E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laçi: Unë jam drejtuesi i vetëm i Partizanit për tre vitet e ardhshme

Nuk mund të lejoj që  Gaz Demi, Lulëzim Sallaku apo kushdo person tjetër qoftë, të vijë te Partizani me qëllim që të marrë borxhet, që i ka Albert Xhani, por jemi të hapur për investime

Nga ILIR CARA

Albert Xhani konsiderohet i ikur, por sërish te Partizani emri i tij është më i lakuari. Aksionet që Xhani pretendon të shesë thuhet se do ti marrin persona që ish-presidenti i të kuqve u detyrohet shuma të ndryshme. Por ortaku i Xhanitn në shoqëri, Paro Laçi, nuk është dakord me pretendimet e tyre se u kalon e drejta e administrimit të klubit. Në një deklaratë të shpërndarë dje për mediat, Paro Laçi sqaron se ai është drejtuesi i vetëm i Partizanit në tre sezonet në vazhdim, sipas një marrëveshje të bërë edhe në FSHF. Laçi sqaron se: Nuk mund të lejoj që  Gaz Demi, Lulëzim Sallaku apo kushdo person tjetër qoftë, të vijë te Partizani me qëllim që të marrë borxhet, që i ka Albert Xhani, por jemi të hapur për investime. Gjithashtu Laçi pohon se Partizani është gati për sezonin ku synohet ngjitja në superligë dhe suksesi në Kupën e Shqipërisë, ku si fillim kërkohet eliminimi i Tiranës. Ja edhe deklarata e plotë e bërë për mediat nga aksionari Paro Laçi:

Dua të informoj të gjithë opinionin publik në lidhje me tymnajat më të fundit, që Albert Xhani ka hedhur në treg nëpërmjet medias ditët e fundit, duke emëruar administrator të shoqërisë tregtare Partizani sh.a, zotin Lulëzim Sallakun. Në lidhje me këtë emërim, duhet të them se ai është tërësisht i paligjshëm, duke qenë se administratorin e emëron asambleja e shoqërisë dhe jo një person i vetëm Albert Xhani. Aktualisht asambleja e shoqërisë është e bllokuar dhe ne si ortak të këtij klubi, kishim arritur një akord paraprak me Albert Xhanin për të funksionuar shoqëria. Zoti Xhani deri në këto momente ka shumë gjëra në dëm të këtij klubi legjendar, por që tani e në vazhdim nuk mund të bëjë më asgjë. Ajo, që mund të them është se drejtuesi i vetëm i Partizanit për tre sezonet e ardhshme futbollistike do të jem unë, në bazë të marrëveshjes që është arritur me Federatën Shqiptare të Futbollit. Unë kam qenë gjithmonë i hapur për të bashkëpunuar me ortakun tim, por edhe me cilindo person tjetër që është i gatshëm të kontribuojë te Partizani. Kështu, që nëse aksionarë të rinj, cilido qofshin ata do të duan të japin kontributin e tyre në këtë skuadër janë të mirëpritur. Por, unë në asnjë mënyrë nuk mund të lejojë, që Partizani të bëhet objekt i shlyerjeve të borxheve private që ka trashëguar në gjithë këto vite Albert Xhani. Nuk mund të lejoj që  Gaz Demi, Lulëzim Sallaku apo kushdo person tjetër qoftë, të vijë te Partizani me qëllim që të marrë borxhet, që i ka Albert Xhani. Me personat e sipërpërmendur unë kam marrëdhënie shumë të mira personale dhe  kam biseduar me ta për çështjen e Partizanit dhe për çështjen e aksioneve të Albert Xhanit. Por, me këtë çështje nuk mund të merret as Albert Xhani, as Lulëzim Sallaku dhe as Gaz Demi, por vetëm avokatët tanë, të cilët tashmë kanë nisur nga puna për përpilimin e dokumentacionit të shitjes së aksioneve. Janë avokatët ata që në bazë të ligjeve do të rivënë në punë shoqërinë tonë, e cila tashmë është e falimentuar. Unë kam kërkuar edhe një ekspert financiar që të bëjë vlerësimin e aksioneve të Albert Xhanit në bazë të gjendjes financiare që ka shoqëria jonë dhe nëse do të ketë një person që do të blejë ato aksione ai jam unë, pasi ligji me jep të drejtën e parablerjes si një ortak i shoqërisë. Për sa i përket skuadrës duhet të them se ajo është e kompletuar dhe po vazhdon stërvitjet në Durrës. Jemi akoma në merkato për të afruar lojtarë cilësorë nga tregu vendas dhe i huaj. I premtoj tifozëve të Partizanit se ekipi sezonin tjetër do të  jetë në Superiore dhe do të ketë objektiv parësor fitimin e Kupës së Republikës, duke eliminuar nga ky kompeticion Tiranën. Unë zotohem se në asnjë moment nuk do ta braktis Partizanin dhe do të jap shpirtin për këtë skuadër.

