Lushnja fiton miqësoren e fundit me Naftëtarin, gati për startin
Trajneri Artan Bano ka testuar dje formacionin e mundshëm, që pritet të aktivizohet në javën e parë të kampionatit ndaj Besëlidhjes
Nga JULIAN KASAPI
Lushnja Naftëtari 1-0
Shënues Licka 78
Lushnja:Spaho, Prela, Grizha, Stojkoviç, Rr.Sulo, Bizhyti, E.Korreshi, Topi, R.Sulo, Canka, Galica. Trajner: A.Bano (u aktivizuan: Metushi, Licka, Ndoni, Allkanjari, Gjyla, Haremi, Shima, Cepa)
Naftëtari: Kora, S.Gega, Daci, Kaja, Guçaj, A.Gega, Kopaçe, Abazaj, Koroveshi, Dervishi, Zylyftari. Trajner:S.Vasili ( u aktivizuan: Nurçe, Lila, A.Alushi, M.Alushi, Çela, Kuçi)
Gjyqtarë: S.Greca, E.Malo, S.Methoxha (Lushnje)
Lushnja e trajnerit Artan Bano ka arritur të fitojë në miqësoren ndoshta të fundit para nisjes së kampionatit në shtëpi me skuadrën e Naftëtarit. Një gol i vetëm i shënuar nga i riu Licka pak para fundit dhe një takim, ku kundërshtarët me një skuadër të re në moshë dhe eksperiencë arritën ta mbajnë Lushnjen larg rrjetës. Lushnjarët pretendentë seriozë këtë sezon për superligën kanë zbritur në fushë skuadrën e tyre më të mirë dhe në pjesën e dytë me ndryshimet e bëra Bano ka provuar stolin e tij sesa i aftë është të mbajë në ndeshjet e sezonit, që nis pas një jave. Lushnja e nisin kampionatin e ri në fushën e tyre, ku në Roza Haxhiu do të presin Besëlidhjen, kundërshtar i cili në sezonin e shkuar ishte pretendent për tu ngjitur në superligë. Ashtu si çdo fillim sezoni edhe këtë vit puna ka nisur për një Lushnjë që synim të vetëm ka ngjitjen në Superlgë. Shpresohet që këtë vit të realizohet ëndrra disavjeçare dhe Lushnja të bëhet pjesë e elitës së futbollit shqiptar.
