E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkivat sekrete: Loja amerikane për ta mbajtur Titon larg sovjetikëve

Gazeta publikon materialet e deklasifikuara nga Shtetet e Bashkuara. Debati mes ekspertëve të Uashingtonit për çështjet e Lindjes komuniste

(Vijon nga numri i kaluar)

Rikthimi i Titos drejt Bashkimit Sovjetik do të jetë një dështim i madh për Perëndimin. Kështu shprehen ekspertët amerikanë gjatë një takimi të zhvilluar në janar të vitit 1977 për çështjet e Lindjes. Sipas arkivave sekrete të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilat janë deklasifikuar më 19 qershor të këtij viti, e gjithë përpjekja është që të mos lejohet Beogradi për të rihyrë në orbitën e sundimit sovjetik. Në anën tjetër, specialistët debatojnë edhe mënyrën se si duhet të ndërtohen marrëdhëniet diplomatike me kreun e shtetit jugosllav, Josif Broz Tito. Në shkrimin që sjellim sot për lexuesit shtrohet edhe çështja e një përplasjeje të mundshme mes Lindjes dhe Perëndimit përmes ndonjë sulmi që mund të ndërmarrin sovjetikët.

Ambasadori Davies: Unë mendoj se është tejet e rëndësishme të ngulisim në mendje se ne nuk jemi iniciues të asaj që është duke ndodhur në Europën Lindore. Ne duhet të jemi në gjendje të reagojmë për zhvillimet atje dhe të bëjmë atë që udhëheqësit lindorë mendojnë së është më e mundshme. Ne nuk mund t’i nxisim ata. Ne duhet t’i referohemi udhëheqjes më të mirë europiano-lindore, për të përllogaritur atë që është e mundur dhe që është në interesin tonë. Ata duhet ta dinë më mirë se sa larg mund të shkojnë dhe ne duhet të jemi orientues për këtë.

Ambasadori Strausz-Hupe: Kohët e fundit kam bërë një bisedë në këmbë me kolegun tim kinez. Analiza e tij është se struktura e Bashkimit Sovjetik është e rregulluar tashmë, dhe për këtë nuk mund të transformohet brenda gjithë organikës së saj. Konkretisht, tani po citoj frazën e tij në mënyrë të saktë: “Një sulm sovjetik mbi Europën Perëndimore është i pashmangshëm”. Unë konsideroj se pas kësaj teorie, të shprehur nga kolegu im kinez, ka më shumë detaje brenda saj. Ambasadori Bruce, unë do të isha i interesuar nëse ju mund të na tregonit se si e sheh këtë proces nga këndvështrimi kinez, jo vetëm në Europën Perëndimore, por edhe në Europën Lindore gjithashtu.

Ambasadori Bruce: Unë nuk mendoj se mund të shtoj më shumë në atë që ju ka thënë kolegu juaj kinez. Kinezët nuk ia lejojnë vetes asnjëherë pamaturinë e zyrtarëve të tyre nëpër botë dhe vetëm në ndonjë rast shumë të rrallë tolerojnë brenda në vendin e tyre. Mesazhi thelbësor i tyre është i qartë; ata duan të nxisin, sa më shumë të jetë e mundur, vëmendjen e Shteteve të Bashkuara që të ndërtojë mbrojtjen e saj kundër një sulmi potencial prej Bashkimit Sovjetik. Ata janë të shqetësuar rreth rritjes së fuqisë së sovjetikëve dhe kanë realisht arsye të jenë të shqetësuar.
Por shqetësimi i tyre, ndonëse pjesërisht ideologjik, parimisht është i lidhur pas interesave kombëtare kineze. Këto interesa janë që të ndryshojnë orientimin e vëmendjes së Bashkimit Sovjetik nga Lindja drejt Perëndimit.

Zoti Hartman: A ka ndonjë koment tjetër? Unë jam më tepër i habitur se kolegët tanë europiano-lindorë nuk i janë përgjigjur diferencimit të politikës tonë, por kjo mund të jetë më pak problem në situatën tonë post-Helsinki (pas krijimit të OSBE-së). Ne mund ta marrim vesh atë gjatë drekës.

Ambasadori Silberman: Unë dua të pyes se si i shikon ai marrëdhëniet me Jugosllavinë në të ardhmen.

