në pushtet se pa pushtet fare. Zeneli, si analist i jashtëm dhe pa ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet e sotme politike në PS dhe LSI mendon se mund të ishte dhe më keq për të majtën, po të mos kishte fare pushtet. Por, Zeneli harron se e majta e kishte në dorë ta çonte pushtetin realisht gjysmë për gjysmë dhe të dilte fituese duke u bashkuar në zgjedhjet e parakohshme.

Analiza e hollësishme e zhvillimeve pesëvjeçare në gjirin e të majtës që autori na jep në këtë libër është një ndihmesë me vlerë të madhe për studiuesit e zhvillimeve të së majtës në Shqipëri. Si i tillë, ky libër duhet të jetë pjesë e bibliotekës personale të gjithë atyre individëve që kanë interesa për politikën. Autori e sheh të ardhmen e të majtës të bashkuar, si kushtin e vetëm për të fituar. Parë në këtë këndvështrim, libri është i vlefshëm për çdo socialist, pavarësisht partisë ku militon, sepse përcjell mesazhin se vetëm të bashkuar mund të fitohet pushteti. Dihet, tashmë, se e majta shqiptare sot është në krizë, jo për shkak të zhvillimeve normale brenda gjirit saj, por për shkak të krijimit të situatave jo-normale. Në gjirin e së majtës ishin, janë dhe ndoshta do të vazhdojnë të ekzistojnë tre faktorë: Rama, Meta dhe Nano. Këta tre faktorë duhet të merren vesh ndërmjet tyre. Ky konkluzion me vlerë i Bektash Zenelit duhet marrë parasysh, në rast të kundërt, e majta do të duhet të kënaqet edhe me këtë “gjysmë-fitore”, që publicisti i njohur Zeneli e thotë duke arsyetuar si politikan.

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›