Sulmuesi Igor Lambuliç nuk e kalon klasën

Prej ditësh me të kuqtë është përgatitur edhe sulmuesi Igor Lambuliç. Malazezi u testua nga stafi teknik në dy ndeshjet e fundit miqësore, ndaj Luzit dhe Egnatias, por pas testit të djeshëm në Rrogozhinë është marrë vendimi për të mos e mbajtur sulmuesin. Për stafin teknik Lambuliç kishte të dhëna, por malazezi ishte prapa me përgatitjet, prandaj duke ditur se Partizani kërkon lojtarët të gatshëm, drejtuesit nuk mund të rriskonin me pritjen e malazezit, i cili konsiderohet përfundimisht i larguar.

Një serb dhe dy shqiptarë të Preshevës në provë

Në miqësoren e djeshme të Partizanit janë aktivizuar edhe disa futbollistë që kanë ardhur për tu provuar. Pikërisht bëhej fjalë për mbrojtësin,  Milan Nikoliç, si dhe futbollistë shqiptarë nga Presheva, mesfushorin Arbër Sejfiu dhe sulmuesin Bunjamin Xhemaili. Mbrojtësi serb ka qenë edhe autori i golit të vetëm të Partizanit të shënuar dje në Rrogozhinë. Për stafin teknik mbrojtësi Nikoliç me atë që ka treguar dje me 60 % konsiderohet i kaluar, por atij dhe dy futbollistëve nga Presheva do tu jepet kohë edhe disa ditë dhe nga mesi i javës që vjen do të vendoset rreth së ardhmes së tyre.

Të kuqtë tjetër barazim, 1-1 në Rrogozhinë

Nga ARBËR BAULJA

EGNATIA PARTIZANI 1-1

Shënues: Muho 65 / Nikoliç 80

Egnatia: Demrozi, Sharka, Kollçaku, Kasa, Karaj, Muho, Sulo, Lundraxhiu, Branica, Osma, Balliu. Trajner: Xh. Meka (u aktivizuan: Çela, Arapi, Gjyla, Merko, Gjondeda, Nasufi)

Partizani: Malaj, Duqi, Hithi, Alcani, Pashaj, Nikoliç, Roshi, Tafa, Lini, Xhepa, Lambuliç. Trajner: N. Çoçlli ( u aktivizuan: Çuçi, Karakaçi, Bleta, Sulçe, Buliq, Sejfiu, Xhemaili)

Gjyqtarë: M.Qose, F.Greca, M.Sino (Lushnje)

Në dy miqësoret e fundit të kuqtë e kryeqytetit kanë arritur të marrin vetëm barazime, ku në mesjavë barazuan 0-0 me Luzin, ndërsa dje kanë barazuar 1-1 me Egnatian. Ashtu si përballja me Luzin edhe miqësorja e djeshme e zhvilluar në Rrogozhinë ka ngjallur interesin e tifozerisë vendase. Partizani është në fazën përmbyllëse të përgatitjeve për sezonin e ri, por të kuqtë ende presin nga merkatoja. Miqësorja e djeshme është shfrytëzuar edhe si një shans për të parë futbollistët q kanë ardhur për tu provuar tek Partizani. Pjesa e parë ka përfunduar në barazim 0-0 dhe loja nuk u ngjit në nivelin e duhur. Në pjesën e dytë të dy trajnerët bënë zëvendësime të shumta dhe në minutën e 65-të janë vendasit që shënojnë me Muhon. Në minutën e 80-të rezultati barazohet nga mbrojtësi serb, Milan Nikoliç, i cili dje kreu provën e parë me kryeqytetasit. Gjithë takimi përfundoi në barazim 1-1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›