Zoti Sonmenfeldt: Unë mendoj se ne dhe europiano-perëndimorët, në të vërtetë, edhe europiano-lindorët, kanë një interes; kufijtë e së cilës janë thelbësorë për ne në vazhdimin e pavarësisë së Jugosllavisë prej dominimit rus.
Sigurisht, ne shpresojmë që sjellja jugosllave do të vazhdojë të jetë e tillë, siç ka qenë edhe në të kaluarën; e përmbajtur nga fuqia sovjetike, por çdo kthim pas i Jugosllavisë brenda orbitës sovjetike mund të paraqesë një pengesë madhore strategjike për Perëndimin. Unë mund të them këtu se nuk ka argument që për ndonjë arsye, mundësisht të jetë e nevojshme që të rivitalizohen forcat jokomuniste në Itali.
Unë e mendoj se kjo mund të ketë ekzaktësisht efekt të kundërt. Po ashtu, ne jemi të interesuar rreth asaj se çfarë do të ndodhë kur të largohet Titoja dhe meraku ynë është që ne të kemi lidhje të mira. Ne kemi bërë diskutime rreth kësaj, ku në njërin prej tyre, me natyrë informale, me disa miqtë tanë të NATO-s, kemi rënë dakord që politikat tona duhet të jenë të drejtuara për të pasur sa më shumë kohë që të jetë e mundur në të ardhmen. Gjithashtu theksoj se ndonjë ide e tanishme, që ka të bëjë me synimin e përbashkët perëndimor për ta orientuar Jugosllavinë drejt Perëndimit pas largimit të Titos, kjo mund të shikohet nga Bashkimi Sovjetik si ngacmim i interesave jetike të tij dhe mund të kërkojë një përgjigje të fortë.
Kështu, politika jonë vazhdon të jetë ajo që kemi ndjekur që prej viteve 1948-1949, duke e mbajtur Jugosllavinë një pozicion të pavarësisë thelbësore prej Bashkimit Sovjetik. Tani, në të njëjtën kohë, ne duam që ata të jenë më pak të padurueshëm dhe mund t’i lejojmë që të distancohen vetëm shumë pak prej nesh.
Veçanërisht duhet t’u heqim atyre iluzionin e ndonjë koncepti se interesat tona në pavarësinë e tyre relative janë më të mëdha se sa të tyret, dhe për këtë ata kanë një shteg të lirë. Unë jam i sigurt se ju, Larry, do të gjeni mënyra t’ua rikujtoni atyre këtë gjë në këtë aspekt. Unë kam parasysh Porto Rikon, Panamanë dhe ndonjë tjetër të ngjashëm.

Ambasadori Cooper: Ky është takimi i parë i këtij lloji që unë kam ndjekur dhe kam dëgjuar me kujdes konceptet politike dhe ekonomike që u skicuan këtu. Për mua duket se ulja e tensioneve mes Lindjes dhe Perëndimit do të varet nga koha. Sot, shikojeni këtë nga jashtë; duket se ne kemi arritur disa suksese gjatë disa viteve të kaluara. Por këtu ka pasur edhe pengesa. Unë shoh ndjesinë në rritje të besimit përsa i përket Bashkimit Sovjetik dhe kjo është reflektuar edhe në Gjermaninë Lindore. Sigurisht, rreziku ekziston edhe në atë pjesë. Por, nëse ka një ndonjë kthim prapa në uljen e tensioneve, çfarë do të bëjmë ne tani, - veçanërisht në lidhje me Europën Lindore.
Zoti Hartman: Ne do të vazhdojmë të diskutojmë edhe gjatë drekës për mjetet që kemi në dorë. Siç kanë thënë sekretari i Shtetit dhe Hali, ne jemi të çalë nga mungesa e një instrumentalizimi tregtar, por ne kemi mënyra të tjera; qoftë shtetërore apo private që të ndikojmë në disa nivele të sjelljes së tyre.

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

Sfida amerikane, përballimi i Kinës si superfuqi e tretë

Vijon publikimi i arkikave sekrete të Departamentit Amerikan, të deklasifikuara në qershor të këtij viti
Specialistët debatojnë rreth mundësisë së shfaqjes së Kinës komuniste si superfuqi pas 20 vitesh
Paketa e propozimeve që ekspertët amerikanë do t’i paraqesin Kongresit për çështjen e Lindjes komuniste

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›