E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e reja për pension për Policinë e Burgjeve

Drafti i Ministrisë së Drejtësisë është i vlefshëm edhe për ish-efektivët. Masa e përfitimit sipas llojeve të pensioneve për të gjitha pozicionet

Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Drejtësisë, draft të ri për pensionet e Policisë së Burgjeve. Burime pranë këtij dikasteri shpjeguan dje për gazetën “Albania” se janë përcaktuar kushte të reja që do të zbatojnë të gjithë gardianët për të përfituar pension. Të njëjtat burime shpjegojnë se i njëjti draft është i vlefshëm edhe për ish-efektivat e burgjeve. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm kushtet dhe masën e përfitimit sipas llojeve të pensioneve që përfitojnë policët e burgjeve.
Kushtet
Projektligji ka përcaktuar kushte të reja për përfitimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi për policët e burgjeve. Sipas draftit të ri, punonjësi i Policisë së Burgjeve që ndërpret karrierën përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi kur të ketë arritur moshën 47 vjeç dhe të ketë plotësuar vjetërsi në shërbim 15 vjet, për meshkujt dhe në ato raste
kur kanë arritur moshën 42 vjeçe dhe kanë plotësuar vjetërsi në shërbim 12 vjet për femrat.
Përfitimi
E drejta e përfitimeve që rrjedhin nga sigurimi shoqëror suplementar varet nga koha e shërbimit si punonjës i Policisë së Burgjeve; periudha e njohur si ushtarak i shërbimit aktiv, në Forcat e Armatosura të RSH; periudha e njohur si punonjës i Policisë së Shtetit; periudha e ndërprerjes së karrierës për shkak të një vendimi të padrejtë; gjysma e periudhës së kaluar si punonjës në sektorë të tjerë si dhe periudha jashtë strukturave të Policisë së Burgjeve, para fillimit të karrierës në Policinë e Burgjeve. Në çdo rast, periudha gjashtë muaj e një ditë quhet vit i plotë. Paga referuese për efekt të llogaritjes së përfitimit është paga bazë dhe shtesat mbi pagën bazë për kushte të tjera të veçanta të vendit të punës e të shërbimit, në çastin kur punonjësit të Policisë së Burgjeve i lind e drejta e përfitimit.
Pagesa kalimtare
Largimi
Punonjësi i Policisë së Burgjeve, që ndërpret marrëdhëniet e punës për shkak të shkurtimit të funksionit për arsye të ristrukturimit dhe që ka jo më pak se 12 muaj shërbim, përfiton pagesë kalimtare. Pagesa kalimtare jepet në masën 50 % të pagës mujore të muajit të fundit të shërbimit. Punonjësi i Policisë së Burgjeve përfiton pagesë kalimtare derisa t’i ofrohet një vend tjetër pune për t’u rikthyer në shërbim ose në struktura të tjera shtetërore, por jo më shumë se tre vjet.

Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi

Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 % e pagës referuese. Për çdo vit tjetër vjetërsie në shërbim mbi kufirin e përcaktuar, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese.

Shuma e përfitimit të llogaritur nuk mund të jetë më e madhe se 70 % e pagës referuese. Për efekt të llogaritjes së shtesës, periudha mbi 6 muaj njihet vit e plotë

Në rastet kur punonjësi i Policisë së Burgjeve trajtohet me pagesë kalimtare, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi jepet pas përfundimit të kësaj periudhe

Periudha, gjatë së cilës punonjësi përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet si periudhë sigurimi për përfitim të pensionit të pleqërisë, invaliditeti e familjar

Pension suplementar pleqërie

Punonjësi i Policisë së Burgjeve, që plotëson kushtet për pension pleqërie sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, gëzon të drejtën për pension suplementar pleqërie.

Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 % të pensionit të plotë të pleqërisë kur punonjësi ka vjetërsi shërbimi 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt.
Për çdo vit të vjetërsisë në shërbim mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit të pleqërisë shtohet me 2 % të pensionit të plotë të pleqërisë.

Pensioni suplementar i pleqërisë në çdo rast nuk mund të jetë më i madh se 70 % e pensionit të plotë të pleqërisë.
Punonjësi i Policisë së Burgjeve, me vjetërsi në shërbim më pak se 12 vjet për gratë e 15 vjet për burrat, për çdo vit shërbimi përfiton pension suplementar në masën 2 % të pensionit të plotë të pleqërisë.

Pension suplementar invaliditeti

Punonjësi i Policisë së Burgjeve, që plotëson kushtet për pension invaliditeti, sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, gëzon të drejtën e pensionit suplementar të invaliditetit, të llogaritur në masën 1% mbi pagën referuese, për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 % të pensionit të plotë të invaliditetit

Kur invaliditeti shkaktohet gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të saj, masa e pensionit suplementar të invaliditetit të plotë është sa diferenca ndërmjet pagës referuese dhe masës së pensionit të llogaritur sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar

Kur invaliditeti është i pjesshëm, masa e pensionit suplementar të invaliditetit është 50 % e diferencës ndërmjet pagës referuese dhe masës së pensionit të llogaritur sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

Pensioni suplementar familjar

Personat që janë në ngarkim të punonjësit të Policisë së Burgjeve që vdes dhe që përfitojnë pension familjar sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", gëzojnë të drejtën e përfitimit të pensionit suplementar familjar

Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar llogaritet në masën 50 % për bashkëshortin/en, i/e ve dhe 25 % për çdo jetim ose person tjetër përfitues, por kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100 % e pensionit suplementar që merrte apo i takonte të ndjerit

Masa e përftimit të pensionit suplementar familjar për punonjësit e Policisë së Burgjeve, që humbasin jetën për shkak të detyrës, llogaritet në masën 100 % të pagës referuese, shtesë mbi pensionin familjar

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›