Arma e paregjistruar në ngjarje tjetër
Ekspertimi balistik
Arma e përdorur në krimin ndaj gjyqtarit Ardian Nuni, rezulton pa precedent në krime të tjera.
Ekspertët balistikë nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes kanë arritur në përfundim se tre plumbat që kanë qëlluar trupin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Nuni, dyshohet se kanë dalë nga një pistoletë e kalibrit 7.65 mm.
Fishekët e këtij kalibri të vogël përdoren kryesisht nga pistoleta të vogla, si "Makarov", "Minbloë", apo automatik "Scorpions".
Dëshmia e Nunit, ka qenë se autori mbante një pistoletë në dorë. Sipas hetuesve dyshohet arma mund të ketë qenë pistoletë e tipit "Mini bloë", të cilat kohët e fundit kanë hyrë me bollëk, brenda territorit shqiptar.
Policia bëri të ditur dje se gëzhojave që u gjendën në vendin ku u plagos 40-vjeçari Nuni, iu krye eksperti balistik për të verifikuar nëse arma është përdorur në krime të tjera. Nga krahasimet rezulton se me pistoletën e përdorur nga atentatorët e gjyqtarit i përket një kalibri të vogël dhe se ajo nuk është përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale.
Burime nga policia thanë se paraprakisht përgjigjja është dhënë dje nga specialistët e Laboratorit të Policisë Shkencore, gjë e cila iu depozitua edhe prokurorisë për Krimet e Rënda që po heton më tej atentatin ku mbeti i plagosur Ardian Nuni, anëtari i Gjykatës së Lartë. Në vendngjarje u sekuestruan me cilësinë e provës katër gëzhoja pistolete të kalibrit 7.65 mm, të cilat kaluan për ekspertim me qëllim verifikimin e armës së krimit nëse ajo ishte përdorur në ngjarje tjetër, ndërsa përgjigjja ka qenë negative.
Mjekimi
Gjyqtari lë spitalin, kthehet në banesë
Mjekët lejuan gjyqtarin Ardian Nuni të lërë spitalin për tu rikthyer në banesën e tij. Gjendja shëndetësore e 40-vjeçarit Nuni u përmirësua ndjeshëm, duke bërë që ai të largohet nga Spitali Ushtarak në pavijonin VIP ku qëndroi prej mbrëmjes së të dielës. Aktualisht ai merr mjekimet në banesën e tij që ndodhet në katin e shtatë të një pallati shumë katesh pranë rrugës "Komuna e Parisit" në Tiranë.
Fill pas dërgimit në banesë, kolegë, miq dhe të afërm të gjyqtarit i kanë shkuar atij për vizitë në shtëpi. Ndërkohë që pavarësisht se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar sërish Nuni nuk ka pranuar të flasë për mediat.
"Do të flasë kur ti vijë koha, për momentin ka të tjera halle, është i sëmurë nuk është në gjendje të rrëfejë për mediat",- u shpreh mbrëmë babai i gjyqtarit për "Shekullin". "Ai është i tronditur edhe psikologjikisht, nuk është gati të flasë",- shtoi më tej babai i Ardian Nunit.