E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon në mbledhjen e këshillit, përjashtohet nga universiteti

VLORË/ Pedagogu Sokol Gjika u pushua nga puna pasi mori pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak

VLORË - Një grup prej 15 këshilltarësh kanë kërkuar mbledhjen urgjente të këshillit bashkiak të Vlorës.


Shkak për këtë është bërë pushimi nga puna i një pedagogu të jashtëm në Universitetin e Vlorës, i cili është këshilltar i grupit socialist në këshillin bashkiak. Urdhri që i është dhënë këshilltarit për ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve me Universitetin e Vlorës është firmosur nga zv.rektori Ëngjëll Liçaj.


Ai daton në datën 5 shkurt kur edhe ka qenë mbledhja e fundit e këshillit bashkiak. Sipas këshilltarit Agron Gjipali, mungesa pse ka qenë në këshill ka qenë edhe shkaku që ka penalizuar pedagogun e jashtëm, i cili jepte mësim në Departamentin e Gjuhëve të Huaja.


Në urdhër shkruhej se pedagogu i jashtëm Sokol Gjika, lirohet nga detyra për kushte që nuk kanë lidhje me Universitetin e Vlorës.

Ka qenë pikërisht ky motivim që ka sjellë reagimin e menjëhershëm të grupit të këshilltarëve, të cilët edhe kanë kërkuar mbledhjen jashtë radhe, e cila do të zhvillohet të enjten. Këshilltarët që kanë firmosur kërkesën, e kanë motivuar mbledhjen urgjente për shkeljen që po i bëhet institucionit të këshillit.

Sipas kërkesës është shkelur baza ligjore, e cila i lejon çdo këshilltari të mos pengohet gjatë kohës kur zhvillohen mbledhjet e këshillit bashkiak. Sekretari i këshillit bashkiak, Agron Gjipali, shprehet se nuk është normale kjo që po i bëhet këshillit bashkiak. Sipas tij, nga ana e universitetit është shkelur baza ligjore, e cila vë në funksionim këshillin bashkiak. "Ne kemi ftuar në këtë mbledhje edhe rektorin dhe zëvendësrektorin e Vlorës për të sqaruar mirë problemin.


Këshilli bashkiak i Vlorës nuk e ka penguar asnjëherë funksionimin normal të universitetit, përkundrazi, ka ndihmuar në procedurat ligjore që vareshin nga ky këshill. Nuk është normale që Universiteti i Vlorës të funksionojë kështu, - vijon Gjipali, - pasi nuk është repart ushtarak".


Gjithsesi, zv.rektori i Vlorës, Ëngjëll Liçaj, është shprehur se pedagogu është i jashtëm dhe nuk ka pasur një kontratë. Sipas tij, lënia e mësimit nga pedagogu është bërë edhe herë të tjera.


"Për rastin në fjalë, - shpjegon Liçaj, - bëhet fjalë për një pedagog të jashtëm, që ka më tepër nevojë të rrijë tek ne për të plotësuar CV-në e tij. Nuk ka pasur kontratë dhe ne mund ta zëvendësojmë me një tjetër që plotëson standarde më të larta se ai".

Përsa i përket mbledhjes jashtë radhe të këshillit, ku Liçaj është ftuar, zv.rektori tha se do ta pranojë ftesën, duke shtuar se "do t'iu kujtoj këshilltarëve se Vlora ka shumë probleme për të zgjidhur".


Vetë pedagogu dhe këshilltari bashkiak Sokol Gjika, i cili është pjesë e së majtës në këshillin bashkiak të Vlorës, ka shpjeguar se ka njoftuar shefen e departamentit se do të mungonte ditën e mbledhjes së këshillit bashkiak.

Por kjo, sipas tij, nuk ka mjaftuar. Ajo që e ka e indinjuar pedagogun, ka qenë shkelja që po i bëhet këshillit bashkiak, ndërsa nuk e ka cilësuar këtë aspak një penalizim personal. "Nuk është një masë e marrë ndaj meje, por ndaj këshillit. Unë jam i zgjedhur nga vota e popullit, - tha ai, - dhe kam të drejtën kushtetuese ta përfaqësoj atë". Duke shpjeguar komunikimin që ka pasur me Liçajn, pedagogu pohon se ai ka qenë kontakti i tij i parë me këtë drejtues.

"Atë ditë kisha mësim me një grup të vitit të dytë të degës së italishtes, nga ora 13:00 deri në 14:00. Mbledhja e këshillit ka mbaruar në këtë orë. Më njoftoi në mënyrë konfidenciale një student, cili më më mori në telefon dhe më tha "hajde, se këtu po bëhet nami për mungesën tënde".

Nuk pritën as të komunikonin me mua e të sqaroheshin, por me mbërritjen time në universitet, e kishin firmosur shkresën për largimin tim. Liçaj më pas nuk pranoi të shikonte as dokumentin që vërtetonte praninë time në mbledhjen e këshillit bashkiak, por më tha se tani mund t'i përkushtohesha më mirë këshillit". Pedagogu pohon se ky është viti i tretë që ai ushtron funksionin si pedagog i jashtëm në Departamentin e Gjuhëve të Huaja, në universitetin "Ismail Qemali".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›