ISKSH dhe MSH, gati hartimi i një pakete shërbimesh
Autoritetet shëndetësore po punojnë për hartimin e një pakete shërbimesh për pacientët që do të futen në spitale. Në këtë mënyrë ISKSH-ja do të blejë shërbimet ku do të vendoset dhe pjesa e rimbursimeve që do të bëhen nga ky institucion.
“Aktualisht jemi duke punuar me Ministrinë e Shëndetësisë për përcaktimin e një pakete shërbimesh qartësisht të përcaktuar, pasi është themelore të dihet se çfarë shërbimesh do të blihen nga ISKSH-ja në spital, të cilat, kuptohet, do të përcaktohen më tej në kontratë”, - shprehet drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.
Njëkohësisht ajo ka folur për shtrirjen e skemës së sigurimeve shëndetësore, e cila do të përfshijë në janar të vitit 2009 të 42 spitalet në vend. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të mundësojë investimet në spitale.
QSUT, transplantimi i veshkave, brenda dhjetorit
Transplantimi i parë i veshkave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë do të kryhet brenda dhjetorit të këtij viti. Ky është premtimi që vjen nga autoritetet më të larta shëndetësore. Megjithëse askush nuk është i bindur, pasi drejtuesit e projektit kanë data të ndryshme në lidhje me nisjen e operacionit të parë. Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, shprehet se tashmë janë përcaktuar çiftet dhe data e transplantimit brenda muajit dhjetor. Por ajo shprehet se nuk kërkon ta bëjë publike datën e saktë. Sipas saj, është punuar shumë në këtë drejtim dhe dy herë në javë ekipi i transplantimit zhvillon takime me drejtorinë e QSUT-së.
Dje, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar
Për të pestin vit radhazi Fondacioni Vodafone Albania mbështet Fondacionin Shqiptar të të Drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuar, në projektin e prodhimit të karrigeve me rrota. Dje, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Njerëzve me Aftësi të Kufizuar, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Fondacioni Vodafone Albania njoftuan përfundimin e suksesshëm të projektit për prodhimin dhe shpërndarjen e një kontingjenti të ri të karrigeve me rrota për persona me aftësi të kufizuar, financuar prej Fondacionit Vodafone Albania. Përfituesit e këtij projekti janë persona me aftësi të kufizuar nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani. Aktualisht, në vendin tonë pagesën e personave me aftësi të kufizuar e përfitojnë rreth 116 960 persona, ku bëjnë pjesë të verbër, para e tetraplegjikë, persona të paaftë mendorë e fizikë si dhe invalidët e punës.
4 Dhjetor 2008