Uidhers, autoritetet duhet të zbardhin atentatin ndaj Nunit
Ambasadori
TIRANE- Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Xhon Uidhers, pohoi dje gjatë një takimi me kryetaren e Gjykatës së Lartë, se agjencitë Ligjzbatuese dhe të hetimit të krimit, duhet të bëjnë më së miri punën e tyre për zbulimin e autorëve të atentatit ndaj gjyqtarit Ardian Nuni.
Uidhers, tha se shprehte shqetësimin e tij në lidhje me këtë ngjarje ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë. Uidhers reagoi në lidhje me plagosjen e Ardian Nunit, vetëm një ditë pas ngjarjes së të dielës në mbrëmje kur Nuni ra pre e një atentati me armë zjarri, pranë banesës së tij.
Më tej ambasadori i SHBA-së , në takimin me Znj Beçaj, tha se organet e pavarura të drejtësise duhet të jenë, në frontin e luftës antikorrupsion, në respekt absolut ndaj parimeve demokratike. Sipas zëdhënëses së kësaj Gjykate, Ida Vodica, kreu i institucionit, Shpresa Becaj, vlerësoi ndihmën e vazhdueshme që qeveria amerikane i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin tonë.
Kjo ndihmë sipas saj, është dhënë nëpërmjet organizmave të ndryshme që operojnë në Shqipëri në këtë fushë, me qëllim arritjen e një drejtësie sa më bashkëkohore. Takimi i djeshëm mes, kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, sipas zëdhënëses, ka pasur qëllim për të takuar drejtuesen e sapozgjedhur në këtë post. Sipas zëdhënëses Vodica, Uidhers, u shpreh i sigurt se znj.
Becaj do ta kryejë më së miri detyrën e saj të rendësishme në krye të Gjykatës së Lartë, duke vlerësuar edhe përvojën profesionale të saj. "Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri përbëhet nga gjyqtarë shumë profesionistë dhe me integritet të lartë, të cilët janë të përkushtuar në zbatimin e Kushtetutes dhe ligjeve".