E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati ndaj Nunit, merren në pyetje pedagogët

Prokuroria dhe policia kanë ngritur tri pista mbi sulmin ndaj gjyqtarit, atë për shkak të detyrës si pedagog, si gjyqtar dhe personale

Shumë prej studentëve e pedagogët në fakultetin Juridik, kanë mbetur në provimin e tij, të "Të Drejtës Civile"


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, mëngjesin e djeshëm mori në pyetje disa nga pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë, për problemet e mundshme të gjyqtarit Ardian Nuni me studentët e këtij fakulteti.


Lajm është bërë i ditur nga burime zyrtare të akuzës si dhe prej vetë pedagogëve të Juridikut, të cilët për disa minuta kanë pritur në hyrje të institucionit të akuzës para se të merren në pyetje nga prokurori i çështjes Xhevat Hana.


Sipas burimeve, arsyeja e thirrjes së pedagogëve në prokurori ka qenë zbardhja e ndonjë incidenti të mundshëm të kohëve të fundit mes pedagogut të jashtëm të këtij fakulteti, gjyqtarit Nuni dhe studentëve të vitit të parë, ku ai ligjëron në lëndën e "E të Drejtës Civile".


Vetë pedagogët kanë dëshmuar se gjyqtari Nuni ka qenë mjaft i komunikueshëm me stafin e kolegëve dhe studentëve paçka se shumë prej këtyre të fundit nuk kanë arritur të kalojnë në lëndën e tij për shkak të vështirësisë së lëndës që ai ligjëron. Në mesin e pedagogeve të pyetur nga prokuroria mësohet se kanë qenë edhe asistentët e gjyqtarit Nuni, të cilët kanë korrigjuar testet e provimit të studentëve.


Ato kanë konfirmuar numrin e lartë të studentëve që nuk kanë mundur të marrin notë kaluese në këtë lëndë, jo për faj të gjyqtarit Ardian Nuni por të vështirësisë së lëndës. Sakaq mësohet se po vetë pedagogët gjatë deklarimeve të tyre kanë mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e mundshme të gjyqtarit Nuni në ndonjë debat me studentët e viti të parë për notat e provimit.


Hetuesit kanë thirrur dhe shoqëruar për t'u pyetur një numër të madh personash. Mes tyre mësohet se janë përfshirë studentë, roje parkingu, policë, dëshmitarë të ndryshëm dhe familjarë që e kanë shoqëruar gjyqtarin Nuni nga banesa për në Spital për tu mjekuar.


Pistat


Sipas prokurorisë, hetimet e plagosjes së gjyqtarit Nuni janë zgjeruar, ndërsa mësohet se janë ngritur tri pista kryesore për të cilat po punohet në zbardhjen e tyre.


"Pistat e hetimit të prokurorisë janë ngritur në tre drejtime, atë të vrasjes për shkak të detyrës si gjyqtar, detyrës si lektor në Fakultetin e Drejtësisë.


Pista e tretë që është edhe më shumë dyshuese, është ajo për shkaqe banale apo personale",-thuhet nga akuza. Këto pista pritet të analizohen mbi bazën e provave dhe argumenteve mbi secilën.


Ato pritet të analizohen nga grupi i hetuesve të posaçëm të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe zyrës së Antiterrorit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Tri ditë më parë, aty rreth orës 23:45 minuta kur gjyqtari Nuni po kthehej në banesën e tij që ndodhet në rrugën "Komuna e Parisit", pas një takimi miqsh, është qëlluar nga tre plumba.


Autori, sipas dëshmisë, ka qenë një person i veshur me rroba të zeza dhe me kapuç dimëror në kokë. Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë gjyqtari Nuni, mësohet se pasi ka parkuar makinën dhe është drejtuar në hyrjen e pallatit i është afruar një djalë rreth të 25-ve dhe ka qëlluar direkt ndaj tij me pistoletë dhe më pas është larguar me vrap.


Për këtë tentim vrasjeje, prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal për këtë ngjarje si "vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë" ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›