E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo barazon 4-4 në testin kundër Olimpikut

Nga ANDI TANKU

Dinamo nuk ka shkuar më shumë se një barazim në miqësoren e djeshme kundër Olimpikut të Tiranës, në fushën e këtyre të fundit. Shumë gola dhe mbi të gjitha një ringjallje e sulmit, por reparti i prapavijës përsëri është në një ditë jo të mirë. 4 gola të shënuar dhe po kaq të pësuar në testin me skuadrën që militon në Kategorinë e Dytë. Golat për blutë janë shënuar nga brazilianët De Paula, Tiago dhe dy të tjerë nga sulmuesi Ferraj. Takimi në përgjithësi ka qenë me ritëm të lartë dhe dukej në fakt një Dinamo që ishte zgjuar disi nga gjumi i miqësores së fundit me Ilirinë. Por problem mbetet ende reparti i mbrojtjes, i cili edhe në këtë test shfaqi shenja pasigurie, duke pësuar plot katër gola. Trajneri Zhupa në këtë miqësore ka aktivizuar plot 22 futbollistë, duke e kthyer këtë takim në një test me plotë kuptimin e fjalës, pasi edhe misioni i tij ishte pikërisht vëzhgimi i vazhdueshëm i kontingjentit që ka në dispozicion. Pas përfundimit të 90minutëshit numri 1 i stolit të bluve është shprehur i kënaqur me atë që tregoi skuadra në përgjithësi, sidomos reparti ofensiv që tregoi efikasitet dhe shfrytëzoi mjaft mirë rastet e krijuara. Pavarësisht rezultatit, i cili sipas trajnerit Zhupa qëndron në plan të dytë, miqësoret që Dinamo ka zhvilluar gjatë kësaj periudhe kanë për bazë konsolidimin e skuadrës dhe mënyrën e harmonizimit të futbollistëve në lojën e njëri-tjetrit para startit të kampionatit.

Tërbuni humbet 1-3 në miqësoren kundër Ilirisë

Pukjanët e drejtuar nga trajneri Edmond Dalipi kanë pësuar humbjen e parë nga katër takimet miqësore që kanë zhvilluar deri në këto momente. Iliria, kundërshtari që Tërbuni kishte përballë në testin e djeshëm ka arritur të fitojë me rezultatin 3-1, duke konfirmuar edhe një herë formën e mirë që po kalon skuadra gjatë kësaj periudhe. Kjo edhe pas paraqitjes së mirë që fushë-krujasit treguan ndaj Dinamos, kundër të cilës fituan me rezultatin 3-0. Ndërsa për Tërbunin kjo humbje do të shërbejë për të ndërhyrë në pikat e dobëta që skuadra tregoi në testin e djeshëm. Kampionati do edhe një javë nga starti i tij dhe numri 1 i stolit të pukjanëve do të ketë mundësi të shohë edhe njëherë mundësinë për përforcimin e skuadrës. Edhe pse rezultati në takimet miqësore kalon në plan të dytë, afrimi i të tjerë lojtarëve cilësorë do të krijonte edhe më tepër besim në radhët e Tërbunit për të përballuar me sukses sezonin e ri në Kategorinë e Parë, në të cilën ata do të jenë debutues.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›