E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Godo, “krizë besimi” ndaj spitaleve të rretheve

Godo do të inspektojë të gjitha spitalet për të kryer verifikimet. Ndarja e buxhetit të MSH-së sipas mungesave që kanë spitalet e vendit

Emanuela Sako

Buxheti i Shëndetësisë për 2009-n do të shpërndahet sipas nevojave që do të kenë spitalet e vendit dhe do të jetë vetë ministrja e Shëndetësisë që do të inspektojë spitalet e vendit. Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se drejtoritë e spitaleve raportojnë në çdo kohë për problemet që kanë, por Godo ka kërkuar që t’i verifikojë nga afër të gjitha ato që raportohen. Duke u nisur nga situatat që do të gjejë, do të bëjë të mundur dhe shpërndarjen e buxhetit dhe plotësimin e mangësive që kanë spitalet. Kështu, në axhendën e ministres do të jenë të gjitha spitalet që kanë ngelur pa u inspektuar, si ato në jug të vendit, dhe në veri. Kjo ndodh pasi spitalet kanë mjaft probleme me plotësimin e nevojave në sajë të buxhetit të akorduar në vitet e kaluara.
Spitalet
Spitalet që do të inspektohen drejtpërdrejt nga ministrja Godo do të jenë spitalet e Përrenjasit, të Pogradecit, Korçës etj. Edhe gjatë ditëve të javëve mungesat e theksuara në spitalet e rretheve po verifikohen nga Ministria e Shëndetësisë, e cila çdo ditë pret relacione të detajuara nga drejtoritë e spitaleve rajonale. Për zgjidhjen e mungesave në medikamente, aparatura dhe specialistë, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune, i cili ka kontakte direkte me rrethet, duke mundësuar plotësimin e kushteve më emergjente. Ankesat e drejtorive të spitaleve rajonale janë për mungesat e barnave dhe të aparaturave, por një çështje tjetër që kërkon më shumë kohë dhe një strategji të detajuar është mungesa e mjekëve specialistë.
Situata
Situata në spitalet rajonale në rrethe të ndryshme të vendit shfaqet tepër e vështirë. Njëkohësisht, Ministria po angazhohet për të zgjidhur mungesën e theksuar të mjekëve, problem që është pjesë e draftit që po hartohet nga specialistët për plotësimin e nevojave që kanë spitalet për mjekë. Autoritetet shëndetësore kanë përcaktuar se cilat janë spitalet më problematike të vendit, duke cilësuar dhe shërbimet që nuk kryhen në këto spitale. Me mungesa më të dukshme të mjekëve janë një pjesë e madhe e spitaleve në veri të vendit, si në Kukës, Tropojë, Dibër etj. Probleme të mungesës së mjekëve janë evidentuar edhe në jug të vendit, ku mund të përmenden Spitali Rajonal i Tepelenës, i Gjirokastrës, Sarandës etj. Shërbimet shëndetësore mbulohen në spitalet e rretheve të mëdha, ku mund të përmenden Tirana, Fieri, Durrësi, Elbasani, si dhe të gjitha ato spitale që kanë numër më të lartë popullsie dhe janë më afër kryeqytetit.
Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një nismë për hapjen e një shkolle njëvjeçare ku do të përgatiten menaxherë apo kontrollorë për t’u marrë me procedurat e tenderave që do të kryhen.

Zgjerohet skema për banesat sociale në kryeqytet

Pritet përshpejtimi i ndërtimit të banesave sociale dhe strehimi i familjeve në nevojë

Këshilli Bashkiak do të miratojë shumën e akorduar për banesat sociale

Emanuela Sako
Shtohet fondi i përcaktuar për ndërtimin e 350 banesave sociale. Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB) i ka akorduar Bashkisë së Tiranës një shtesë fondi për ndërtesat sociale, me vlerë 5 milionë e 685 euro. Në këtë mënyrë ndërtimi i banesave do të jetë më i shpejtë dhe do të ketë më tepër mundësi për shtimin e banesave sociale. Tashmë pritet miratimi i projektvendimit nga mbledhja e ardhshme e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Qytetarët e Tiranës që rezultojnë të pastrehë presin përfundimin e punimeve për zbatimin e projektit për ndërtesat sociale dhe strehimin sa më të shpejtë të tyre. Për këtë çështje Bashkia e Tiranës po mundëson sigurimin e fondeve të nevojshme dhe përfundimin e punimeve në afatet e përcaktuara.
Projekti
Bazuar në Marrëveshjen e Nënhuas CEB-i do të marrë pjesë në financimin e Projektit duke mbuluar 60% të kostove totale të përshtatshme për realizimin e tij, ndërsa pjesa tjetër e kostove do të mbulohet me 35.3% nga Bashkia e Tiranës dhe 4.7% nga buxheti i shtetit. Ministria e Financave, e cila sipas Marrëveshjes së Nënhuas së nënshkruar do të mbulojë TVSH-në, si dhe do të marrë përsipër të përballojë pagesat e interesave për fondet e kredisë për bashkinë sipas kërkesës së saj. Tashmë janë zgjedhur dhe banesat apo asetet të cilat do të kthehen në banesa sociale për qytetarët, ku një prej tyre do të jetë dhe ndërtesa e ish-Uzinës së Autotraktorëve, apo mjaft ndërtesa të tjera që do të ngrihen nga e para.
Qytetarët
Qytetarët mund të bëhen pronarë të banesave sociale duke e regjistruar pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme banesën që do ta përfitojnë nga Bashkia e Tiranës. Mjaft ndërtesa të tjera të paprivatizuara kanë mundësinë të kthehen në banesa sociale, përveç atyre që do të ndërtohen në Shkozë. Këto ndërtesa do të shpërndahen për banorët që do të aplikojnë pranë Drejtorisë së Strehimit në Bashkinë e Tiranës. Njëkohësisht këto do të verifikohen dhe do të jenë pjesë e Listës së Inventarit të Pronave të Paluajtshme. Projekti i Bashkisë së Tiranës synon të strehojë të gjitha familjet në nevojë nëpërmjet marrjes me kredi, shitjes me kosto të ulët, apo dhënies me qira të disa apartamenteve. Në bazë të këtij projekti Bashkia synon të strehojë familjet e pastreha duke paraqitur si zgjidhje strehimin e tyre nëpërmjet ndërtimit me kredi të disa apartamenteve sociale me qira. Projekti parashikon ndërtimin e 350 apartamenteve sociale në periferi të Tiranës, pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë. Në Drejtorinë e Strehimit Social pranë Bashkisë së Tiranës deri tani janë dorëzuar rreth 3372 formularë, mes të cilëve do të bëhet përzgjedhja në bazë të kritereve të përcaktuara.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›