E Shtunë, 31 Tetor 2026

Theu kompjuterat e studios belge, arrestohet 31-vjeçari



Tiranë - Specialistët e Seksionit kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Shkatërrimit të Pronës mundësuan kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Oltion Kokona, 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi u kap në ambientet e studios belge “51N4E” në rrugën “Konstandin Kristoforidhi” duke dëmtuar pajisjet elektronike. U kryen veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës”, parashikuar nga Neni 150 i Kodit Penal. Studios belge “51N4E” i është besuar rehabilitimi i sheshit “Skënderbej”. Ajo u shpall muaj më parë fituese e konkursit për rehabilitimin e sheshit. Pasi ka analizuar cilësinë arkitekturore, mënyrën e organizimit të hapësirës, cilësinë urbane të projekteve, sheshin si vend ku do të ecin këmbësorët, ambientin ku do të përqendrohet trafiku, ndërhyrjen arkitekturore urbane, ndërhyrjen artistike, juria ndërkombëtare është mbështetur për të marrë unanimisht vendimin për të shpallur fituese studion belge. Projekti i plotë i studios fituese “51N4E” ka në përmbajtjen e tij rigjallërimin e sheshit “Skënderbej”. Sipas projektit, sheshi ngjitet butësisht në qendër (pjerrësi 3 %), duke arritur në lartësinë 2.3 m mbi lartësinë e skajeve. Ndërtesa e Teatrit të Operës dhe Baletit do të plotësohet me një hyrje në përmasa të mëdha, duke mbuluar oborret e jashtme ekzistuese, për të shërbyer për kongrese dhe ngjarje të rëndësishme. Xhamia do të kornizohet nga një dysheme e re, pak më e ngritur, për t’i dhënë asaj vetë më shumë hapësirë dhe për ta bërë të duket sikur është ulur mbi një qilim madhështor.

Gjykata e Apelit jep 25 vjet burg për Zylfije Haklajn

TIRANË - Gjykata e Apelit në Tiranë dënoi dje me 25 vjet burg Zylfije Haklajn nën akuzën e vrasjes së dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve 6 vjet më parë në qytetin e Bajram Currit, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Gjykata e Apelit e shpalli fajtore të pandehurën Haklaj për vrasjen me armë zjarri të shtetasve Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani si dhe për plagosjen e Kujtim Dushas dhe Hysen Biberajt më 2 prill 2002 në qendër të Bajram Currit. Sipas vendimit të gjykatës, Zylfie Haklaj e ka kryer krimin në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllezërve të saj. Ndërkohë që e pandehura është proceduar në mungesë nga Gjykata e Tiranës dhe më pas edhe nga ajo e Apelit pasi rezulton në kërkim nga autoritetet policore.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›